14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Dëshirat e Gabriel García Márquez para vdekjes

Gabriel Garsia MarkezKjo pjesëz e vogël nga Gabriel Garcia Markez duhet të jetë, në mos është, nga të fundmet gjëra të tij të shkruara. Po e sjellim nën një përkthim të mrekullueshëm, ku filozofia e jetës jepet e thjeshtë dhe e qashtër për të gjithë…

Për shkak të përkeqësimit të shëndetit shkrimtari Gabriel Garsia Markez njoftoi tërheqjen e tij nga jeta publike në nëntor të 2013 me një letër ku tregon se ç’do të bënte, në qoftë se “do t’i dhuronin një copë jetë” përpara se të vdiste.

“Sikur Zoti për një çast do të harronte se jam një kukull prej lecke dhe do të më dhuronte një copë jetë, do ta shfrytëzoja atë kohë sa më mirë që të mundja. Ka të ngjarë që të mos i thosha dot të gjitha ato që mendoj, por në fund të fundit do ti mendoja të gjitha ato që them.

Do tu jepja vlerë gjërave, jo për çka ato vlejnë, po për çka shprehin.
Do të flija më pak e do të ëndërroja më shumë, duke kuptuar se për çdo minutë që mbyllim sytë, humbasim gjashtëdhjetë sekonda dritë.
Do të ecja kur të tjerët rrinë, do të zgjohesha kur të tjerët flenë.

Nëse Zoti do të më jepte një copë jetë, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha përmbys në diell, duke e lënë të zbuluar jo vetëm trupin tim por edhe shpirtin tim.

Do tu provoja njerëzve se sa gabim e kanë kur mendojnë se duhet të pushojnë së dashuruari kur plaken, sepse nuk e dinë që plaken nëse pushojnë së dashuruari.

Fëmijës do ti jepja krahë, por do ta lija që ai vetë të mësonte të fluturonte.
Pleqve do tu mësoja se vdekja nuk vjen me pleqërinë, por me harresën.
Sa gjëra kam mësuar prej jush, o njerëz… Kam mësuar se e të gjithë duan të jetojnë në majë të malit, pa ditur se lumturia e vërtetë është se si ta ngjisësh shpatin.

Kam mësuar se kur një i sapolindur, me grushtin e tij të vogël, shtrëngon për herë të parë gishtin e babait të tij, ai e ka rrokur atë përgjithmonë.
Kam mësuar se një njeri ka të drejtë ta shikojë tjetrin nga lart-poshtë vetëm kur duhet ta ndihmojë për ta ngritur.
Sa shumë gjëra kam mësuar prej jush, por në të vërtetë nuk do të më shërbejnë dhe aq shumë, sepse kur të më fusni brenda kësaj arke, do të kem vdekur pa qenë i lumtur.

Përpiqu të thuash atë që ndien dhe të bësh gjithmonë atë që mendon në thellësitë e zemrës tënde.

Po ta dija se sot do të ishte hera e fundit që të shikoj duke fjetur, do të të përqafoja fort dhe do ti lutesha Zotit që të isha roja i shpirtit tënd.
Po ta dija se këto janë minutat e fundit që të shikoj, do të të thosha “Të Dua” pa e menduar, si budallai, që ti këtë gjë e di.

Përherë ka një të nesërme dhe jeta përherë na jep një mundësi tjetër për ti bërë gjërat mirë, por nëse gabohem dhe na ka ngelur vetëm e sotmja, do të doja të të thosha se të dua shumë dhe se kurrë nuk do të të harroj.
E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, as për të rinjtë e as për të vjetrit. Sot mund të jetë hera e fundit që i shikon ata që i do. Prandaj mos prit më, bëje sot, se kushedi e nesërmja mund të mos vijë kurrë, dhe me siguri do të të vijë aq keq që nuk pate kohë për tu dhënë atyre një buzëqeshje, një përqafim, një puthje apo një dëshirë të fundit.

Mbaji pranë vetes ata që i do, thuaju në vesh sa shumë të nevojiten, duaji dhe trajtoji mirë, mos e humb kohën për tu thënë: “më vjen keq”, “më fal”, “të lutem”, “të faleminderit” dhe tërë fjalët e dashurisë që di.

Askush nuk do të të kujtojë për mendimet e tua fisnike që i ke mbajtur fshehur. Kërkoi Zotit forcë dhe mençuri për ti shprehur ato.
Së fundi, tregoju miqve dhe njerëzve të tu të dashur se sa të nevojiten.
Përktheu nga spanjishtja: Bajram Karabolli

Më Shumë

Kolona 200 metra e pritje deri në 40 minuta, gjendja nëpër pikëkalimet kufitare

Qendra Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka treguar gjendjen nëpër pikëkalimet kufitare, këtë mëngjes. Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë në...

Adriano Galliani martohet serish në moshën 80-vjeçare

Në moshën 80-vjeçare, senatori i Forza Italia, Adriano Galliani do të martohet me të dashurën e tij prej kohësh, Helga Costa. Kjo është martesa...

Moti sot me diell

Lajmet e Fundit