17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kabinet i madh qeverisës për Kosovën e vogël

QeveriaKosoves-NdertesaNjohësit e rrethanave politike kanë kritikuar koalicionin PDK – LDK për numrin e madh të ministrive në qeverinë e re të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

Ata kanë vlerësuar se një kabinet prej 21 ministrave është vetëm për t’i kënaqur apetitet e të dy partive politike që kanë bërë koalicion bashkëqeverisës. Analisti politik Belul Beqaj ka thënë se kjo qeveri është bërë për pushtetarë e jo për qytetarë. “Sikur të mos i kishte kjo qeveri 21 ministri, tre zëvendëskryeministra dhe rreth 50 zëvendësministra, ndoshta nuk do të krijohej kjo qeveri. Pra, ky pushtet më shumë është krijuar për pushtetarët sesa për qytetarët. Sikur ky pushtet të ishte i preokupuar me interesin e qytetarëve do të konstituohej qeveria menjëherë e jo pas gjashtë muajve”, ka thënë Beqaj për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se duhet të kufizohet ambicia e pushtetarëve, duke shtuar se ata duhet të vetëdijesohen se janë në shërbim të qytetarëve e jo e kundërta. “E vetmja gjë që duhet të kufizohet është ambicia e paepur e pushtetarëve që t’i përdorin qytetarët në shërbim të vetes, edhe pse politika duhet të jetë në shërbim të tyre. Nëse kjo ndodh, nuk do të kishim më shumë ministri se që nevojiten”, është shprehur Beqaj. Sipas tij, kjo nuk është qeveri e dëshirueshme për qytetarët e Kosovës. “Kosova nuk e ka një qeveri të dëshirueshme, por kjo qeveri është më e mirë se mungesa e saj. Kosova gjashtë muaj është ballafaquar me rrezikun e paralizës institucionale, e cila do të shkaktonte potencialisht një anarki. Prandaj, këtë qeveri duhet krahasuar me mungesën e qeverisë e jo me cilësitë e qeverive të tjera, pavarësisht nga fakti se edhe ato kanë ndikuar që Kosova të bëhet kampione e korrupsionit”, është shprehur Beqaj.

Kurse analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, ka bërë me dije se një kabinet aq i madh është një barrë e madhe për shtetin e vogël të Kosovës. Ai ka propozuar që në ndryshimet e ardhshme kushtetuese të kufizohet numri i ministrive me aktin me të lartë juridik në vend. “Kjo është një barrë e madhe për shtetin e Kosovës dhe në ndryshimet e ardhshme kushtetuese do të duhej që me Kushtetutë të kufizohet numri i ministrive dhe numri i stafit politik. Mendoj se Kosova nuk ka nevojë për më shumë se për 8 ministri dhe nuk ka nevojë për zëvendësministra. Zëvendësministrat janë punë koti. Ata nuk kryejnë kurrfarë funksioni. Kur ministri shkon jashtë Kosovës, ai detyrat ia lë sekretarit permanent e jo zëvendësministrit. Kështu që, kjo është vetëm një barrë për buxhetin e Kosovës. Asgjë tjetër”, ka deklaruar Spahiu.

Sipas tij, në rast se hiqen zëvendësministrat, buxheti i Kosovës do të mund të dyfishohej. Ai ka treguar se si rezultat i kësaj do të dyfishohej numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve. “Pakësimi i numrit të ministrive akoma do të kursente buxhet. Kosova është shumë vend i vogël për kaq shumë staf politik. Po ashtu, do të duhej të kufizohej edhe numri i këshilltarëve të ministrave. Ministri nuk ka nevojë më tepër se dy këshilltarë. Në rast se do të bëhej një kufizim i tillë, Kosova do të kursejë një buxhet goxha të madh”, është shprehur Spahiu.

Sa i përket pritshmërisë së qytetarëve nga kjo qeveri, ai ka thënë se ky kabinet qeveritar nuk është aspak premtues. “Mendoj se Hashim Thaçi ka vendosur ta bëjë këtë zgjidhje në mënyrë që njerëzit të thonë se lule ka qenë Hashim Thaçi kundrejt çka patëm më vonë. Pastaj, ky koalicion nuk ka ngjallur fare shpresë. Njerëzit, edhe nëse nuk dinë ta analizojnë, ata e hetojnë me intuitë. Ju e keni parë kur është formuar LAN-i, simpatizantët e LDK-së, AAK-së dhe ata të Nismës u patën bashkuar dhe festonin nëpër Prishtinë. Për këtë koalicion askush nuk ka festuar. Kjo do të thotë se njerëzit nuk kanë pritje, nuk kanë shpresë për këtë koalicion. Një qeveri që nuk ngjall shpresa, ajo edhe nuk mund të këtë sukses”, ka vlerësuar Spahiu.

Qeveria e Isa Mustafës do t’i ketë tre zëvendëskryeministra dhe 21 ministra. Në marrëveshjen që PDK-ja dhe LDK-ja kanë nënshkruar për të bashkëqeverisur për katër vjetët e ardhshëm parashihet që në secilën ministri këto subjekte ta kenë nga një zëvendësministër. Po ashtu, disa poste zëvendësministrash do t’i kenë edhe partnerët e koalicionit nga minoritetet.

Më Shumë

Distria Krasniqi kampione e Evropës në xhudo

Krenaria e Kosovës, Distria Krasniqi, arriti të sjellë edhe një medalje të artë për Kosovën, kësaj radhe duke triumfuar në Kampionatin Evropian për Senior...

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

Lajmet e Fundit