22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Bardhyl Londo: Irritimi i Kadaresë, jo me Nasho Jorgaqin, por me librin

Bardhyl LondoPër mua nuk është e rëndë sishme se kur është shkru ar libri, pasi për mua e rëndësishme është se si është shkruar ai. Megjithatë, jam i prirur të besoj dhe madje jam i bindur, që libri “Mjegullat e Tiranës” është shkruar pikërisht në atë periudhë, domethënë më 1958. Kadare irritimin nuk e ka me Jorgaqin, por me veprën”. Bardhyl Londo jep mendimin e tij për debatin Kadare-Jorgaqi, në një intervistë për “GSH”. Të dielën e kaluar, prof.Nasho Jorgaqi përmes një letre të hapur në “Gazeta Shqiptare” i drejtohej mikut të tij të rinisë, Kadare me pyetjen: Pse nuk ma ke përmendur emrin në veprën “Mjegullat e Tiranës” dhe pse sot, thua se kur ke lexuar romanin tim ‘Dashuria e Mimozës’ ke vënë duart në kokë? Mbasi tregonte pse ndjehej i fyer, Jorgaqi hidhte dyshime se Kadare, romanin e sapobotuar, nuk e ka shkruar më 1958, por vitet e fundit, sepse atëkohë, nuk kishte të tilla ide. Në fakt, si romani i Jorgaqit edhe ai i Kadaresë, rrëfenin një histori rinore dashurie të këtij të fundit. Ndërsa “GSH” pas Jorgaqit, botoi rrëfimin e pretendentit për Nobel mbi veprën e vet (shkëputur nga libri), një reagim për çështjen dha botuesi Bujar Hudhri, duke ofruar madje edhe dorëshkrimet origjinale të vitit 1958 të Ismail Kadaresë 22-vjeçar. Megjithatë, gjatë javës, reagimet nuk kanë munguar! Sot, sjellim Bardhyl London, i cili rendit argumentet pse romani u shkrua më 1958 dhe gjykimin e tij pse Kadare u irritua me veprën e Jorgaqit. 

Z.Londo, çfarë mund të na thoni për letërsinë e fillimeve të Ismail Kadaresë, parë tashmë nga drita e debatit të hapur së fundmi për shkak të romanit “Mjegullat e Tiranës? Kur mendoni ju se është shkruar ai? 

Problemi shtrohet që është shkruar në atë kohë, pra më 1958 apo është shkruar më vonë. Në fillim do të thosha se për mua nuk është e rëndësishme se kur është shkruar libri, pasi për mua e rëndësishme është se si është shkruar ai. Megjithatë, jam i prirur të besoj dhe madje jam i bindur, që libri “Mjegullat e Tiranës” është shkruar pikërisht në atë periudhë, domethënë më 1958. 

Cilat janë argumentet apo arsyetimet tuaja për këtë datim? 

Do thosha që janë të gjitha arsyet që romani të jetë shkruar atëherë, madje, nuk shoh ndonjë arsye për të cilën duhet kundërshtuar datimi i dhënë nga vetë Kadareja. E para, sepse kjo nuk i shton as nuk i heq gjë talentit të Kadaresë, pra nuk kish arsye pse ta bënte. E dyta, duke e krahasuar këtë libër, me gjithë krijimtarinë e atëhershme të Kadaresë, do të shohim se është e njëjta mënyrë procedimi dhe e njëjta mënyrë konceptimi. Nuk ka absolutisht asnjë lloj ndryshimi. 
Në krahasim me cilat vepra? 
Le të marrin vetëm dy librat e parë me poezi, apo edhe romanin tjetër “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, që është një roman, i shkruar afërsisht në atë kohë, pra pak vite më vonë se “Mjegullat e Tiranës”. Krahasimi është i thjeshtë. Fjala është për personazhin pozitiv. Duke e parë veprën e rëndësishme të Ismail Kadaresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” shohim se ai aty shkruan sipas linjës së vet, jo sipas linjës e kritikës së kohës, sipas së cilës duhej patjetër një personazh pozitiv. Në të kundërt, tek ky roman, pra tek “Gjenerali…”, nuk mund të gjesh, nuk haset një personazh që kërkohej nga letërsia e kohës, nuk ka personazh pozitiv. Në tërësi, personazhet e Kadaresë janë ata të botës së tij dhe asnjëherë nuk janë ata që diktonte logjika e kohës, censura e kohës, që kërkonte sistemi, nuk ka personazh pozitiv. Të gjitha këto e arsye shumë të tjera që më bëjnë të besoj se ai libër është shkruar pikërisht atëherë dhe nuk ka arsye për të dyshuar. 
A mund të na jepni një kritikë për vlerat e romanit? 
As ne, as Kadareja, nuk është se prisnim këtë libër për të vërtetuar, argumentuar, talentin e të shkruarit të Ismail Kadaresë. Këtë gjë ai e ka vërtetuar që në veprat e para, që po t’i marrim edhe sot, qëndrojnë. Romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” qe një roman që shënoi kthesë në letërsinë shqipe, duke sjellë romanin modern shqiptar. Ndaj, mua nuk më befason fare, që pikërisht në atë kohë, ose pak vite para se të shkruante “Gjeneralin…”, ku ishte pak a shumë e njëjta moshë dhe kishte të njëjtën prirje artistike, të ketë shkruar edhe këtë roman që u botua së fundmi, “Mjegullat e Tiranës”. 
Ju çfarë dini për historinë e dashurisë rinore të Kadaresë? 
Atë kohë, kur Kadare e jetonte këtë histori dashurie, kam qenë i vogël dhe mbi të gjitha, nuk e njihja shkrimtarin. Më vonë, nuk jam interesuar për këtë pjesë, për jetën personale, më ka interesuar vetëm letërsia e tij. 
Sipas jush, cilat janë arsyet që e çuan prof.Nasho Jorgaqin drejt botimit në “Gazeta Shqiptare” të një letre të hapur për Kadarenë? Çfarë e ka nxitur apo shtyrë? 
Të them të drejtën nuk e kam të qartë dhe mendoj se këtu nuk ka arsye për debat. Unë e kam lexuar intervistën e Ismail Kadaresë, atë intervistë që është botuar në librin e botuar së fundmi. “Mjegullat e Tiranës”. Siç e shoh unë, Ismaili nuk ka aty ndonjë debat personal me Nasho Jorgaqin. Në rast se ai aty shpreh një lloj pakënaqësie, nëse aty Kadare shpreh irritimin e vet, nuk e ka personal me Jorgaqin, nuk e ka me autorin e romanit, por e ka me atë që shkruhet në roman, me atë që shkruhet në librin e Nashos: në të Kadare del si personazh pozitiv, pra del me atë lloj personazhi që ai vetë nuk e ka përdorur asnjëherë. E, që nuk e ka aprovuar, vërtetohet nga mënyra se si ka shkruar në atë kohë.

Më Shumë

Masakra në Krushë të Madhe nga forcat serbe, i mbijetuari Elshani rrëfen se çfarë ndodhi para 25 vitesh

I mbijetuari i masakrës në Krushë të Madhe, Selami Elshani ka rrëfyer në detaje atë se çfarë ndodhi para 25 vitesh në masakrën që...

Dhimbja

Skënder Berisha Nganjëherë më ngjan se nuk e njoh Pas bredhjeve vjen në tjetër trajtë E lyer me tjera ngjyra Si blerim i shkrryer Si dritë e errësuar Që përvidhet...

Lajmet e Fundit