15.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

I dënuari Muja kërkon pasqyrë të dinjitetshme të Kosovës dhe Shqipërisë

MUja_27006Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja në takimin e Prevallës ku të enjten u diskutua për luftën e përbashkët të Kosovës e Shqipërisë kundër krimit, kërkoi paraqitje të dinjitetshme të këtyre shteteve.

Muja që është i dënuar me dy vjet burg me kusht në mars të vitit të kaluar nga një vendim i Gjykatës Themelore të Prizrenit për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, ishte pjesë e takimit të përbashkët Kosovë- Shqipëri me temën “Bashkëpunimi Ndërshtetëror në Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve Ndërkufitare”.

“Ta kemi në arenën ndërkombëtare një pasqyrë sa më të dinjitetshme të këtyre dy shteteve, në mënyrë që pa hezitim, edhe me kënaqësi e me meritë, të pranohen në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar të dy shtetet tona,” deklaroi Muja.

Muja edhe pse më i moshuari i pjesëmarrësve, ishte i vetmi nga folësit që u ngrit në këmbë gjatë fjalimit të tij.

Për këtë mori komplimente nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit Sylë Hoxha.

“Na korite neve,” i tha Sylë Hoxha Mujës.

Takimi ishte i organizuar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ndërsa udhëhiqej nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës.

Minxhozi përmendi mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive të zhvilluar para një viti në Prizren ku tha se është hartuar një plan strategjik bashkëpunimi, për të cilin deklaroi se do të diskutohet në muajin mars në Tiranë.

Sipas Minxhozit lufta kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar do të ndikojë edhe në rritjen ekonomike të dy shteteve.

“Një gjë është e sigurt që bashkëpunimi do të jetë më efikas më i gjerë dhe do të krijojë hapësira tepër të rëndësishme sidomos në fushën e bashkëpunimit në ekonomi,” tha Minxhozi.

Në takim ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit Sylë Hoxha tregoi se institucioni që drejton u kushton rëndësi të veçantë trajtimit të veprave penale të trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit me migrante dhe trafikimit me narkotikë.

“Në këtë drejtim vetëm gjatë vitit 2014, prokurori i shtetit ka trajtu lëndë që ndërlidhen me trafikimin me njerëz ndaj 152 personave të dyshuar, ndërsa lidhur me veprat penale të trafikimit me migrantë ka trajtuar lëndë me 186 persona të përfshirë në këto aktivitete kriminale,” tha Sylë Hoxha.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Shqipërisë Elena Gjebrea, e pranishme në takim tha se për luftën kundër krimeve që përmendi prokurori Hoxha ka shumë punë dhe nevojë për bashkëpunim ndërshtetëror.

Ajo përmendi një rast konkret të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri kundër krimit.

“Do të theksoja këtu operacionin i cili rezultoi me arrestimin e pesë shtetasve dhe në sekuestrimin e një numër të konsiderueshme të lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa,” tha Gjebrea.

Në takim ishte paraparë të merrnin pjesë edhe kryetarët e komunave kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë, por kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila nuk ishte e pranishme.

Fjalë falënderuese dhe gatishmëri për bashkëpunim patën edhe kryetari i Qarkut në Kukës, Safet Gici dhe kryetari i Bajramcurrit Agron Demushi.

Takimin për disa minuta e ndërpreu mungesa e energjisë elektrike.

Në fund, përfaqësuesit e të dyja shteteve shfrytëzuan rastin të kenë një kujtim nga ky takim njohës mes përfaqësuesve të organeve të drejtësisë dhe përfaqësuesve politikë të komunave kufitare./kallxo.com/

Më Shumë

Përurohen kabinetet e shkencave të gjimnazit “Gjon Buzuku” dhe shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren

Sot, u përuruan kabinetet e shkencave (Fizikë, Kimi, Biologji dhe Gjeografi) në SHFMU “Motrat Qiriazi” dhe gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, një bashkëfinancim mes...

Festivali “Prizren Rock and Blues Festival” rikthehet edhe këtë vit me emra shumë të njohur — mbahet më 4-5-6 korrik

Festivali “Prizren Rock and Blues Festival” po rikthehet në edicionin e dytë me emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare. Edicioni i këtij viti...

Lajmet e Fundit