8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Pritja e lirisë, në lirinë e ardhur

Rreth romanit “Prishtina”, të shkrimtarit Mehmet Kraja

Ballsor Hoxha

Pritja, si zbulim i shoqërisë kosovare, është bosht i romanit “Prishtina” të Mehmet Krajës, edhe atëherë kur liria e pritur ka ardhur dhe ende pritet. Pritja, edhe kur demokracia është shpalosur, edhe kur janë shkaktuar tragjedi të panumërta, pritja mbetet si mekanizëm mbrojtës.

Zbulimi i pritjes në romanin “Prishtina” është vetë qytetësia e saj, jo e nënvizuar në këtë roman, por që del si shpjegim i mospërballjes së saj me asgjë; si shpjegim i dezintegrimit dhe të papërmbajtjes së shëmtisë së saj dhe të vetë vullgaritetit të lirisë, por edhe të pritjes si mekanizëm mbrojtës nga ajo që nuk mund të mbahet – nënshtrimi në përjetësi.

Në të vërtetë, po e njëjta pritje mund të merret edhe si inferioritet ndaj jetës dhe ndërtimit të saj. Inferioritet ndaj lirisë, por jo edhe ndaj shëmtisë përbrenda saj dhe vullgaritetit të epshit për të shkelur mbi të dhe në të.

Prishtina nuk është një qytet i vogël dhe i harrueshëm, me gjithë bërllogun dhe pagdhendësinë e tij. Ai, megjithëse për kohë të shkurtë, ishte një prej qendrave të botës ku historia globale arriti në një pikë të vetëdijesimit të njerëzimit etj. Mirëpo, në vogëlsinë e tij askush nuk është marrë me atë, p.sh. si me Sarajevën.

Mehmet Kraja është një ndër të gjithë shkrimtarët që kaluan këtej dhe që kanë shkruar për Prishtinën, atë të menjëhershmen pas luftës. Ai shkruan për Prishtinën me një melankoli si ndaj “hapjes së universit” dhe mbetjes së një boshllëku të paplotësueshëm, si kur shembet guva dhe krijohet një hapje e tërësishme e asaj që të rrethon.

Sikur guva, guva e presionit, guva e ankthit të vdekjes së kudondodhshme, guva e paparashikueshmërisë dhe guva e jetës në grixhë, është thyer dhe ka pllakosur një zbrazëti tejet e ndjeshme dhe e hollë që krijon vetminë dhe krijon atë që kurrë nuk është parë nga vetë qytetarët e këtij qyteti, apo sikur shihet për herë të parë dhe nuk ka ekzistuar. Askush nuk është i qëndrueshëm dhe askush nuk është i ditur për atë që ndodh dhe kah duhet shkuar.

Individi dhe individualja në Prishtinë asnjëherë nuk kishin ekzistuar. Nuk kishte individ dhe as individuale, jo vetëm pse ishim në dinamikë armiqësore me bashkëbanorët tanë serbët, por sidomos për shkak se mungonte guximi për këtë. Për të refuzuar, jo estetikisht siç bën Mehmet Kraja në tërë jetën dhe veprën e tij, por për të refuzuar qoftë edhe të mirën e grixhës dhe të mirën artificiale “për një ditë më të mirë” si pritje, sidomos të kamufluar në artificiale, në lëkura të ujkut të pushtetarëve; prej atyre të ish-Jugosllavisë e deri tek komunistët në fund të romanit “Prishtina”, për – një të mirë të të gjithëve -.

Sa shpejt u harrua të shkelurit në liri – shëmtia e saj

… Çdo gjë ndodhi shpejt, sikur toka të kishte marrë papritur një rrotullim më të nxituar. Qesha edhe unë dhe ndjeva një lehtësim, kur pashë shkronjat cirilike që u thërrmuan nën këmbët e atyre që i shkelnin…kërcyen, u hodhën përpjetë edhe të tjerët. Ata qeshën, qesha edhe unë. Ata u gërvallën, u gërvalla edhe unë. Ndihesha çuditërisht i lumtur dhe i shëmtuar… (Romani “Prishtina”, faqe 13).

Ky është ndër momentet dhe ndodhitë e para pas hyrjes në Prishtinë të të deportuarve shqiptarë, sipas romanit “Prishtina”. Disi është sikur ankth i njeriut, liria e harruar si ishte, ankth për të përmjerrë mbi të dhe në të. Sikur njeriu nën stigmën e të qenit i nënshtruar, qoftë edhe lirisë dhe demokracisë, është i kapur nga ankthi i shëmtisë.

Ankthi i shëmtisë për t’u shëmtuar vjen nga zbrazëtia e ardhur me lirinë, mungesa e ankthit të të qenit i vrarë, i burgosur i torturuar. Apo në anën tjetër, si ankth prej zbrazëtisë universale të lirisë së harruar si qeniesim i këtij njeriu kosovar.

Është sikur zhbërje e presionit dhe e vdekjes së kudogjindshme shqiptare, dhe sikur njeriu kosovar arrin tej qëllimit dhe kuptimit si marrëveshje dhe nuk gjen një arsye për të qenë si të gjithë, apo siç predikohet, për një herë shthuret dhe nënshtron jo vetëm të kaluarën e dhunshme ndaj tij, jo vetëm prezencën e vetes si i nënshtruar dhe i paudhë, por edhe të vetmisë që ndien në këtë liri, në ankthin nga liria jo në ikje nga ajo por në të qeniesuarit dhe të vetëdijesuarit se asgjë nuk ka përtej saj.

Tri janë masa njerëzore dhe të universit në përgjithësi në këtë roman, që mbizotërojnë njeriun kosovar të kthyer në lirinë e ëndërruar nën nënshtrimet e tij: shëmtia, paqëllimësia dhe vetmia.

Edhe reklama e ish-hotelit ikonë të qytetit të Prishtinës, hoteli i Bozhurit “me dy lule në skajet e saj, të kuqe”, nën këmbët e personazhit narrator me së bashku tërë qytetarët që ndodhen përreth mbi po të njëjtat, është shëmti, kiç, mirëpo të shkelurit mbi të, të kërcyerit mbi atë manifestimin e këmbës dhe shputës mbi diçka, është sikur të hedhësh këmbën mbi lirinë në lirinë dhe ndaj lirisë. Liria sikur një hipnozë e thellë dhe ngadalësim i ritmit të njeriut dhe të kalimit të tij, thërret për më shumë shëmti, më shumë të shëmtuar dhe deri në shëmtim të së tërës dhe në përhershmëri. Sikur njeriu nuk e do atë. Sikur ajo është e dhembshme dhe sikur ajo është një horror pasiv dhe agresiv, që nënshtron njeriun me zbrazëtinë e saj dhe me të kaluarit në individ të kosovarit, jetuar në grixhë përherë, duke i vetëdijësuar vetminë, të mundshme, të nevojshme, por dhe si dhembje e papërmbajtshme apo e panjohur.

… U ula në shkallët që rrethonin përmendoren, vura duart mbi fytyrë dhe qava me dënesje…

Pak më lart kësaj fjalie, vjen ky përshkrim:

… edhe sheshi ishte i zbrazët; mbi të kishte zënë vend një qiell i pikëlluar, përmendorja që nxinte nga godinat e errëta, ngjanin me një vend ku krijohej vetmia… Skënderbeu luhatej në erë, fërgëllonte dhe e merrte e jepte me errësirën…

Qoftë edhe Skënderbeu i sjellë dhe i brohoritur, dhe duke pas plotësuar dëshirat e përjetshme të qytetarëve të saj me kalërimin e tij, ndjehet i vetmuar në Prishtinë. Fërgëllima e tij është sikur tik-tak-u i orës së ritmit të kësaj shoqërie në zonën e parashikueshmërisë e të njohjes dhe të lirisë, dhe me këtë, të demokracisë nënshtruese të individit.

Nuk ka një Prishtinë të parë, siç e shohim ne. Këtu femra është njëjtë e nënshtruar në “lojën” e “kush kujt po i hipë” dhe të mallëngjyerve për Jugosllavi dhe atyre për “Internacionalen” dhe Enver Hoxhën.

Ka dy maja të larta të Shqipërisë që njihen si Tomori dhe Korabi, por që janë në të vërtetë maja e fillestares së vdekjes politike dhe vrasjes politike. Tani, ndër shqiptarë, mu në Prishtinën e pasluftës përmes dy personazheve spiunë, që imitojnë spiunët e Enver Hoxhës.

Ka të eksituar ndërkombëtarë që përballë drunjve të lakuar, siç është rasti i zyrtarit të Kombeve të Bashkuara, personazhit Ryker, që ka përballë një lis të lakuar dhe për të cilin në një ditë të shëmtuar vjeshte pyetet “a do të ekzistonte ajo pamje pa atë, dhe si do të dukej ajo pamje pa atë”. Ndërkombëtarë që kërkojnë vazhdimisht fundin e kërkimit të lumturisë, vetë lumturinë, në vende si Kosova e pasluftës dhe të cilët përfundojnë në kërkim të fundbarkut të lokaleve.

Tunelet shndërrohen në bordele të çastit dhe masa e zezë e Prishtinës, vetë errësira, bëhet e lehtë, më e lehtë se çdo torturë e përjetuar në të vërtetë e banorëve të saj, dhe me këtë pafundësi të mundësisë, dhe mundësia dhe pritja e saj tanimë janë harruar përpara dhe përballë shëmtisë së lirisë së ëndërruar për kohë tejet të gjatë.

Këto janë shëmtitë të cilat e përbëjnë lirinë edhe në vende të tjera, por këtu ndjehen për herë të parë. Dhe me këtë, shëmtia është e pranishme dhe ndanë secilës dhe secilit veprim dhe njeri.

Individualja – ankthi për të krijuar aromën e rrobave

Në tërë “Prishtinën” e Mehmet Krajës vazhdon një shtjellim, herë i të errëtës dhe herë i zbrazëtisë, posaçërisht në sqimën e personazhit narrator i cili bën kujdes për rrobat e tij; kujdes të veçantë përballë shëmtisë së lirisë, dhe në këtë shtjellim të zbrazëtisë, në Prishtinë krijohet lëngata më e thellë e mundshme: pamundësia e të jetuarit të lirisë së dëshiruar me kalimin e kohës. Në të vërtetë, romani i shkruar më 2018, rikthen lirinë e pasluftës si thellësi e gjakimit të njeriut për atë që ka qenë një herë e mirë liri e njohur nga tërë bota në një moment, por kur edhe e tërë shoqëria degradoi nën po të njëjtën liri, nën lirinë njerëzore në atë të urisë për pushtet.

Mehmet Kraja në tërë shëmtinë e lirisë, rikujton këtu njeriun kosovar për atë që ishte, si buzët e puthjes së parë të jetës, dhe në të cilën kosovari pa një kurvë dhe një bordello dhe një veturë të shtrenjtë, por i nënshtruar nën demokracinë e Kombeve të Bashkuara dhe të të huajve në lojën “kush, kujt po i hip”, dha çdo gjë, dha edhe atë që e kishte liri. Dhe tani e sheh me mall prerës, po të njëjtën. Në të vërtetë, është nënshtruar për të mos mundur të ndiejë shtjellën e po të njëjtës zbrazëti universale të qytetit (si gjeografike dhe astrologjike), po ashtu edhe të qetësisë që e ka si qytet. E ka nënshtruar të dëgjuarit e shtjellës së ecurisë së tij, ecjes dhe kalimit të tij në ritmin e kohës.

Ndërkaq Mehmet Kraja shtyn, si me zor, personazhin e tij narrator që të kujdeset për garderobën e tij, për të ndier aromën e tyre, për të vëzhguar kalimin e modës nëpër ato, dhe për të qenë i veshur me sqimë qoftë edhe përbrenda shëmtisë së lirisë. Mehmet Kraja e shtyn personazhin narrator të romanit “Prishtina” që të jetë individ, individ i cili kalon nëpër secilin tunel; prej atij të shndërruar në bordello, deri tek shoku i tij fizikan që e sheh Ajnshtajnin gabim, e deri tek shoqërimi me të paralizuarin nga damlla, të dy personazhe ndryshe brenda kësaj Prishtine, dalluar me individualen e ndjesisë dhe shprehjes.

Në këtë roman, “Prishtina”, shëmtia e lirisë dhe e jetës në përgjithësi, është e përballur me individin e personazhit narrator. Nëse Skënderbeu fërgëllon nën terrin e natës, sikur tenton të ikë apo edhe të ringjallet (jo nga nevoja për mbrojtje dhe luftë, por nga nevoja që të ikë prej aty), personazhi narrator ka mburojën e individit vetmitar deri në vetmi familjare dhe vetmi shoqërore, sikur kjo e fundit është e rrezikshme dhe mundësi nënshtrimi të tij nën këtë shëmti.

Mirëpo në kuadrin e Mehmet Krajës, kjo nuk është shëmti e thënë si përplasje e dhembjes, por shëmti e cila manifeston veten e saj pikërisht përbrenda lirisë, si vullgaritet i zhvirgjërimit të kosovarit dhe njeriut dhe si zgjatim i saj primordial, dhe me këtë, kjo shëmti krijon melankolinë. Jo vetëm të një të njohure të humbur përjetë, por të një shëmtie qoftë edhe estetike, e cila ka në vete edhe ndjesinë e qytetarit të saj që i bindet jo si politikë dhe si dinamikë e njerëzimit, por sidomos si shpalosje e universit të ngërthyer përbrenda dhunës, agresionit dhe urrejtjes shoqërisë së saj për kohë tejet të gjatë.

Kujdesi i personazhit narrator ndaj rrobave të tij, sikur kërkon të prehë pamundësinë e zbrazëtisë së lirisë në përballje me shëmtinë, sikur ai tenton që të ruajë dhe të prehet në aromën e rrobave dhe aq më shumë të krijojë aromën estetike.

… Njëra nga ato ditë maji, më la në kujtesë një detaj: kisha dalë në ballkonin e banesës …
(para) ca luleve që i kisha mbjellë në saksi të mbushura me dhe të zi. Pas një kohe, bleta iku dhe unë mbeta gojëhapur, pa ditur të shpjegoja asgjë, sikur të gjendesha në fillimin e botës dhe fenomenet e natyrës që kishin nisur po nga ai çast. Nuk e dija pse ishin lulet… pse nga jugu frynte erë e lehtë dhe pse ajo ditë ishte me diell; pse qielli ishte i veshur me një blu abstrakte dhe pse fqinji im, Mustafa, fliste me zë të hollë.

Në narrativin e këtij romani, personazhi narrator do të thoshte diçka si – por unë e dija -; ai vazhdimisht e thur narrativin me këtë pikënisje, duke bërë të ditur se është individ i tërhequr në këndin e lirisë nga ku ai mbin si pjesëmarrësit komunistë në sallën e manifestimit të tyre në fund të romanit, nga ku ai mbin në secilën ngjarje dhe secilin argument dhe abuzim. Sigurisht, personazhi narrator nuk është komunist, por është i qëllimtë në paqëllimësinë e tij. Ai është aty dhe ka atë – por unë e dija se – si dinamikë të të shkuarës dhe të tashmes; dhe të shëmtisë/zhveshjes deri në palcë dhe njerëzisë. Individi në personazhin narrator është asgjë tjetër përpos njeriu, njerëzimi dhe mburoja ndaj tij, për shkak të shëmtisë së vullgaritetit të zhvirgjërimit në liri.

Së paku si njerëz dhe shoqëri e pandarë ndonjëherë dhe me këtë edhe pa individë, e kishim ditur se liria ishte e mundshme dhe po e jetonim pas një kohe të gjatë. Edhe kishim kaluar vite të tëra të zhgrehur në dhe përbrenda shëmtisë/zhveshjes së njeriut përbrenda saj, në orgazmën e fëlliqtë që na kish kapluar nga nënshtrimi jo vetëm në liri siç e potencon romani “Prishtina”, por sidomos nënshtrimi në demokraci. Nënshtrimi në demokraci i cili dhemb shumë më shumë se ai në tirani dhe robëri, siç thotë individi personazhi narrator.

Individualiteti i personazhit narrator në dhembjen dhe horrorin e tij të vetmisë jo vetëm shoqërore dhe jo vetëm për shkak të zhvirgjërimit të kushedisahershëm të kësaj shoqërie, por edhe për shkak të vetmisë universale, bëhet shkak i paralizës së dy personazheve të tjera. Megjithëse i pari ndodh në naivitetin e shprehjes së personazhit narrator, së paku i dyti ndodh si vrasje më shumë, si atentat me paralizë i personazhit të Sinanit dhe pikërisht nga liria e individit që të shprehë frustrimin dhe përfshirjen e tij në shtjellat universale të hapjes së kohës dhe të hapjes së shoqërisë me vëzhguesit Tomori dhe Korabi.

Ka një balancë në këtë roman ndërmjet lirisë/shëmtisë/zhvirgjërimit të shoqërisë përballë paqes, qetësisë dhe fisnikërisë së zbrazëtisë; dhe në anën tjetër ndërmjet shndërrimit të tuneleve në bordello, klishe situatave dhe seksit ndërkombëtaro – lokal dhe fisnikërisë së individit. Individi në këtë roman është gjithnjë në kërkim të shprehjes dhe të mbeturit besnik aparatit të tij/tyre për të bërë kafe, tabelës fisnike të shahut, Sinanit, i cili kurrë nuk e harron titullin e tregimit të personazhit narrator “Ëndrra e qenit”, apo edhe të Petritit, personazh idealist, i cili edhe vret veten në fund të romanit, derisa individi personazhi narrator ia kthen shpinën atij duke e lënë të bëjë vetëvrasje, ia kthen shpinën krejtësisht i ftohtë dhe i zbraztë, i zbrazur nga qëllimet dhe dëshirat, me shëmbëllimin e notave të pianos në errësirë dhe pyetjen se si kthehen gjërat. Krejtësisht me humor, ai, diku në gjysmën e librit komenton duke u habitur nga kthimi i personazheve, për të cilat ka shkruar më herët.

Pritja e lirisë përbrenda lirisë – demokracia

Të gjithë njerëzit në këtë roman nuk janë as të lumtur dhe as të dëshpëruar, janë të hipnotizuar nga mungesa e një shenje e cila siguron lirinë. Qoftë edhe Skënderbeu, shtatorja e tij e ai i hipur mbi kalë, nuk ndihmon që ajo të ndjehet. Është demokracia e cila nënshtron në mënyrë të çtensionuar secilin qytetar dhe e sjell atë po aty ku ka qenë para luftës, para lirisë, Shëmtia sillet dhe rikthehet sikur dromcë paradigmatike e vullgaritetit të njeriut dhe epshit të tij të fëlliqur nga pritja.

Gjithë sa bën kjo shoqëri është pritja, edhe e lirisë së ardhur, edhe e demokracisë së ardhur, edhe e fundit të dhunës.

Kjo shoqëri ka vetëm një mënyrë jete dhe një gjendje jete: pritjen, dhe sidomos pritjen e asaj që nuk është apo asaj që nuk mund të vijë, dhe të asaj që nuk duhet të vijë, çfarëdo qoftë ajo.

Pritja është ajo që e mund personazhin narrator në romanin “Prishtina”, derisa ai i jepet çdo gjëje në rrugën e tij, apo thënë më saktë, i del matanë secilës prej tyre. Ai nuk dorëzohet, mirëpo në mosdorëzimin e tij ai mbetet me rrobat e veta dhe dy atentatet që bën me shprehjen e tij prej individi; derisa shoqëria – në pritjen e saj, apo thënë më saktë, në zbulimin e pritjes, si pritje kushdo për çka do, dhe çka do për këdo, – mund t’i bëjë ballë vetes së nënshtruar nga liria e asaj vetë./Gazeta Liberale

Më Shumë

Anulohen dy seanca në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III se në çështjen gjyqësore ndaj...

Moti sot me diell dhe vranësira

Mot për sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira. Gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në...

Zotërit e fjalës

Lajmet e Fundit