0.8 C
Prizren
E diel, 29 Janar, 2023

PDK e bindur se do ta formojë Qeverinë e Re

PDK5-27Partia Demokratike e Kosovës shprehet e bindur se do të arrijë që të formojë qeverinë e re, edhe për kundër insistimeve të bllokut opozitar se do të bllokojnë një tentative të tillë.

Një ditë pasi që Gjykata Kushtetuese e konfirmoi Kryeministrin në largim, Hashim Thaçin, si mandatar të parë për formimin e qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës u shpreh e bindur se do të arrijë numrin e nevojshëm të votave në Kuvendin e Kosovës.

Basri Musmurati, Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se partia e tij “nuk do të ketë fare problem krijimin e qeverisë”.

“I kemi votat e elektoratit dhe po ashtu do t’i bëjmë edhe votat e deputetëve në Kuvend”, tha Musmurati.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, PDK fitoi numrin më të madh të votave, por 37 ulëset në Kuvend nuk janë të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.

Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën të martën Thaçit që të krijojë qeverinë e re, pasi që Presidentja Atifete Jahjaga ta nominojë atë për kryeministër.

Por PDK pritet që të ketë vështirësi për të bindur partitë e tjera për t’u bashkuar koalicionit në mënyrë që të arrijnë 61 votat e nevojshme në kuvend, në kohën kur partitë tjera shqiptare që fituan ulëse në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA janë të bashkuara për të bllokuar tentativën e PDK-së për të krijuar qeverinë.

Ato kanë shprehur qëndrimin e vet përmes një deklaratë të përbashkët të hënën se nuk do të bashkëpunojnë me PDK deri sa e ftuan Thaçin “të kthejë mandatin tek Presidentja Jahjaga në mënyrë që të evitohet ndonjë vakum institucional.”

Në anën tjetër, Shpend Kursani, analist politik, thotë se “Hashim Thaçi i ka gjasat shumë të vogla, për të mos thënë fare, që t’i arrijë numrat e nevojshme për ta formuar qeverinë në këtë periudhë.”

“Kjo është për shkak se blloku opozitar është solid në qëndrimet e veta për të mos bashkëpunuar me Thaçin,” ka shpjeguar ai.

Por, Kursani ka thënë se kjo mund të ndryshojë në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pëlqimin e anëtarësisë së vet nëse mban një referendum për të përkrahur bllokun opozitar, ashtu siç e kërkon Statuti i Vetëvendosjes.

Por Musmurati nuk përjashtoi mundësinë që PDK t’i bindë edhe partitë e bllokut opozitar t’i bashkohet PDK-së për të formuar qeverinë e re.

“More le çfarë 61 vota, ne do t’i kemi më shumë!” ka thënë ai.

PDK fitoi 30.38 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare dhe do të ketë 37 deputetë në Kuvend, e përcjellë nga partia e Isa Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori 25,24 për qind të votave dhe që do të ketë 30 deputetë.

Vetëvendosja e Albin Kurtit mori përkrahje nga 13,56 për qind e votuesve dhe do të ketë 16 ulëse në Kuvend, deri sa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.54 për qind të votave do të përfaqësohet me 11 deputet në legjislaturën e ardhshme.

Nisma për Kosovën, parti e formuar nga dy ish-anëtarë të lartë të PDK-së, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, kaloi pragun dhe do të ketë 6 deputetë në Kuvend.

20 vendet e mbetura do t’i takojnë partive të minoriteteve, përfshirë edhe nëntë deputetëve nga “Lista Serbe” e përkrahur nga Beogradi.

Votat e kësaj partie mund të jenë vendimtare kur Hashim Thaci do të tentojë të formojë qeverinë e re.

“Lista Serbe” ka thënë se është e hapur për të bashkëpunuar me secilën parti e cila arrin që të formojë qeverinë e re.

“Lista Serbe nuk dëshiron të jetë ajo e cila do të zgjedhë se cila do të jetë partia e parë. Kjo duhet të vendoset nga shumica shqiptare. Ne do të punojmë me ata të cilat do të zgjedhen nga shumica shqiptare,” Branimir Stojanobic, Kryetar i Graçanicës dhe një nga udhëheqësit e Listës Serbe ka thënë.

Më Shumë

DOKUMENTI/ Si jepej leja për ushtrim prostitucioni gjatë Mbretërisë Shqiptare

Arkiva Shqip ka publikuar një dokument që tregon se si ushtrohej prostitucioni gjatë mbretërisë. Fillesat e prostitucionit në vend datojnë që në vitin 1910...

Mot i vranët e me reshje bore sot në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë dites do të mbajë mot i vranët dhe me kushte për reshje bore. Sipas IHMK-së,...

Lajmet e Fundit