19.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Klouni në syrin e Ema Andreas

ema-andrei-200x300“Me syrin e një Klouni” vazhdon ende në datat 14 -15 mars në Teatrin Eksperimental e më tej. Prej kohësh angazhimin tim si artiste e shoh shumë pranë problemeve sociale, ndaj shpesh dal nga skena për të bërë art në vende më alternative dhe me grupe joprofesioniste, duke e përdorur artin si mënyrë të shprehuri prej vetë atyre, apo duke e çuar artin pranë tyre në mënyrë interaktive.

Pas rivënies në skenë të dramës “Me syrin e një klouni”, Ema Andrea rrëfen arsyet që e shtynë ta sillte tetë vjet më parë, një prej tyre edhe kujtimi i përkthyesit të veprës, Ardian Klosi. Ajo zbulon edhe projektet e reja me të cilat është angazhuar këtë vit. Më i afërti, ai në fund të marsit me gratë e burgut “Ali Demi”

Pak ditë më parë u riktheve në Teatrin Kombëtar me “Me syrin e një klouni”. Kjo është një vepër që ti e ke vënë në skenë afro 8 vjet më parë, çfarë solle të re tani?

Kthimi në TK kishte shumë arsye bashkë; kujtimi i Klosit, dëshira ime për të krijuar, dëshira e Nerit, e Klodit, si edhe kërkesat e studentëve dhe e atyre që e kishin parë…Dukej sikur të gjithë prisnim vetëm një shenjë për të punuar së bashku. Kjo rivënie u nis si punë midis meje dhe Neritanit dhe vazhdoi e ende vazhdon në përmasa krejt të reja, me bashkëpunëtorë të rinj e me artistë të rinj në krah të Neritanit në skenë.

A është kjo një nga ato vepra që i ke përzemër?

Ishte një vepër që e kisha përzemër, por tashmë bashkëpunimi i ri e ka superuar ndjesinë e parë, pasi do të mbetet një nga bashkëpunimet që do të kem në zemër, për sa ishte një proces- riproces intensiv dhe shumë kreativ. U bashkuan në këtë proces jo vetëm studentët dhe Klod Dedja, por edhe Berina Kokona, Armand Sallabanda dhe Eol Cashku, i shkollës “Marubi”. Gjithçka erdhi kaq natyrshëm deri ditën e premierës e më pas, saqë vazhdon të jetë një shfaqje në proces. Do të ketë repriza në skena të tjera si Teatri Eksperimental, në rrethe të ndryshme, edhe në Teatër Kombëtar sërish.

Si e priti publiku?

Për mua është hera e parë që i rikthehem një vepre, por mund të them se mbi shtratin e krijimtarisë së parë është ndërtuar një vepër me dimensione krejt të reja për sa edhe qasja ndaj tekstit në këtë proces mori të tjera kahe. Laboratori kreativ edhe pse mbi të njëjtin tekst u ndërtua si një eksperiencë e re në një tjetër dimension kohor dhe energji krejt ndryshe.

Publiku u provokua, besoj, dhe rrugës për në shtëpi ka menduar për “klounin” dhe sytë e tij.

Përfundimi i përket atij.

Pas “Me syrin e një klouni”, me çfarë po angazhohesh aktualisht?

“Me syrin e një Klouni” vazhdon ende në datat 14-15 mars në Teatrin Eksperimental e më tej. Prej kohësh angazhimin tim si artiste e shoh shumë pranë problemeve sociale, ndaj shpesh dal nga skena për të bërë art në vende më alternative dhe me grupe joprofesioniste, duke e përdorur artin si mënyrë të shprehuri prej vetë atyre, apo duke e çuar artin pranë tyre në mënyrë interaktive.

Jam duke ndërtuar një performancë me gratë e burgut “Ali Demi”, e cila do te shfaqet për publikun në fund të marsit me titullin “Prag” Kjo shfaqje është pjesë e një projekti 1-vjeçar artistik e kulturor me këtë kategori sociale. Fondacioni M.A.M (një nga themeluesit e të cilit jam unë) këtë vit do të zhvillojë aktivitete si shfaqje dhe workshop-e ndërkombëtare të shumë disiplinave, deri në “Informal Mind 2”, dhe në gjininë e teatrit unë do të kem bashkëpunime ndërkombëtare. Të tjerat ia lë spontanitetit kreativ, por çka thashë, është në axhendë tashmë.

Ti je nga ata artistë që nuk pret vetëm kalendarët artistikë në TK, por angazhohesh në projekte personale, si “Perdja e Hekurt” apo “Informal Mind” vitin e kaluar. Si u ngjizën këto dy projekte?

Shqipëria është një potencial i madh përsa i përket shqetësimit kreativ dhe fillesat e çdo ideje që kthehet në projekt konkret vijnë pikërisht nga ky realitet. Duke qenë artiste e lirë, kam pasur gjithmonë tendencën të eksperimentoj në mënyrën e shprehjes në skenë duke bashkuar disiplina të ndryshme të artit në krijimtari. Tek unë nuk ka ndalur kurrë dëshira për të zbuluar në art dhe për bashkëpunime të reja.

Krijimi i fondacionit M.A.M prej nesh, bëri që të gjitha idetë, idealet tona, shqetësimet t’i kthenim në projekte konkrete në bashkëpunim me artistë të tjerë. Në të dyja këto projekte ne kemi qenë të hapur për bashkëpunime midis artistesh apo shoqata e galeri shqiptare dhe ndërkombëtare.

“Perdja e Hekurt” ka qenë projekti ynë i parë me përmasa të mëdha. Një projekt të cilit iu bashkuan shumë artistë dhe që është realizuar tërësisht prej punës, krijimtarisë së fondacionit M.A.M. Ky projekt bëri që vëmendja e artistëve dhe kritikëve ndërkombëtare të kthehej drejt projektit apo idesë sonë të ardhshme “Informal Mind” në Metalurgjikun e Elbasanit.

Çfarë impakti mendove se do të sillnin mjediset që zgjodhe, si ish-vila e diktatorit Hoxha dhe ish-Kombinati Metalurgjik?

Natyrisht që provokoi ky projekt, të guximshmit marrin rrezikun përsipër, ndaj për këtë jemi krenarë. Ishte një propozim konkret për t’i parë e përdorur ndryshe këto objekte të izoluara apo të braktisura. Ne punojmë dhe krijojmë, ndaj si “Perdja e hekurt” ashtu dhe “Informal Mind” nuk mund veçse të mbeten një gur konkret i vendosur me guxim, drejt një ndryshimi.

Reagimet dhe suksesin e punës sonë e shohim tani kur shumë artistë të rinj shqiptarë si edhe artistë ndërkombëtarë të artit kontemporan duan të bëhen pjesë e evenimenteve tona këtë vit.

Në Metalurgjik, arti dhe artistët u bënë pjesë jo vetëm e historisë që mbartnin ndërtesat e braktisura, por edhe e kujtesës dhe jetës së “banorëve” të Metalurgjikut, të cilët duket ishin po aq të braktisur sa edhe ky “qytet”. Ata u bënë pjesë e aktivitetit dhe kjo më duket pjesa më e rëndësishme e suksesit.

Cila është rruga që përshkuan projektet?

U afruan jo vetëm artistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, të cilët përveç veprave mbajtën edhe worshops apo takime, u shfaqën filma të artistëve të rinj e të “Marubit”, por edhe shkrimtarë si Flutura Açka e antropologë si Nebi Bardhoshi e Olsi Lela, të cilët gjetën hapësirën për të afruar artin me letërsinë dhe studimin në mënyrë konkrete. A ndodh kjo për herë të parë në një iniciativë private në Shqipëri? PO! Ky aktivitet u pagëzua nga Achille Bonito Oliva, i cili jo vetëm ka bërë kritiken e katalogut “Informal Mind”, por është tashmë bashkëpunëtor i rëndësishëm i projekteve të M.A.M.

Të punosh për të krijuar hapësira krijuese dhe ekspozuese për artistë të tjerë është një ndjesi që të rrit dhe të sfidon njëkohësisht. Këto projekte janë një dimension krejt i ri brenda meje.

Ky vit, a ka në horizont projekte të tjera të këtij lloji?

“Informal Mind 2” i shtrirë në kohë dhe në hapësirë më të madhe do të jetë ky vit.

Në Tiranë me “forma jo forma”, në Metalurgjik, Kosovë e Mal të Zi.

Më Shumë

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu. “Temperaturat minimale...

Gruaja shtatzënë që vdiq në Spitalin e Prizrenit ishte 24-vjeçare

Një rast i rëndë ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit, ku një grua shtatzënë ka humbur jetën.  Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit