17.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Dritëro Agollit iu dorëzua Çmimi “Teuta”

DriteroAgolli me cigareNjë atmosferë e ngrohtë në frymë miqësorë ishte ajo çfarë e karakterizoi ceremoninë e thjeshtë në të cilën Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, e themeluar nga shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi ia dorëzoi Çmimin për vepër jetësore “Teuta”, Dritëro Agollit, me motivacion: “Njëri ndër shkrimtarët më të spikatur, i cili u bë sinonim i vlerave të qëndrueshme krijuese dhe emblemë e kohës, si dhe personaliteti i sotëm më popullor i kumtit të letrave shqipe”.

Çmimi “Teuta” Agollit ishte e paraparë t’i dorëzohej më 28 gusht 2014, në ditën e dytë të manifestimit rajonal të shkrimtarëve për Kosovë, Shqipëri dhe Mal i Zi, në Risan të Kotorrit, nga doajeni i letërsisë malazeze, Jevrem Bërkoviq, fitues i parë i Çmimit “Teuta” në vitin e kaluar, në Kosovë.

Mirëpo, për shkak të pamundësisë së udhëtimit të Agollit në Risan apo të Jevremit në Tiranë, Çmimin në emër të shoqatës ia dorëzoi shkrimtari i mirënjohur nga Kosova, Ibrahim Kadriu, së bashku me mesazhin e Bërkoviqit: “Me keqardhje për mospjesëmarrje, por me sinqeritetin dhe përkushtimin më të madh ndaj mikut të ditëve më të vështira: Dritëro Agollit!”

Ndjehem jashtëzakonisht i privilegjuar që kam rastin të dorëzoj këtë Çmim, me gjithë keqardhjen që Bërkoviq për arsye objektive nuk mundi të ishte me ne në këtë akt solemn, tha fillimisht Kadriu.
Bërkoviq, që është emër numër një në letërsinë malazeze, përkundër deklaratës së tij publike në Risan se “Unë vetë do t’ia dorëzojë Çmimin Teuta mikut tim”, shëndeti nuk ia lejoi udhëtimin dhe në mungesë të tij unë kam këtë privilegj që në emër të Shoqatës sonë, e cila kësaj radhe Çmimin Tueta nga Mali i Zi ta bart në Kosovë”, tha me këtë rast Ibrahim Kadriu, i cili pas evokimit të kujtimeve me Agollin pas dorëzimit të Çmimit, ia dhuroi atij edhe disa libra të tij, ku ishte e përfshirë apo e përkthyer poezia e Agollit.

Me këtë rast, zonja Sadie, bashkëshortja e tij fisnike, e cila i qëndroi dhe4 vazhdon t’i qëndrojë përkrah ditë e natë në rrugëtimin e tij të gjatë dhe jo të lehtë në letërsi, prezantoi para anëtarëve të “Teutës” librin më të fundit në dorëshkrim “Prit dhe pak…”, nga i cili shkrimtarja dhe skenaristja e mirënjohur Natasha Lako, lexoi poezinë e Dritëroit “E dashur Sadije”, kushtuar bashkëshortes së tij. Zonja Natasha, bashkëthemeluese e Shoqatës, po ashtu evokoi kujtime të së kaluarës me Dritëroin duke i cilësuar ato ndër ditët më të bukura të jetës.

“Faleminderit në radhë të parë jurisë që më dha këtë Çmim dhe e mora të bartur nga dora e atij që e ka marrë para meje, Jevrem Bërkoviqit, të cilin e kisha mik të vjetër dhe që iu kundërvu Serbisë për shkak të pengimit të lëvizjes së lirë të shkrimtarëve dhe ngritjes së zërit në mbrojtje të shqiptarëve, prandaj ata e përndoqën”, falënderoi Agolli Shoqatën “Teuta”, duke vazhduar bisedën e tij të lirë, të këndshme dhe të përshkuar me një humor të hollë, si ato se:

“Kam mbetur si ka në brinjë. Ndonjëherë tundem e lëkundem, por më duket si një valle, se jam bërë një”, apo “Edhe pleqtë kanë qejf të marrin çmime dhe gëzohen siç gëzohen fëmijët për lodra. Vetëm se pleqve iu shkurtohen gjunjët por iu zgjatet gjuha!”

Dritëroi ngriti zërin edhe për ndeshjen e Kombëtares, duke thënë se “Serbët nuk deshën tifozë shqiptarë, mirëpo doli vetë ajo që ngriti flamurin në Vlorë: Ismail Qemali bashkë me Isa Boletinin ishin tifozët me të mëdhenj edhe iu thanë atyre që: Pritni! Por, ata u treguan pa kulturë dhe jo të mençur, sepse futbolli ka një karakter tjetër: t’i bashkojë njerëzit në paqe. Por, disa popuj në Ballkan nuk heqin dorë nga nacionalizmi që kalon në shovinizëm. Letërsia i afron njerëzit sikurse futbolli, sepse edhe ajo ka tifozët e vet, por ata e mbajnë veten, ndonëse rrihen me fjalë!”

I pranishëm ishte dhe skulptori Veli Blakçori nga Prishtina, i cili sapo ia kishte punuar një skulpturë Dritëroit, se, siç tha, “në figurën e Dritëroit ka aspekte të shumta për të gjetur, por unë këtë aspekt do ta çoj tutje, meqë e ndiej se kam edhe shumë për te zbuluar te ai”. Ndërsa, Librat e botuar dhe një CD me poezitë e lexuara nga vetë Dritëroi, ishte dhurata më e bukur me të cilën mund të largoheshin nga rezidenca e njërit ndër penave më të spikatura të letërsisë shqipe, Dritëro Agollit.

Manifestimi “Muzat e Alpeve 2014”,në kuadër të të cilit ndahet edhe çmimi i përvitshëm për vepër jetësore “Teuta”, sivjet është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës, Ministria për Integrime Evropian e Malit të Zi, Komuna e Prishtinës, Komuna e Pejës dhe Komuna e Kotorrit. Ndërsa, vitin e ardhshëm, Çmimi Teuta nga Shqipëria do të bartet tek një shkrimtar tjetër i mirënjohur nga Kosova.

Më Shumë

Totaj: Ndërtimi i shtegut drejt Kalasë ruan trashëgiminë kulturore dhe rrit zhvillimin turistik të Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, bëri të ditur se vazhdojnë punimet në ndërtimin e shtegut të ri, me gurë, që shpie për në Kalanë...

Ish- kandidati për kryetar të Suharekës nga PDK-ja aderon te Nisma

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar aderimin më të ri në parti, doktor Murtez Zekolli. Në një konferencë për media të mërkurën, Limaj...

Lajmet e Fundit