17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Klasët e para, pa anglishte

Nxenesit6-16Mësimi i gjuhës angleze në klasën e parë, i cili sivjet është dashur të filloj si pilotprojekt në dhjetë shkolla të Kosovës, nuk ka gjetur zbatim.

Edhe pse, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Arsimit, Arbër Morina, pilotimi ka filluar në të gjitha shkollat dhe i njëjti po ecën siç është më së miri, njëjtë nuk thonë edhe menaxherët e shkollave pilote dhe nxënësit e tyre.

“Në këtë takim me drejtorët komunal që e patëm javën e kaluar ne kemi marrë raporte edhe me shkrim nga ta se kjo fazë është duke shkuar shumë mirë. Gjithashtu, grupet punuese, ekspertët që janë duke u marrë ekskluzivisht me këtë çështje e kanë përpiluar një raport ku me të vërtetë shihet një fillim shumë i mirë i fazës së pilotimit i Kornizës së Kurrikulit. Nuk po them me përgjegjësi nuk ka telashe, nuk ka probleme, ka aty-këtu, po e them me përjashtim ndonjë defekt të vogël por i cili nuk e pengon absolutisht dhe nuk ndikon asgjë në mbarëvajtjen e përgjithshme të kësaj faze”, është shprehur Morina për Kosovapress.

Ai, thotë se nuk ka staf të mjaftueshëm për ligjërimin e kësaj lënde. Por, e mohon se mësimi i kësaj lënde nuk ka filluar ende si dhe që nuk ka as libra.

“Mund të jetë një defekt në këtë aspekt, sepse, nuk ka për momentin kuadro të mjaftueshme për mësimdhënien e gjuhës angleze Por, gjithsesi, besoj që në afat optimal edhe për këtë çështje do të rregullohet sepse do të dalin edhe gjenerata të reja nga Fakulteti i Edukimit, por, edhe nga fakultete tjera, të cilat do të kenë të drejtë të japin gjuhën angleze. Ndërsa, sa i përket librave, nxënësit po mësojnë sipas planprogramit të Kurrikulës, sipas librit të përzgjedhur nga grupi, ekspertët ekskluziv që janë për gjuhë angleze, të cilët e kanë bërë përzgjedhjen në bazë të Kurrikulës së re, tekst i cili është i përshtatshëm për nxënësit e asaj moshe”, ka deklaruar ai.

Por, njëjtë si Morina nuk mendojnë edhe ata që duhet ta zbatojnë këtë pilotprojekt.

Shkolla Fillore “Faik Konica” e cila është edhe një nga dhjetë shkollat pilote të këtij projekti, as që ka filluar me mësimin e gjuhës angleze.

Koordinatorja për kurrikulat e nivelit të parë në këtë shkollë, Selvete Mujaj, thotë për Kosovapress, se pilotimi nuk ka filluar ende. Ajo shpreson që shumë shpejtë do të nisë zbaitimi i tij.

“Fatkeqësisht ne këtu e kemi një problem të vogël, ende nuk kemi filluar me gjuhën angleze ndërsa në fushat tjera në të gjitha dhe është punuar një punë e jashtëzakonshme”, shprehet Mujaj.

Ajo thotë se zbatimi i çdo gjëje të re ka sfida dhe nuk është e thjeshtë.

“Arsyet janë kisha me thënë më shumë teknike, t’i quaj ato që janë përgjegjës, Drejtoria, Ministria e Arsimit, që duhet të mbulohen këta mësimdhënës edhe të paguhen, këtu është një problem i vogël që besoj se do ta tejkalojmë. Do të thotë ka mungesë të stafit për shkak të mungesës së buxhetit”, shprehet Mujaj.

Mujaj thotë se MASHT duhet të gjejë një zgjidhje sa më parë dhe të fillojë zbatimi i këtij pilotprojekti, në mënyrë që nxënësit, në fund të vitit, t’i arrijnë rezultatet e kërkuara.

“Sa më shpejt aq më mirë sepse në fund të shkallës së parë nxënësi duhet t’i arrijë rezultatet që parashihen te lënda e gjuhës angleze”, thekson ajo.

Se gjuha angleze nuk po mësohet në klasat e para të shkollave pilote në vend, e thonë edhe vet nxënësit.

“Unë këtu nuk kam mësuar anglisht por kam mësuar në kopshtin ku kam qenë. Kam dëshirë të mësoj anglisht sepse më pëlqen gjuha angleze dhe babi më ka thënë kur ta mësosh anglishten do të shkosh në Amerikë, në vizitë te daja”, thotë Ep Kelmendi, nxënës i klasës së parë në shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Ndërkohë, mësimi i gjuhës angleze në nivelin parafillor, në klasë të parë dhe të dytë, i cili parashihet me Kornizën e re të Kurrikulës, ishte premtuar që të nis qysh në vitin 2011 nga ish ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj.

Ky projekt parashihet që në vitin e parë të zbatohet në klasën parafillore, klasën e parë dhe të dytë fillore, klasën e pestë në nivelin e mesëm të ulët dhe klasën e dhjetë të nivelit të mesëm të lartë për të vazhduar çdo vit deri sa të arrijë të zbatohet në të gjitha klasat në shkollimin parauniversitar./Kosovapress/

Më Shumë

Reja, afër të emërohet trajner i skuadrës në Seria A

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja raportohet se mund të marrë drejtimin e skuadrës së Udineses deri në përfundim të këtij sezoni. Mediet...

Policia shqipton mbi 1 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1082 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit