11.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Folklori në epokën e digjitalizimit

timthumbNë kuadër të “Javës së Albanologjisë” e cila është duke u mbajtur këto ditë në kryeqytet është mbajtur sesioni i katërt me seancën e parë të folklorit. “Folklori dhe teknologjia e komunikimit: Raporte pranuese e kundërshtuese” qe tema që mblodhi albanologët nga vendi dhe rajoni. Gjatë këtij sesioni, të drejtuar nga Leontina Gega-Musa, Izaim Murtezani dhe Miaser Dibra, u debatua mbi atë se sa ka ndikuar digjitalizimi në folklor dhe sa po ndikon interneti në këtë.

Në lidhje me këtë Leontina Gega-Musa ka folur rreth formave të reja të komunikimit të folklorit.“Koncepti mbi folklorin dhe folkloristikën shqiptare është definuar si kulturë popullore, krijimtari artistike e pastër burimore, të cilën e ka krijuar populli. Studimet bashkëkohore nga fusha e kulturës tradicionale, janë orientuar kryesisht nga afirmimi dhe potencimi i identitetit të mikro-kulturave lokale në kontekstin e ndryshueshmërisë së kulturave dhe komunikimit inter-kulturor”, ka thënë Gega-Musa, e cila më pas ka shtuar se me zhvillimin e teknologjisë është mundësuar edhe qasja më e madhe dhe këmbimi i ideve dhe përvojave mbi kulturën tradicionale.

Në anën tjetër Muharrem Jakupi ka folur rreth folklorit të krahinës së Çamërisë. “Folklori e ka më të theksuar karakterin krahinor. Disa prej motiveve lirike dhe temave të epikës historike ose disa struktura universale të baladave apo këngëve kreshnike nuk njihen si gjithëkombëtare, por pjesa më e madhe e folklorit ka më tepër të theksuar karakterin krahinor sesa karakterin mbarëkombëtar”, ka thënë Jakupi.

Edlira Birko, e cila me profesion është gazetare në Televizionin Publik Shqiptar, ka folur rreth folklorit në këtë televizion duke theksuar se TVSH-ja është akoma në rrugën e digjitalizimit. “Televizioni Publik ka operuar me fondin e vet të arkivit ku ka ruajtur një pasuri jo të vogël të folklorit shqiptar. Sot në një periudhë globale në të cilën ndodhemi kur ne kemi mundësi që të shohim vlerat kombëtare që përfaqësojnë identitetin e tyre, ne jemi shumë mbrapa me këtë”, ka potencuar Birko.

Me kumtesa rreth temës “Folklori dhe teknologjia e komunikimit: raporte pranuese e kundërshtuese”, me kumtesa janë paraqitur edhe shkrimtari e studiuesi Kujtim Rrahmani, me temën “Transcendenca e Autorësisë:A bëhet Zëri Autor?”, Arbnora Dushi me temën “Folklori, ndërmjet mbijetesës dhe transformimit, Miaser Dibra, Izaim Murtezani, Zeqirja Neziri, Olimbi Veliaj, Hamit Xhaferi”.

Gjatë mbajtjes së këtij sesioni në të njëjtën kohë është zhvilluar edhe sesioni i tretë në gjuhësi me temën “Shqipja e sotme në hapësirat mbarëshqipfolëse gjendja dhe perspektivat”. Dita e tretë, e cila edhe do të mbyllë “Javën e Albanologjisë” do t’i kushtohet sesionit të historisë.

Më Shumë

QKUK në krizë/ I ka vetëm 49 anesteziologë, i nevojiten 118

Qendra Klinika Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me numër të vogël të anesteziologëve. Edhe pse në tre muajt e parë nuk ka pasur ikje...

Kurti për Asociacionin: Nuk bëj hapa që rrezikojnë Kosovën|

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë në "Lajmet e fundit" tha se Kosova e ka një shancë të jashtëzakonshme për anëtarësim në...

Lajmet e Fundit