Studentët kosovarë, qoftë ata të universiteteve publike, qoftë ata të universiteteve private, tash e sa javë janë “bombarduar” me “ligjërata” nga politikanë të ndryshëm.
Ministri në largim i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj është më aktivi në këtë drejtim. Hoxhaj brenda pak ditësh i ka vizituar disa universitete që të flas për programin e PDK-së për zgjedhjet e ardhshme.
Kryediplomati kosovar para pak ditësh një ligjëratë e ka mbajtur në Universitetin Prizrenit “Ukshin Hoti”, në atë të Pejës “Haxhi Zeka”, si dhe në kolegjin Universitar “Universum”.
Burime të Gazetës Blic brenda Universitetit të Prizrenit kanë bërë të ditur se ditën kur në këtë universitet ka qenë për të ligjëruar ministri në largim, Enver Hoxhaj ka qenë shumë e vështirë që të mbushej salla.
“Është dashur që t’i lusim studentët që të vijnë e të na e mbushin sallën, për shkak se nuk kanë qenë të inetersuar për ligjëratë të tij”, ka thënë ky burim.
Duarkryq nuk ka qëndruar as kryeministri i Kosoëvs, Hashim Thaci dhe Besim Beqaj. Ata të enjten para studentëve të kolegjit universitar “UBT” kanë shpalosur programin e tyre politik, “Fondi i Punësimit”.
Edhe Kadri Veseli mbanë ligjëratë
Një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prizrenit para pak ditësh e ka mbajtur edhe zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës duket se janë shumë më aktiv tek komuniteti i studentëve sesa drejtuesit e partive tjera.
Megjithatë, edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ai i AAK-së si dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur ligjërata para studentëve.
Menaxhmentet e universiteteve po e keqpërdorin pozitën
Për njohësit e fushës së arsimit, partitë kanë të drejtë që të bëjnë fushatë edhe nëpër universitete por jo ta pengojnë procesin mësimor.
Njohësi i fushës së arsimit, Dukagjin Popovci i ka thënë Gazetës Blic se “studentët universitarë janë të moshës madhore dhe është normale të kenë përcaktime politike, si dhe t’i shprehin ato”.
“Në parim, nuk ka gjë të keqe nëse në universitetet publike organizohen aktivitete të fushatës politike, në formë të debateve ose edhe prezantimit të programeve të partive politike, por kjo duhet të bëhet nga vet studentët dhe në kohën kur nuk pengohet procesi mësimor dhe puna normale e universitetit:, ka thënë Pupuvci.
Megjithatë, sipas tij, është e palejueshme që menaxhmenti i një universiteti publik, të ndërmjetësojë në organizimin e aktiviteteve të fushatës, duke e ndërprerë mësimin dhe duke i mobilizuar studentët dhe mësimdhënësit që të marrin pjesë në aktivitete të tilla.
“Këto sjelle, jo vetëm që nuk janë të dinjitetshme për njerëz akademikë, por paraqesin keqpërdorim të parasë publike, sepse ata paguhen për të siguruar mirëvajtjen e punës në universitet, e jo për ta mbështetur këtë ose atë subjekt politik”, tha Pupovci.