13.8 C
Prizren
E diel, 6 Tetor, 2024

Gratë në Kosovë, pa të drejta

grat malisheveMe gjitha kërkesat që gruaja të jetë e barabartë në shoqëri, në vendin tonë, ajo është e diskriminuar, pothuajse, në të gjitha sferat e shoqërisë.
Të drejtat e gruas, ende janë larg standardeve të dëshiruara – edhe pse ato janë te rregulluara me ligj.
Politikat e zgjerimit të BE-së, vënë një theks të fortë në mbrojtjen e të drejtave e njeriut.

Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, vlerësojnë se, edhe 15 vjet pas luftës, të drejtat e grave po shkelën, pothuajse, në të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga shkollimi, punësimi dhe e drejta në vendimarrje.

Ajo, përveç që është e diskriminuar, është edhe viktimë e dhunës familjare dhe e trafikimit.

BE thotë së dhuna në baze gjinore, është një sfidë shumë e madhe në Kosovë. Ata këshillojnë që duhet t’u sigurohet stabiliteti i tyre financiar për t`i fuqizuar gratë -viktima të trafikimit dhe dhunës në familje.

“Dhuna në familje dhe me bazë gjinore vazhdon të jetë një sfidë në Kosovë. Legjislacioni relevant duhet të zbatohet dhe monitorohet. Shërbimet për viktimat e dhunës familjare dhe trafikimit financohen pjesërisht nga Qeveria, por mbeten shumë të varura nga financimet e donatorëve. Riintegrimi afatgjatë i viktimave , duke përfshirë edhe stabilitetin e tyre ekonomik dhe qasje në drejtësi , duhet të sigurohet. Masat pozitive duhet të zbatohen për t’i fuqizuar gratë – viktima të trafikimit dhe dhunës në familje . Shkalla e lartë e braktisjes në mesin e vajzave dhe mospërfaqësimi i grave në tregun e punës, duke përfshirë edhe në sektorin publik, kërkojnë veprim konkret nga ana e autoriteteve”, thotë për Kosovapress, Fjolla Çeku, zyrtare për informim në Zyrën e BE-së në Kosovë.

Që Kosova është larg respektimit të të drejtave të gruas, këtë e thonë edhe zyrtarët e institucioneve vendore.

Sami Kurteshi, thotë për Kosovapress, se, madje, edhe kuota e përfaqësimit të gruas në jetën institucionale është dashur të rregullohet me ligj.
“ Sa i përket gruas, femrës në shoqërinë tonë, ne e kemi një problem që është edhe më i gjatë dhe janë bërë përpjekjet të ndryshme institucionale për arritjen e një shkalle të caktuar të barazisë, por ne jemi larg asaj shkalle. Edhe vet ligjet e krijuara dhe vet pragjet që janë caktuar me ligje për minimumin e pranisë së femrës në institucione, tregojnë edhe frikën e ligjvënësve nga mentaliteti shoqëror. Po të mos ishte ai prag, pjesëmarrja e femrës në jetën institucionale do të ishte më e vogël. Ne e dimë që barazia duhet të jetë bazuar në përqindje të popullsisë dhe ne jemi larg kësaj barazie. Kjo, pastaj, shpërfaqet edhe në fusha tjera të përditshme të jetës, dhuna ndaj grave”, ka thënë Kurteshi

Edhe, Begjet Shala,Drejtor Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu (KMDLNJ), ka thënë se shkelja e të drejtave të grave është bërë fenomen në vendin tonë.

Sipas tij, gruas i ndalohet e drejta edhe në arsim, punësim e më së shumti në vendimarrje. Gjithashtu, ai ka thënë se dhuna ndaj tyre, çdo vit e më shumë, është duke u rritur.

“ Pas përfundimit të luftës, tema e grave na troket në ndërgjegjen e neve meshkujve, të cilët konsiderohen si shkelës të këtyre të drejtave dhe nga një dukuri, e cila ka qenë e kufizuar është bërë një fenomen, që të drejtat e grave të shkelen, pothuajse, në të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga shkollimi, punësimi, pastaj gratë e shtypura tek vendimarrja. Gratë, kryesisht kryejnë ato punë, të cilat i kanë kryer tradicionalisht, qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi. Mirëpo, gratë në vendimarrje nuk janë të përfshira sa duhet. Është një dhunë fizike, e cila shtrohet ndaj gruas, e cila, fatkeqësisht, po tregon rritje saqë ka raste që ka arritur deri në fatalitet dhe shoqëria nuk ka qenë në gjendje t’i shpëtojë jetërat e tyre. Në përgjithësi, të drejtat e grave, sot, nuk respektohen aq sa flitet. Kushtetuta shumë mirë i rregullon këto çështje, mirëpo, zbatimi i saj është shumë i mangët dhe vende-vende është shpërfillës ndaj këtyre të drejtave”, ka thënë Shala për Kosovapress.

Ndërkaq, Flora Macula, nga Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, tregon se Kosova ka legjislacione e programe mjaft të mira për stimulimin dhe avancimin e të drejtave të grave. Por, prapë ato nuk janë të barabarta.

“Kur flasim për të drejtat e grave dhe të drejtat njerëzore, janë disa nivele. Niveli i parë është që të sigurohet legjislacioni, që ato të mbrohen me ligj dhe të formohet njëfarë kornize legjislacioni që të respektohen apo të kenë të drejta të barabarta. Mendoj që në këtë pjesë është punuar shumë mirë në Kosovë. Kemi legjislacion shumë të avancuar dhe shumë të mirë. Sa i përket respektit, pastaj vjen te funksionaliteti i institucioneve dhe, gjithashtu, edhe te programet e caktuara, ku ose stimulohen ose avancohen të drejtat e njeriut, që ka të bëjë më shumë me zbatimin e ligjeve ose programeve, të cilat janë ekzistuese. E këtu ka pak ngecje, ka një hendek. Duhet bërë shumë më shumë, se në gjitha fushat gratë janë më pak të avancuara dhe nuk janë të barabarta” tha ajo.

Macula thotë për Kosovapress, se institucionet tona nuk kanë punuar, pothuajse, asgjë në integrimin dhe stabilizimin e grave që janë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Por, ajo, tha se tani ka filluar të shqyrtohet një amendament që ato të përfshihen në ligj si kategori e viktimave të luftës.

Për gratë të cilat kanë qenë viktimë e dhunës së luftës, Kryetari i KMDLNJ-së, Begjet Shala thotë se ato kanë mbetur ende të pasistemuara dhe nuk kanë përkujdesje nga shoqëria.Ai tha se duhet të bëhen përpjekje, që këtij grupi të grave, t’u krijohet një bazë financiare dhe të integrohen në shoqëri.
Vetëm vitin e kaluar, në Polici, janë raportuar 869 raste të dhunës në familje, kryesisht ndaj grave.

Jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë vende tjera të botës, grave vazhdojnë t’u shkelen të drejtat e tyre, edhe pas 100 vejtëve, kur për herë të parë, nëpërmjet një proteste, shprehen pakënaqësinë për diskrimin gjinor. Në atë protestë, të organizuar në Kopenhagë të Danimarkës, gratë kërkuan të drejta të barabarta me burrat./kosovapress/

Më Shumë

Kryesuesja e Kuvendit, Bytyqi dhe drejtori Morina inspektuan rinovimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Hoçë e Qytetit

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit, Antigona Bytyqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adem Morina, kanë vizituar fshatin Hoçë...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se përfitoi rreth 100 mijë euro përmes mashtrimit

Një person është arrestuar të marten në Prizren. I njëjti dyshohet se ka përfituar jashtëligjshëm rreth 100 mijë euro. Rastin e ka konfirmuar edhe nga policia. “I...

Lajmet e Fundit