Përshkallëzohet kalbëzimi i sistemit të drejtësisë
Deputetët: Goditjet në drejtësi bëhen për të pamundësuar funksionalizimin e shtetit
“Lirisht mund të konstatojmë se Gjyqësori e ka luajtur rolin e shërbëtorit, ndaj grupeve të interesit, ndaj politikës dhe ndaj secilit aktivitet korruptiv që ka pasur të bëjë me qarkullime parash. Nuk ka më poshtërsi sesa të jesh i paguar për drejtësi dhe të shërbesh në kundërshtim të plotë me ligjin. Degradimi i Gjyqësorit ka ndikuar që qytetari i vendit të humbë çdo shpresë për një ditë më të mirë. Nuk ka asnjë mundësi të priten ndryshime pozitive në skenë kur Gjyqësori është i kalbur në korrupsion”, ka thënë analisti Leon Duhanaj
Kalbëzimi i sistemit të drejtësisë, fatkeqësisht, çdo ditë e më shumë po merr formë dhe po përshkallëzohet, në vend që të eliminonte elementet negative. Përplasja mes vete e njerëzve të drejtësisë, siç është rasti i kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka, dhe kryegjyqtarit të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, e vërteton më së miri këtë fakt. Të palarat që dy zyrtarët në fjalë i deklarojnë për njëri-tjetrin edhe njëherë shuajnë shpresat për përmirësim të sistemit të drejtësisë me këtë udhëheqje që ka sot. Kjo situatë në drejtësi natyrisht që favorizon kalbëzimin edhe të mekanizmave të tjerë shtetërorë, duke iu krijuar kështu atyre hapësirë për të shtrirë aktivitetin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Për pasojë, ende në Kosovë nuk ka ndonjë zyrtar të lartë të dënuar për krim të organizuar dhe korrupsion dhe ndonjë rast tek-tuk po kalon sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sipas deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, drejtësia e kalbëzuar është vështirë të rigjenerohet, kur kemi parasysh dhe udhëheqjen aktuale politike që ka Kosova.”Qeveria nuk është e gatshme për të dhënë kontributin e saj në këtë drejtim, sepse u shkon për shtati partive në pushtet, pasi i kanë njerëzit e tyre partiakë, njerëz të cilët nuk e lënë që të jetë Gjyqësori i pavarur dhe as Prokurorinë që të funksionojë drejt. Thjesht është interes i Qeverisë. Nga kjo situatë mund të dilet vetëm me zgjedhje të reja dhe qeveri tjetër, pa këto dy subjekte politike, të cilat e kanë dëshmuar veten se nuk janë të gatshëm që edhe 16 vjet pas luftës dhe tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë për të krijuar mirëqenie për qytetarët. Ne nuk kemi arsim cilësor, nuk kemi shëndetësi ashtu si është dashur të ishte, por çdo ditë e më shumë kemi probleme, kemi një mirëqenie që po shkon duke u zbehur çdo ditë, si dhe kemi një jetë më të varfër të qytetarëve në Kosovë”, është shprehur deputetja Haxhiu../kosova sot/