Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, është mbajtur seanca gjyqësore për kompensim të demit, të shkaktuar nga sulmi i qenve, në kontestin ku Mejdan Osmani ka paditur Beshir Dautin.
Në seancën e së mërkurës, ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, vet paditësi Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paditësi Osmani ka thënë se është sulmuar nga qentë e të paditurit, ku ka pësuar edhe lëndime trupore, të konstatuara edhe në spital si dhe kur ka ndodhur rasti, nuk është vizituar nga të paditurit si dhe as nuk është kompensuar nga askush.
“Kanë qenë katër qen të cilët me kanë sulmuar, në këmbë, rasti ka ndodhur në afërsi të varrezave të fshatit Mlik. Unë jam nisur për Dragash, qentë kanë qenë përtej lumit dhe me kanë pa dhe me kanë sulmuar. Qentë kanë qenë së bashku me delet përtej lumit, me kanë sulmuar dhe me kanë rrëzuar për toke, unë kam kërkuar ndihmë dhe më kanë ndihmuar dy persona, ata kanë qenë me automjet dhe më kanë ndihmuar. Unë nuk jam takuar me pronarët e qenve, as atë ditë e as me vonë, sot po i shoh për herë të parë këtu në gjykatë”, ka deklaruar nder të tjera paditësi Mejdan Osmani.
I pyetur nga përfaqësuesi i të paditurit, avokati Arlind Rifaj se a i ka ofruar djali i këtu të paditurit Bertan Dauti, shumën prej 500 euro, në emër të kompensimit, paditësi e ka mohuar një gjë të tillë.
Deklaratën e tij lidhur me rastin, e ka dhënë edhe i padituri Beshir Dauti, i cili ka deklaruar se ditën e nesërme, pasi që ka ndodhur incidenti, ai e ka dërguar djalin e tij së bashku me Sabit dhe Adnan Xhafqen, për ta vizituar paditësin dhe ja ka dhënë në emër të kompensimit shumën prej 500 euro.
I padituri gjithashtu ka pohuar se ka dhjetë qenë, të cilët ja ruajnë bagëtitë nga kafshët e egra, mirëpo nuk e di se si e ka ndodhur ky rast, pasi që asnjëherë nuk ka ndodhur që qentë e tij t’i sulmojnë njerëzit.
Përfaqësuesi i paditësit, avokati Mejdin Selmani, i ka dorëzuar gjykatës një shkresë, në të cilën janë mbledhur nënshkrimet e fshatareve të fshatit Dikanc, si dëshmi që qentë e Beshir Dautit, janë të prirë të sulmojnë qytetarët dhe se bariu nuk ju kushton atyre kujdesin dhe vëmendjen e duhur.
Mirëpo, këtë provë e ka kundërshtuar përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Rifaj, i cili ka thënë se kjo është çështje tjetër dhe nuk është objekt kontesti.
Avokati Arlind Rifaj, gjithashtu i ka propozuar gjykatës që ta dërgojë paditësin për ekzaminim psikiatrik, krejt kjo, sipas tij, për shkak të kundërthënieve dhe konfuzitetit gjatë dhënies së deklaratës, nga ana e tij.
Ketë gjë e ka kundërshtuar përfaqësuesi i paditësit, avokati Selmani, ndërsa e ka refuzuar si të pa bazuar gjyqtarja e çështjes Sabaheta Kurteshi.
Gjyqtarja Kurteshi, këtë seancë e ka shtyrë për kohë të pa caktuar, me saktësisht deri në përmirësimin e situatës, të shkaktuar nga virusi covid-19.
Përndryshe, sipas padisë së ushtruar me datën 4 prill 2018, Mejdan Osmani nga fshati Mlik, e komunës së Dragashit, ka paditur Beshir Dautit, për kompensim të dëmit, pas sulmit që ka pësuar nga qentë e këtij të fundit.
Në padi, Osmani pretendon se me datën 9 mars 2018. aty rreth orës 11:40 është kafshuar nga qentë, të cilët janë në pronësi të te paditurit Beshir Dauti, ku edhe ka marrë lëndime të lehta trupore.
Paditësi Osmani, ka deklaruar se është sulmuar nga qentë e të paditurit, derisa ishte duke ecur në këmbë nga fshati Mlik, në drejtim të Dragashit.
Ai ka pohuar se për këto lëndime të shkaktuara nga kafshimi i qenve, ka provë edhe raportin mjekësor, të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dragash.
Mejdan Osmani, kërkon nga gjykatat që në emër të kompensimit të dëmit jo material, ta detyrojë të paditurin, t’ ja paguaj shumen prej 5000 eurosh. /BetimipërDrejtësi