11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Arsim Bajrami: Vendim i Gjykatës ashtu siç thash unë

Arsim Bajrami-pdkArsim Bajrami e ka lëshuar një reagim të gjatë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka thënë se aktgjykimi është ashtu siç kishte deklaruara para se lënda të shkonte në Gjykatë.
Ndërkohë, ka thënë se Partia e Hashim Thaçit nuk duhet të shkojë në opozitë pasi ka fituar zgjedhjet.

Për të dalë në opozitë PDK’ja, Bajrami thotë se duhet së pari t’i humb zgjedhjet.

“Vlerësimi im politik është që PDK si partia e parë nuk mund ta qeverisë asesi vendin vetë dhe asaj i duhen patjetër që të ndërtojë konsensusin e domosdoshëm me partnerët politik për të ndërtuar qeverinë e re dhe për ta qeverisur vendin. Mendoj që me këtë vullnet të popullit të reflektuar në këtë rezultat zgjedhor PDK nuk mund të dal në opozitë”, ka shkruar Bajrami.

Lexojeni të plotë reagimin e Arsim Bajramit:

Nuk ka patriotizëm më të madh se sa respektimi i Kushtetutës së Republikës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, dje bëri publik aktgjykimin e saj përkitazi me kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14) [Kompetencat e Presidentit] me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverise] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kisha kënaqësinë që ta studiojë këtë aktgjykim në aspektin profesional dhe dua të shpreh bindjen time të plotë profesionale që ky vendim është një interpretim jashtëzakonisht i drejtë dhe i qartë, që dëshmon profesionalizmin dhe integritetin e lartë të gjyqtarëve që kanë marrë pjesë në vlerësimin e kësaj kërkese.

Gjykata Kushtetuese pa u ndikuar nga asnjë faktor i jashtëm dhe me profesionalizëm të plotë ka dëshmuar vlerën e institucionit shtetëror duke ofruar një shembull të përkryer të funksionimit të mirëfilltë dhe profesional të një institucioni shtetëror. Është jashtëzakonisht mbresëlënëse që vendimi i Gjykatës është arritur për një periudhë mjaft të shkurtër dhe është vendosur me shumicë votash. Këtë vendim e përkrah plotësisht profesionalisht dhe e respektoj plotësisht politikisht. Mendoj që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me aktgjykimin e saj ka arritur të qartësojë të gjitha dilema e ngritura të karakterit juridiko-kushtetues dhe tani kjo çështje është plotësisht e karakterit politik.

Megjithatë pa modesti, për hir të korrektësisë dua të sjell në vëmendjen tuaj deklarimin tim rreth këtyre çështjeve që e kisha ofruar me një intervistë për gazetarin e nderuar z. Adriatik Kelmendi në emisionin Rubikon të KTV-së, me datë 11 qershor 2014. Pra këtë intervistë e kisha dhënë para se lënda të adresohej në Gjykatën Kushtetuese dhe pasi që lënda u parashtrua në Gjykatë kam respektuar normën profesionale që të përmbahem nga çdo komentim apo vlerësim i mëtutjeshëm duke u zotuar vetëm për respektim të plotë të cilido vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Të bashkëlidhur mund të gjeni linkun e intervistës ku mund ta shikoni videon (http://www.kohavision.net/video/rubikon/7920/), por unë megjithatë po i shkëputi më poshtë disa nga pikat kyqe të argumentimit tim në këtë intervistë e që ishin plotësisht të karakterit juridiko-kushtetues.

1. Kam mbrojtur faktin që Kushtetuta është e qartë në nenet e saj për formimin e Qeverisë. Një gjë të tillë e konkludon edhe Gjykata në paragrafin 95 të aktgjykimit të saj ku konkludon se dispozitat kushtetuese janë mjaftueshëm të qarta dhe në përputhje me njëra-tjetrën për të çuar deri te formimi i Qeverisë së re në pajtim me vullnetin e votuesve.

2. Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme kam deklaruar që normat juridike për rastin në fjalë i referohen vetëm koalicioneve parazgjedhore, pra koalicionit zyrtar parazgjedhor që është i regjistruar në zyrën për regjistrim të KQZ-së, që paraqitet në fletëvotimet zgjedhore dhe që i ofrohet mundësia qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre lidhur me të. Këtë tani e konstaton Gjykata në vendimin e saj, pika I (b) në faqe 23.

3. Kam deklaruar që Kushtetuta e Kosovës për dallim nga Korniza Kushtetuese e Kosovës i jep të drejtën e mandatarit partisë që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje. Pra shumica i referohet në rastin në fjalë partisë politike apo koalicionit që ka numrin më të madh në Kuvend. Gjithashtu kam mbrojtur qëndrimin që modeli kushtetues i Kosovës dallon nga modelet kushtetuese të rajonit dhe që çdo model është i veçantë. Këtë tani e konstaton Gjykata në vendimin e saj, pika II (c), (ç) dhe (d) në faqe 23 të aktgjykimit të shpallur.

4. Kam shprehur bindjen time të plotë që për çdo gjë që është e natyrës kushtetuese dhe që ka dilema për paqartësi mundemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për sqarim, respektivisht Presidentja e Republikës së Kosovës ka të drejtën e plotë që të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Kam sugjeruar që nëse ka dilema, atëherë ekziston mekanizmi kushtetues për të gjetur sqarimet adekuate dhe ajo mund dhe duhet të bëhet nga Presidentja e Republikës së Kosovës duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime. Duhet kujtuar që ka pas shumë mendime skeptike mbi atë nëse Presidentja ka pasur drejtë të kërkojë interpretime nga Gjykata, dhe ka pasur edhe interpretime që Gjykata duhet të shpallë të papranueshme kërkesen e Presidentes. Kam shprehur edhe bindjen time të plotë që Presidentja e Republikës së Kosovës dhe ekipi i saj njohin shumë mirë praktikën parlamentare në Kosovë dhe kam qene i bindur që Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës do të vlerësoj situatën dhe do të veprojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë tani e konfirmon edhe Gjykata në aktgjykimin e saj, në faqe 7 tek konkluzioni për pranueshmëri në paragrafët 26, 27 dhe 28.

5. Kam deklaruar që pas konstituimit të Kuvendit, Presidentja e Republikës së Kosovës duhet ta caktojë mandatarin nga një përfaqësues i një partie apo koalicioni parazgjedhor që do ta ketë shumicën e nevojshme në Kuvend dhe shumica e nevojshme është 61 deputetë për zgjedhjen e Qeverisë. Kam mbrojtur mendimin tim profesional që shumicën e mandateve e ka partia e parë, pra partia që ka siguruar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend. (Për këtë jam bazuar dhe kam përmendur praktikën e deritashme parlamentare të aplikuara në Kuvendin e Kosovës me rastin e formimit të Qeverisë, parimet kushtetuese dhe sistemin zgjedhor në Kosovë, por edhe në literaturën profesionale që ka trajtuar këtë çështje). Këtë tani e konfirmon edhe Gjykata në aktgjykimin e saj në paragrafin 67, 68,75, 76, 77, 78, 79, 80, 83, 84, 85 dhe posaqërisht paragrafi 88.

6. Kam shprehur mendimin tim që vetëm me proces të votimit në Kuvendin e Kosovës përcaktohet se kush e ka shumicën e nevojshme. Pra, jo me marrëveshje politike. Respektivisht kam mbrojtur qëndrimin që marrëveshja nuk mund të merret për bazë nga Presidentja me rastin e nominimit të mandatarit që do të marrë shumicën e nevojshme të votave në Kuvend për të formuar Qeverinë. Këtë tani e konfirmon edhe Gjykata në aktgjykimin e saj në paragrafin 86 edhe 88.

7. Kam shprehur bindjen time që dispozita në nenin 95, paragrafi 4 në Kushtetutën e Kosovës e precizon proceduren e raundit të dytë të mandatarit (duke ndjekur të njëjtën procedure) në rast që përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr votat e nevojshme në tentimin e parë duke ofruar sërish tentimin e dytë ekskluzivisht për mandatarin e parë. Vlerësimi i Gjykatës në këtë rast është që ky nen qëndron i heshtur dhe sipas këndëvështrimit të Gjykatës kjo është në diskrecionin e Presidentes të Republikës që të vendos se cilës parti do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër.(paragarfi 90). Gjykata shprehimisht vlerëson që në raundin e dytë nuk duhet të përjashtohet mundësia që t’i jepet sërish edhe rasti i dytë me një kandidat tjetër të njëjtës parti apo koalicion (paragarfi 91). Gjykata po ashtu konsideron që Presidentja duhet të konsultohet edhe me partite tjera

edhe të vlerësojë gjasat e partive politike për të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re (paragarafi 92). Pra Gjykata në vlerësimet e saj në aktgjykimin dëshmohet gjithëpërfshirëse. Është shumë e rëndësishme që Gjykata vlerëson drejtë dhe qartë në paragafin 94 që sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit dhe rrjedhimisht sugjeron që Presidenti i Republikës duhet të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re.

8. Kuptova me shqetësim faktin që Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur t’i sigurojë Travaux Preparatories, pra materialet përgatitore (procesverbalet) e punës së Komisionit për Hartimin e Kushtetutës. Mendoj që ato duhet të kërkohen dhe të gjenden gjithsesi në sekretariatin e atëhershme të komisionit për hartimin e Kushtetutës.

9. Jam angazhuar vazhdimisht që roli i Presidentes të fuqizohet dhe për këtë jam përkushtuar edhe përgjatë procesit të amandamentimit të Kushtetutës së Kosovës duke avokuar me insistim që Presidenti të mos jetë peng i partive politike por të zgjedhjet drejtpërdrejt nga populli. Besoj fuqishëm, që ashtu siç u dëshmua që vetëm një president i tillë që nuk buron nga oborret e partive politike mund të dëshmoj rolin e saj/tij kushtetues që të përfaqësoj unitetin e plotë të vendit.

10. Kam deklaruar që ekziston mundësia të shkohet në zgjedhjet tjera të jashtëzakonshme nëse nuk arrihet të ndërtohet uniteti i domosdoshëm për tejkalimin e situatave që potencialisht mund të shkaktojnë ngërçe politike. Gjithashtu kam shprehur brengen time njerëzore që nëse shkuarja në zgjedhje të sërishme për një periudhë kaq të shkurtër kohore do të mund të menaxhohej me sukses. Gjithsesi ky mbetet vetëm vlerësim i imi dhe për këtë vlerësimin më adekuat mund të japin institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve.

11. Kam shprehur vlerësimet e mija që shumë zhvillime politike pas zgjedhjeve kanë qenë të nxituara dhe kam sugjeruar që duhet pritur kohën e numërimit dhe shpalljes përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ, çertifikimin dhe pranimin e këtij rezultati nga të gjitha partitë politike që kanë marrë pjesë. Kam insistuar që vetëm pas këtyre fazave hapet rruga për të trajtuar çështjet tjera siç janë konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re. Kam shprehur rezervat dhe habinë time me nxitimin për të ndarë postet politike kryesore të vendit pa ndonjë reflektim përmbajtjesor ndaj rendit juridik dhe institucional në vend.

11.1. Kam shprehur bindjen time dhe qëndroj pas vlerësimit që posti i Kryetarit të Kuvendit zgjidhet nga grupi parlamentar që ka numrin më të madh të ulëseve në Kuvend sipas rezultatit që del pas procesit të çertifikimit të zgjedhjeve nga KQZ dhe me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit. Ky vlerësim paraqet mendimin tim profesional dhe nuk mëton të jep të vërtetën absolute përkitazi me këtë çështje. Por unë vlerësimin tim e bazoj në dispozitat dhe parimet kushtetuese, rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, sistemin zgjedhor në Kosovë, praktikën e deritashme parlamentare të aplikuara në Kuvendin e Kosovës me rastin e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit, procesverbalet e punës së Kuvendit të Kosovës ku trajtohen situata të ngjashme të mëparshme. Por mendoj që edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO103/14 mund të ndihmojë tërthorazi në qartësimin e kësaj çështje.

11.2. Kam vlerësuar që nuk ka qenë fare korrekte dhe nuk është dashur të ndodhë dhe nuk duhet ndodhë që në diskutimet politike në mes të partive politike të futet edhe posti i presidentetit të Kosovës si pjesë e pazareve politike. Mendoj që nuk është korrekte të diskutohet kjo çështje përderisa ne kemi në detyrë një presidente që ushtron përgjegjësitë e saj në mënyrën më funksionale të mundshme.

12. Për fund, kam deklaruar përcaktimin tim të plotë që vendimet e Gjykata Kushtetuese janë meritore, janë përfundimtare dhe ato duhet të respektohen. Kam thënë që gjitha mendimet e mija nuk janë e vërteta absolute, por vetëm mendimi im profesional dhe kam pranuar që vendimi përfundimtar dhe meritor i takon vetëm institucionit kompetent për interpretimin e Kushtetutës, pra Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Tani mendoj që ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës paraqet vlerësimet më meritore, përfundimtare dhe bëjë thirrjen që të respektohen nga të gjitha palët. Ky aktgjykim njëherit përbën edhe një arritje të një standardi të ri në fushën e interpretimit kushtetues në Kosovë dhe do të shërbej edhe si një rast mjaft interesant për trajtime në debatet akademike në shkencën e drejtësisë.

Përfundimisht mendoj që kishim një proces zgjedhor jashtëzakonisht të mirë, të pranuar nga të gjithë dhe meritor për këtë janë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe përkushtimi i partive politike që garuan në këto zgjedhje. Tani është koha që të gjitha partitë politike të tregojnë përgjegjësi ndaj shtetit, logjika e inateve dhe bllokadës të zëvendësohet me përgjegjësinë politike për shërbim të interesave të vendit duke krijuar institucione stabile, funksionale dhe të pakontestueshme. Jam i bindur që zgjidhja mund të gjendet vetëm me një pjekuri të elitës politike të vendit, ku secila parti politike duhet të reflektojë mbi peshë e saj politike por edhe mbi peshën e oponentëve tyre politik që kanë marrë nga verdikti i popullit në zgjedhjet e mbajtura me 8 qershor 2014.

Vlerësimi im politik është që PDK si partia e parë nuk mund ta qeverisë asesi vendin vetë dhe asaj i duhen patjetër që të ndërtojë konsensusin e domosdoshëm me partnerët politik për të ndërtuar qeverinë e re dhe për ta qeverisur vendin. Mendoj që me këtë vullnet të popullit të reflektuar në këtë rezultat zgjedhor PDK nuk mund të dal në opozitë. Kur PDK t’i humb zgjedhjet atëherë ajo do të mbetet në opozitë. Poashtu mendoj që ngjashëm partitë tjera nuk mund të injorojnë faktin që PDK është fituese e zgjedhjeve të përgjithshme dhe përkitazi me këtë do të duhej që të reflektonin politikisht. Zgjidhja duhet të gjendet me një qasje të emancipimit politik, me një gjeneratë të re qeverisëse dhe me një politikë ku dija, puna dhe morali janë vlerat mbizotëruese.

Diskutime e fundit publike mbi çështjet e natyrës kushtetuese paraqesin një arritje mjaft interesante në shoqërinë tonë. Mendoj që u dëshmua që të tilla diskutime janë mjaft produktive dhe na kishin munguar. Interpretimet ishin nga më të ndryshmet dhe karakteristike pothuajse e përbashkët e të gjithave ishte argumentimi logjik që ofronin. Kishte të tilla që përderisa jepnin interpretimet e tyre, interpretimet tjera i shpallnin absurde. Të tjerë interpretimet që nuk u pëlqenin atyre i shpallnin si partiake. Kishte edhe shumë reagime instinktive. Pas vendimit të Gjykatës, në disa çështje dikush u dëshmua që ishte më i afërt me vlerësimet e saj/tij me ato të aktgjykimit të Gjykatës, dikush tjetër ishte më larg, e ndonjë edhe nuk ja qëlloj fare. Por këto mbeten shumë të të parëndësishme përballë faktit të vetëm të rëndësishëm që aktgjykimi të pranohet nga të gjitha palët.

Nuk ka patriotizëm më të madh se sa respektimi i Kushtetutës së Republikës.Dua të shpreh falemnderimin për të gjithë kolegët juristë, analistët politik dhe përfaqësuesit politik për kontributin e tyre të dhënë në debatin përmbajtësor të zhvilluar së fundi përkitazi me këtë çështje.

Më Shumë

Arrestohet një burrë në Malishevë, rrahu fëmijët e tij të mitur

Në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas...

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare kushtuar mbrojtjes së ambientit

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, lëshoi sot në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Mbrojtja e ambientit”.  Si pjesë përkrahëse e fushatave sensibilizuese,...

Lajmet e Fundit