14.3 C
Prizren
E shtunë, 18 Prill, 2026

Eja në Prizren

Hatixhe ÇOLLAKU ADEMAJ

Me lakore të përdredhura, mu si harqe lakuar xhublete, vija peizazhi malesh si kurorë mbi kokë m’i ke. Damarëve të shtatit tand, Lumbardhi me degë çdo gjallese shpirt u jep.

Krojeve buron harlisur eliksir i shpirtit të etur, që atë veç sa e shton. Vë buzët krojeve tua dhe, si në ëndërr, hapen para meje preritë fushë gjera e lule plot. Janë tulipanët, zambakët, vjollcat, aguliçet, narcisët, thundërmushkat, gentianat që, brezave klimatike shtrihen pambarim, me aromë e bukuri që frymën ta ndal.

Bukur e me dizajn, malësoret derdhin talentin qëndismave, shtatit veshur, e në fytyrën prej dielli shkëlqimi marramendës aurën e shpirtit reflekton.

Kalaja zemrën nga brenda ta rrëmben, e si aortë, lumi me urat mbi të, si fije neuronesh gërshetuar, lidh fort kujtesën kombëtare, Besën e Burrave që në Sheshin e Lidhjes burrërojnë.

Në xhamitë, kishat e teqetë, anë e kënd qytetit, buzët psherëtijnë lutje e urata, të Madhin Zot për ta lartësuar, e nga kupolat e tyre mistershëm lutjet marrin udhë…

Anës rrugëve, dyqanet plot e përplot me rroba të punuara me gajtana presin me padurim të dashuruarit, veç për t’u nusëruar…

Aty-këtu, ende artizanët me fanatizëm ruajnë zanatet e rralla, të mos zhduken. Diku filigranë, diku veshje kombëtare e plisa, a ndonjë saraç mishpunues, lëkurëpunues, kovaç – metalpunues, këpucar… Veshjet kombëtare të Malësisë së Sharrit, Vërrinit, Hasit-Pashtrikut, Anadrinisë… Zot, sa art në ngjyra e forma qëndisjeje: veku, gjilpëreja, grepi, shtiza, drugëzja e ku ta dijë njeriu!

Mileniume, shekuj, jetë në art shndërruar…

Verë Rahoveci, ajvar Krushe, bukë e byrek Hasi, ëmbëlsira Dragashi, pastërma Bushe, peshq Drini, trofta burimi, djathë Sharri, pogaçe furre prushi, qengja, pula e vezë fshati, reçel fiku e ftoi, pekmez rrushi, rasoj lakre, hoçe… e çfarë të të dojë shpirti, në sofra do t’i gjesh. Aty ke: bukë, kripë e zemër.

Eja në Prizren! Eja në kryeqytetin shpirtëror të çdo shqiptari! Eja në qytetin e dasmave, ku e reja me copëzat e të vjetrës thuret! Në qytetin e ahengjeve, në qytetin e Besës e Burrërisë!

Më Shumë

Ndërron jetë nëna e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj

Ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare nëna e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Totaj përmes një...

Bylbyl Sokoli rikthehet në krye të Malishevës

FC Malisheva ka zyrtarizuar rikthimin e trajnerit të njohur, Bylbyl Sokoli, në postin e kryetrajnerit për pjesën e mbetur të sezonit. Klubi njoftoi se marrëveshja...

Lajmet e Fundit