4.8 C
Prizren
E premte, 1 Nëntor, 2024

Gjykata e Apelit për të dytën herë shqyrton lëndën ndaj Ramadan Mujës

Gjykata e Apelit, të mërkurën, ka mbajtur për të dytën herë seancë të kolegjit, për shqyrtimin e rastit ndaj Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, drejtorit të Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paqarizit dhe drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj. Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare janë të përfshirë edhe Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri, zyrtarë të Komunës së Prizrenit. Megjithatë ndaj këtij të fundit pushoi procedura, pasi për të njëjtin u konstatua se ka ndërruar jetë.

Gjatë kësaj seance, nga kolegji i kryesuar nga gjykatësja Tonka Berishaj,  u lexuan të gjitha ankesat e parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve. Nga leximi i të gjitha ankesave, u konstatua se të njëjtat konsistonin në shkelje esenciale të dispozitave dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Sipas ankesave të parashtruara nga avokatët, arsyetimi për ta dëshmuar dashjen dhe për të përfituar materialisht apo për t’i shkaktuar dëm dikujt tjetër, është i paqartë.

Sipas ankesave të mbrojtjes, gjykata ka gabuar në caktimin e përgjegjësisë penale në aktakuzë, andaj avokatët kishin propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, prokuroria kishte qenë e mendimit se dispozitivi i aktgjykimit paraqet një përshkrim të qartë dhe të plotë të fakteve vendimtare. Sipas prokurorisë, nuk ka mospërputhje në mes të deklarimit të fakteve dhe përmbajtjes së aktgjykimit, prandaj prokuroria ka propozuar që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.

Prokurorja Ewa Korpi, gjatë seancës së mbajtur në Gjykatën e Apelit, deklaroi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, ka poseduar elementet e nevojshme siç parashihen me ligj. “Dëshiroj të them që nëse ky panel i Gjykatës së Apelit, nuk pajtohet me vendimin tonë dhe vendos që përsëri ta kthej lëndën në rigjykim, atëherë Gjykata e Apelit duhet në këtë kontest t’i referohet aktvendimit të Gjykatës Supreme. Kolegji duhet të vendos arsyet, pse nuk është e mundshme të vazhdohet siç është e përcaktuar me dispozitat ligjore”, tha prokurorja Korpi.

Deklarata e prokurores u mbështet edhe nga palët e dëmtuara, përkatësisht përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKP) dhe Agjencisë Kosovare të Pylltarisë “Sharri”.

Ndërkaq, për palën tjetër të dëmtuar, Komunën së Prizrenit, u konstatua se nuk ka parashtruar kërkesë pasurore juridike.

Më tutje, ky proces u vazhdua me fjalën e përfaqësuesit të të akuzuarit Muja, avokatit Tomë Gashi. Ky i fundit tha se ky rast i kësaj seance është jashtëzakonisht unik dhe shumë i dyshimtë sa i përket sigurisë juridike. Sipas Gashit, vendimi i Gjykatës Supreme ka krijuar pasiguri jashtëzakonisht të madhe.

“Sot jemi këtu për të gjykuar rastin të cilin e kemi gjykuar një herë”, tha Gashi.

Gashi bëri të ditur se aktvendimi i Gjykatës së Apelit është bërë menjëherë i plotfuqishëm dhe nuk ka pasur formë të ligjshme se ky aktvendim të prishet dhe të kthehet në rigjykim. “Nuk ka kuptim të gjykohet një rast, i cili vetëm është gjykuar njëherë”, theksoi ai.

Sipas tij është e pazakonshme se si mund të gjykohet para këtij kolegji vendimi i plotfuqishëm i Gjykatës së Apelit, të cilin në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërprerë Gjykata Supreme.

Andaj, Gashi kërkoi nga gjykata që të nxirret një aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit Muja.

Ndërsa i akuzuari kryesor i këtij rasti, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja deklaroi se tash e disa vjet po akuzohet për një vepër humanizmi që ka bërë. “Nuk ka vepër penale por ka vepër humane, pasi që më këto nënshkrime të kontratave të cekura në aktakuzë, sot punojnë 110 punëtorë në fabrikë të çokollatës dhe 82 mësimdhënës punojnë në shkollën Gulistan”, tha Muja.  Sipas tij, qëllimi kishte qenë që të mos largohen investitorët, në mënyrë që të hapen vende të lira pune.

Ndërsa, Ademaj shtoi se nuk është marrë parasysh udhëzimi administrativ me të cilin punon kadastri. I njëjti deklaroi se ka vepruar dhe e ka regjistruar pronën në bazë të atij udhëzimi.

Edhe të akuzuarit Paqarizi dhe Tejeci kërkuan nga Gjykata që të lirohen nga përgjegjësia penale. Përderisa në këtë seancë mungoi Minir Krasniqi.

Krejt në fund, gjyqtarja e kolegjit Berishaj, bëri të ditur se vendimin e Gjykatës së Apelit do ta marrin përmes Gjykatës Themelore të shkallës së parë.

Maratona e gjykimit të rastit Ramadan Muja

Prokuroria në muajin shkurt të vitit 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, drejtorit të Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paqarizit dhe drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj. Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri, zyrtarë të Komunës së Prizrenit.

Kjo gjykatë, kishte dënuar të akuzuarit për trajtime të papërshtatshme të çështjeve pronësore. Muja dhe të tjerët ishin akuzuar nga prokuroria për shkak se pretendohej se kishin keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Më 13 mars të vitit 2014, Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues për Mujën. I njëjti  fundit ishte dënuar me 2 vite burgim, me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare. Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi alternativ i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Mirëpo, për shkak të shkeljeve esenciale në përshkrimin e aktgjykimit, Gjykata e Apelit, kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim, në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Në shtator të vitit 2015, Gjykata Themelore në Prizren, kishte marrë aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin aktvendim ishte anuluar aktgjykimi i shkallës së parë, dhe lënda ishte vendosur të kthehej në rigjykim në të njëjtën Gjykatë.

Më pas, prokurori i shtetit, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Gjykatës së Apelit. Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme, kishte pranuar ankesën dhe kishte marrë vendim që lënda të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rishqyrtim nga një kolegj i ri. Gjykata Supreme kishte pretenduar se ekzistojnë mospërputhje të vlerësimit në mes të Gjykatës së Apelit dhe Supremes./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell, temperatura deri në 19 gradë celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas këtij instituti, temperaturat...

Horoskopi sot: Dashuria, puna e paratë

Dashi Në punë, vonesat e vogla mund të sfidojnë durimin tuaj, por këmbëngulja do të shpërblehet. Gjestet e vogla në dashuri mund të sjellin gëzim....

Lajmet e Fundit