17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Fillon rigjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizren, Ilir Baldedaj

Të enjten, në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka filluar rigjykimi ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizren, Ilir Baldedaj,  i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.  

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashii akuzuari Baldedaj deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklarimit të tij, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse, ku prokurorja Gashi deklaroi se nga provat e administruara në aktakuzë dhe nga dëshmia e dëshmitarëve të propozuar si dhe nga dëshmitë e tjera do të vërtetohet se i akuzuari Baldedaj ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare ku edhe i ka shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit.

Fjalën hyrëse të prokurores Gashi e ka mbështetur përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit, ai tha se do të parashtroj kërkesë pasurore juridike.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Baldedaj, avokat Engjëll Rexhepi në fjalën hyrëse të tij ka deklaruar se Prokuroria në aktakuzën e saj nuk ka arritur të dëshmoj kohën e saktë kur është kryer vepra penale, konkretisht me cilin veprim dhe cilën datë është kryer vepra penale.

Ai shtoi se Prokuroria ka dështuar që t’i përcaktoj saktë rrethanat dhe faktet e figurës penale dhe se po ashtu nuk përcaktohet se kush dhe çka saktësisht ka përfituar dhe se në aktakuzë nuk arrihet që të vërtetohet dashja direkte e të akuzuarit.

Pas fjalës hyrëse, seanca ka vazhduar me procedurën e provave, ku si dëshmitar është dëgjuar Durak Thaqi.

Dëshmitari Thaqi ka thënë se i akuzuari Baldedaj e kishte caktuar si zyrtar për pranimin e arkivës elektronike ku edhe kanë pasur trajnim për përdorimin e pajisjeve të kësaj arkive.

Dëshmitari Thaqi deklaroi se para vitit 2020, ata nuk kishin futur të dhëna në këtë arkivë, por se gjatë pranimit të pajisjeve kishte pranuar faturë e cila ishte në vlerë prej 22 mijë euro.

Lidhur me këto pajisje, ai tha se kishin qenë funksionale dhe në gjendje të rregullt, por tha se nuk e dinte nëse të njëjtat ishin dorëzuar konform kontratës.

Pas kësaj, seanca është ndërprerë kurse e radhës u caktua më 14 dhe 15 shtator 2021, në ora 10:00 ku pritet të dëgjohen dëshmitarët Osman Hajdari, Adnan Kurejsi, Sadik Tahiri dhe Selim Lulaj si dhe Bashkim Selmani.

Ndryshe, më 15 janar 2021, Ilir Baldedaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 10 muajsh si dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo shërbim publik në afat prej 3 vitesh, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 gusht 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Ilir Baldedaj po akuzohet se që nga 13 maji 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar-Drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare, laptop dhe çanta për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët por që me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për Menaxhimin e Pasurisë jo Financiare në Organizata Buxhetore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për tre laptop të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Lajmet e Fundit