Kryetari i Këshillit të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka shkruar se kushdo që në Kuvendin e ri të Kosovës do t’i bëjë 61 vota të dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, arrin ta zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin dhe kjo sipas tij domosdoshmërish kërkon krijimin e koalicionit qeverisës.
Sipas Krasniqit, si për kryetar të Kuvendit dhe kryeministër e drejta buron nga më se paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet.
Në vazhdim po sjellim postimin e plotë të Jakup Krasniqit në facebook.
Duke i lexuar dhe shikuar ne disa media mendimet e arta të “baballarëve” të kombit, natyrshëm lindë pyetja: a e dinë këta se çka është Demokracia në përgjithësi e demokracia e vlerave perëndimore në veçanti? Duke e pasur parasysh se: “Demokracia bazohet mbi vendimet e shumicës. Ato paraqesin instrumentin më të rëndësishëm për zgjidhjen paqësore të konflikteve”. (citat i marr nga interneti)
Pa dashur të hyjë në shpjegimin burimor të fjalës demokraci, demokraci do të thotë sundim i shumicës, në rastin tonë i shumicës parlamentare. Në demokracinë parlamentare, vendimet në të shumtën e rasteve merren me shumicën absolute (prej 50% + 1 ), në rastin tonë, zbërthyer në numra do të thotë se paku 61 vota. Kushdo që në Kuvendin e ri të Kosovës i bënë 61 vota arrin ta zgjedh Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin. Pa 61 vota nuk ka kryetar të Kuvendit e as Kryeministër. Kush nuk e dinë ketë, ai nuk ka mësuar asgjë nga Demokracia në përgjithësi e demokracia parlamentare në veçanti. Për të arritur atë numër të votave, domosdoshmërish kërkohet krijimi i koalicionit qeverisës. Kush e krijon koalicionin qeverisës e merr të drejtën e qeverisjes së vendit – kjo është demokracia parlamentare.
Në nenin 67 të Kushtetutës, ku flitet për zgjedhjen e Kryetarit dhe të Nënkryetarëve, shkruan:
67.1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarë.
67.2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Në të dy rastet tona, si për Kryetar të K uvendit dhe Kryeministër e drejta buron nga më se paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Është i saktë konstatimi i kolegut tim Haliti se zgjedhjet bëhen për zgjidhje, por zgjidhjen e bëjnë më se paku votat e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Sesi formohen GP e shpjegon neni 20 paragrafi i parë i Rregullores së Punës së Kuvendit të cilin shumë kush nuk po donë me e pa, madje nuk po donë me e pa as “hartuesit” e Kushtetutës.