4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

DASHURI SI KULLA E BABILONIT

Ai vallëzonte lehtë këtë mbrëmje në krahët e një femre me hundë të shpuar, teksa fustani i saj edhe për meshkujt tjerë ishte tërheqës. I shihja se të dy jetonin në një të tashme të dashurisë së zjarrtë dhe ëndërronin njëjtë, një të ardhme të përparme pa kushtet që kërkonte në morfologjinë e një gjuhe mënyra kushtore për t’u realizuar dashuria. Në këtë rast vetëm dashuria e tyre. (Për to nuk ekzistonte kushti, po të.) Më dukej se i takonte një bote tjetër, ndryshe nga imja.

Një bote, brenda së cilës përveç fjalëve mund ta humbisja edhe arsyen për të njohur të tjerë. Kjo më frikësonte, ndonëse ishim në të njëjtën verandë shndritëse. Më dukej aq i gëzuar, sa edhe po të më thoshte dikush se brengën më të madhe e kishte në zemër, s’do ta besoja kurrë. Ndoshta e kisha mësuar veten t’ia shihja vetëm bukurinë e jashtme (Më mjaftonte si i tillë.).

Nga ato që më kishin treguar për të, ishte edhe fakti i syve të tij bojë qielli dhe gjuha ndryshe nga imja (Një gjuhë sunduesish e quaja, por s’ia kisha thënë kujt.). Që nga koha kur e mësova këtë, mendoja shpesh për gjuhët dhe botët tona të largëta, ndonëse mëngjeset për dy vjet na gjetën në hapësira të njëjta, në të cilat nuk mungonin as edhe librat me poezi dashurie. Filluam ta pëlqenim të dy Kongolin, Agollin, Arapin, London, Petrarkën e Nerudën, jo vetëm pse fjalët e tyre na lidhnin më tepër me njëri-tjetrin, por, edhe për faktin se të dyve na mbushnin me jetë.

Këtë e ndieja sa herë që e takoja.

Sonte, kur sërish e pashë të vallëzonte me një femër që nuk e njihja, por, që më bënte të besoja se e dashuronte më shumë se unë, m’u kujtua e djeshmja dhe fjalët që më kishin thënë për të, ndër të cilat edhe kërkesa e tij që të dashurën ta kishte poete. Unë, kisha shkruar ca vargje, por nuk e kisha ndierë veten se mund të isha për të. E as më pak që të më thoshin poete. Më pas, më patën thënë se kërkonte një femër që ishte ndryshe nga të zakonshmet, ndryshe edhe nga mëkataret e dashurisë në kohë moderne, ndonëse tija mund të mëkatonte me fjalë. Sërish mendoja se nuk e ka me mua dhe se s’do ta kishte kurrë. Asnjëherë!

Më dukej më i bukur në krahët e saj (Në fillim e quaja vetëm ngushëllim.). Sa herë që e thosha këtë, e dija se me sukses e kisha kaluar shkallën krahasore të mbiemrave, e për të, mund të vendosja plot të tillë. Disi më ngjasonte me Adamin e dënuar, me Odisenë antik, me Vronskin e realizmit, me Zhan-Markun e modernizmit e me shumë e shumë të tjerë që ma kujtonin një mashkull tërheqës për sytë. Por, mbi të gjitha e urdhëroja veten që edhe nga këta ta shihja ndryshe e ta kisha të veçantë, pa e ditur nëse me femrën që kishte në krahë fliste gjuhë të njëjtë. Ngase gjuha e trupit u përshtatej tepër. Kjo ishte ajo që më mjaftonte së paku deri në ato çaste, pa i dhënë vetes shpresë për një bashkim tonin qoftë edhe në ëndrrat e mbrëmjeve.

Sa më shumë që e shihja, aq më shumë i gëzohesha faktit që në botë ka ende të tillë e me krenari mund t’ia tregoja Adamit se, jo të gjithë dëbohen nga parajsa, se jo të gjithë mund të tradhtojnë. Sa më shumë që i kujtoja se ç’më kishin thënë për të, aq më shumë kërkoja t’ia njihja botën shpirtërore, ngase kur e pashë me të, nuk besova se të jesh ndryshe dhe të përshtatesh aq shumë me një tjetër, është e lehtë. Mund edhe të kisha gabuar, ngase më parë kisha menduar se do të mundem ta përkëdhel me buzëqeshje, me sy, me çdo gjë, por, jo me dorë. Por kjo edhe ndodhi. E kisha ndierë me kohë. Një kohë ndryshe nga çdo realitet, sepse më pëlqente të jetoja në ëndrra.

Në fillim më dukej i largët. Aq i largët sa nuk mendoja ta quaja pjesë të realitetit. Por, kur e pashë me të, besova se ajo do të jetë e sinqertë me dashurinë ndaj tij dhe s’do të bëjë asgjë që ta humbiste e si peshqesh t’ia merrnin të tjerat. Dashurinë të dyve ua lexova në sy. Jo në të njëjtën kohë, por, sërish ishte dashuri, pa ditur se dashuria e tij do të ishte për një tjetër (Për një poete çapkëne e lazdrake.) e jo për të, që me dëshirën më të madhe ia kishte dorëzuar trupin. Kurrë s’kisha menduar se ndonjë tjetër, ose unë, do ta zinim vendin e saj. Kurrë.

Pa gjithë kësaj u binda për sytë dhe gjuhën e tij. Ishin të vërteta. Të parët, duke qenë aq të bukur ma morën zemrën, ndërsa e dyta, duke qenë më se e vërtetë më bëri ta besojë mitin e Kullës së Babilonit. Vërtet ishim ndryshe, por dashurinë e kishim të njëjtë. Ajo do na mjaftojë për jetën.

Shkroi – Adelina Xhaferi

Më Shumë

“Gjekovë” huqja drejtshkrimore në tabelë te hyrja e Prizrenit

Në hyrje të Prizrenit kanë gabuar në drejtshkrim në tabelë ku shkruan Gjekovë në vend të Gjakovës Ndërsa ajo në gjuhën serbe është shkruar si...

Moti sot: Me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell

Moti sot parashihet të jetë me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell. Pritet që lokalisht të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu,...

Lajmet e Fundit