22.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Akademi Përkujtimore në përvjetorin e vdekjes të Prof. Dr. Sabahajdin Cena

Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të premten është mbajtur Akademi Përkujtimore në 1-vjetorin e vdekjes të Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, organizuar nga Fakulteti i Filologjisë. Në këtë akademi përkujtimore përpos menaxhmentin të universitetit, stafit, studentëve e ish-studentëve, për të nderuar figurën e tij kanë marr pjesë edhe shumë intelektual, bashkëveprimtar e bashkëvendës përfshirë edhe familjarët e profesor Cenës.

 

Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, në fjalën e tij para të pranishmëve e vlerësoi lartë figurën e profesorit Cena, i cili njëkohësisht e kishte edhe profilin e eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rektori Alishani theksoi se, edhe pse nuk e ka njohur personalisht, shpesh kujtohet ai nga kolegët e tij mësimdhënës të Universitetit dhe se ka arritur ta njoh përmes veprës dhe kontributit të tij të çmuar me vepra, që i ka mbetur trashëgim brezave të ardhshëm.

Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj, theksoi se Profesor Cena nuk ishte thjesht një pedagog, por një misionar i arsimit, një udhëheqës i pasionuar dhe një frymëzues i vërtetë për brezat e rinj. “Ai nuk kufizohej vetëm në sallat e mësimit, por shtrihej edhe në rolin e hulumtuesit e shkencëtarit. Me karrierën e tij të pasur, prof. dr. Sabahajdin Cena nuk është thjesht një emër në historinë e arsimit shqiptar, por një dritare që na tregon se si dija, guximi dhe përkushtimi mund të ndikojnë thellë në shoqëri dhe në formimin e brezave të rinj.”, theksoi Dekani Beqiraj.

Prof. Asoc. Dr. Flamur Shala, kryetar i këshillit organizativ të Akademisë Përkujtimore theksoi se Profesor Sabahajdin Cena ishte intelektual, atdhetar, studiues e profesor e luftëtar, kronikan i betejave luftarake, orator i zoti me fjalime motivuese atdhetare në luftë, orator i zjarrtë nëpër manifestime, tubime përkujtimore, tribuna shkencore, përherë. “Ishte frymëzues për të krijuar e për të luftuar për më të mirën, për të ardhmen. Ai konsideronte se përherë ka një të tashme që të shtyn të punosh për të ardhmen. Pjesë e rëndësishme e së tashmes është kujtesa. Pa kujtesë nuk ka të ardhme”, theksoi profesor Shala.

Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, ish-asistente në lëndët që ka mbajtur profesori i ndjerë, e kujtoi bashkëpunimin e tij me emocione.

“Çdo kujtim, a rikujtim, në të vërtetë, s’është veçse një seancë përshpirtjeje, një takim spiritual me ata që më s’janë, me ata që shkuan në botën e përjetshme. Nganjëherë mendoj se fjalët vërtet janë të pafuqishme për të dhënë profilin tënd. Ti s’je më midis nesh në kuptimin fizik, por do të jesh përherë me ne e në ne me mirësinë tende, shpirti yt është një dritë që do të na udhëheqë gjithmonë. Prandaj e kujtojmë, prandaj e rikujtojmë, prandaj e përkujtojmë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, u shpreh e emocionuar prof. Dibra.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Rahovecit, theksoi se profesori Cena shkroi shumë artikuj shkencor, botime e kronika, për të gjallët e të vdekurit, duke na lënë një trashëgimi të pasur kombëtare. Arkivi i tij përbëhet nga aq shumë dosje e artikuj, sa që do të duhet kohë e ekipe hulumtuesish për t’i analizuar e sistemuar. Ishte “enciklopedi në lëvizje”, prandaj boshllëku që ka lënë është e zorshme të përmbushet.

Duke qenë i tillë, Profesor doktor Sabahajdin Cena u bë sinonim i njeriut të angazhuar në shkencë, sinonim i njeriut të odave të burrave, i njeriut të përkushtuar në profesionin e edukatorit të brezave, i njeriut që i kishte hije vendi e kuvendi, i njeriut që në kohën kur u dha kushtrimi i lirisë u bë një me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe u bë kronisti e historiani i luftës dhe i qëndresës së luftëtarëve të lirisë dhe popullit shqiptar.

“E njihte Atdheun cep më cep. Thënë me pak fjalë – ishte arkiv i gjallë i luftës çlirimtare dhe i pasluftës. Dhe ai dinte ta gdhendte fjalën e ta nxirrte të duhurën për secilin dëshmor, për secilën betejë e përpjekje, për secilën zemër të lënduar nëne, babai, motre, gruaje, djali apo vajze të të rënëve. Ua shëronte plagët e shpirtit duke i ngushëlluar me fjalët më të zgjedhura, “bijtë tuaj nuk ju kanë koritur, prandaj mbajeni kokën lart”, u thoshte Profa. Ashtu siç e thoshte shpesh edhe vetë; “fundi stolis veprat”. Këtë mesazh e kam edhe unë për familjarët e Profës, për shokët e bashkëpunëtorët e tij të shumtë: krenohuni me punën, përkushtimin, luftën dhe bëmat e profesorit tonë të nderuar Prof. dr. Sabahajdin Cena, emri i të cilit do të jetojë edhe përtej jetëve tona të shkurtra”, theksoi  Latifi.

Alfredi, djali i profesorit të ndjerë, u shpreh mirënjohës për Universitetin “Ukshin Hoti” për kujtimin e jetës dhe veprës së profesorit Sabahajdin Cenës, në njëvjetorin e shkuarjes në amshim.

 

Më Shumë

Nait Hasanit nuk i lejohet t’i vizitojë ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së, Nait Hasani, kishte bërë kërkesë për t’i vizituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup...

Qeveria reagon pas procesit të votimit: Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve

Qeverisë e Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me procesin e djeshëm të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në...

Lajmet e Fundit