14.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Gjendja në Qendrën Historike të Prizrenit më e rëndë se sa përshkruhet në Raportin e Progresit

Gjendja në Qendrën Historike të Prizrenit gjatë vitit që po e lëmë pas nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të ndjeshëm. Madje zhvillimet në këtë zonë janë më problematike sesa që përshkruhen në Raportin e sivjetmë të Komisionit Evropian për Kosovën.

Raporti i Komisionit Evropian ka konstatuar se ka progres në zbatimin e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ndërkohë që si argument jepet vetëm ofrimi i pajisjeve dhe hapësirave për Këshillin e Trashëgimisë Kulturore, derisa në vazhdim theksohet se mjetet për këtë trup nuk janë dhënë ende.

Mirëpo zhvillimet në terren gjatë këtij viti kanë treguar një pasqyrë tjetër, sa i përket Qendrës Historike dhe Këshillit në fjalë. Raporti i Progresit askund nuk e përmend dorëheqjen e tashmë ish-kryetarit të Këshillit, apo letrën e tij, që është informatë e dorës së parë se ligji në fjalë nuk po zbatohet dhe se ka plotë defekte tjera në sistemin institucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, me ç’rast kulturën e pandëshkueshmërisë e konfirmojnë edhe statistikat e viteve të fundit të organeve të drejtësisë.

Përtej zyrtarëve evropianë, letra e ish-kryetarit të Këshillit është dashur që të alarmojë vet institucionet vendore. Këto të fundit, e veçmas pushteti lokal i Prizrenit, në vend se të reflektojë mbi këto zhvillime, ka ndërmarrë hapa tjerë degradues në raport me përbërjen e Këshillit, duke e zgjedhur si anëtar një person të dënuar për mashtrim në votime, ani pse ai ka qenë i katërti në listën e kandidatëve të vlerësuar. Pos kësaj, paraprakisht ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Udhëzimit Administrativ për caktimin e Komisionit ad-hoc për shqyrtimin e vlerësimin e aplikacioneve të kandidatëve për KTK, duke e përjashtuar shoqërinë civile tërësisht nga procesi.

Megjithëkëtë, Raporti i KE-së thekson nevojën për zbatimin dhe fuqizimin e legjislacionit për të adresuar zhvillimet negative në raport me trashëgiminë kulturore.

“Incidentet e rrënimeve të trashëgimisë kulturore kanë vazhduar. Task Forca e krijuar në vitin e kaluar që duhet të merret me ndërtimet e jashtëligjshme në Prizren, është funksionalizuar, por deri më tani nuk ka ofruar ndonjë veprim konkret. Duhen më shumë përpjekje për të hetuar shkeljet dhe për të dënuar kryesit. Nevojiten rezultate konkrete në luftimin e ndërtimeve ilegale, rrënimeve dhe zhvillimeve të dëmshme për të demonstruar përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, thuhet në Raport.

EC Ma Ndryshe konsideron se institucionet që kanë përgjegjësi ligjore e kushtetuese për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet të ndryshojnë qasjen e deritanishme dhe të vihen në mbrojtje të sinqertë të Qendrës së Prizrenit, me qëllim që me një menaxhimin të mirëfilltë të kësaj zone, e njëjta të vihet në funksion të zhvillimit të përgjithshëm kulturor, shoqëror dhe ekonomik të qytetit, por dhe komunave të rajonit.

Më Shumë

Paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, Nagavci kërkon maturi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga SBAShK-u të jenë të matur në deklarimet e tyre për protestë...

Luizi dhe Kiara na prezantojnë me të bijën, Luna Mari Ejlli

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito një ditë më parë u bënë prindër për herë të parë. Ashtu siç e paralajmëruan dje, çifti sot doli...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit