6.9 C
Prizren
E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

‘Karnavalet ilire’ udhëtojnë deri në ditët moderne

Shumë prizrenas ia mësyjnë çdo vit Malësisë së Tetovës, gjegjë- sisht pikës më të afërt në fshatin Bozovcë të Tetovës. Tani këtë vit, në këtë fshat për herën e nëntë pas një shkëputjeje të gjatë organizohet manifestimi ‘Karnavalet ilire’, që në vete kanë për qëllim ruajtjen e traditave të lashta. Karnavalet simbolizojnë ruajtjen e bereqetit dhe shoqërohen me teleisjen e nuseve, lojërat e burrave dhe grave, këngët popullore e kështu me radhë. Organizatori Neshat Mehmeti tregon se ky aktivitet ka ngjallur dëshirën për pjesëmarrje të shumë qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare, kurse më të shumtë janë ata nga Prizreni.

Duke folur për “Kosova Sot”, Mehmeti tregon se karnavalet si festë popullore janë me origjinë pagane, të cilat në të kaluarën historike kanë qenë organizime madhështore dhe kanë qëndruar në krye të festave të motmotit ose festave kalendarike për qindra vite. “Kjo festë me të gjitha lojërat e veta nga studiuesit tanë nuk e zuri vendin e merituar në studimet e tyre, por u ndalën më shumë te festat kalendarike, derisa karnavalet në vetvete përmbajnë pjesën më të madhe të festave të motmotit”, shprehet Mehmeti, shkruan gazeta Kosova Sot.

Bartja e festave pagane në traditën e feve monoteiste

Sipas tij, që në kohën kur njeriu primitiv nuk ishte në gjendje t’i shpjegonte fenomenet dhe dukuritë natyrore, shumë prej këtyre fenomeneve për të mos thënë të gjithave, si ujit, zjarrit, qiellit, erës, drurit ua veshi cilësitë e njerëzve, duke i shoqëruar edhe me elemente magjike dhe që të gjitha këto veprime bëheshin përmes një varg ceremonive, të cilat lidheshin me jetën e përditshme dhe zhvillimin ekonomik të kohës. Ceremonitë e tilla në të kaluarën zhvilloheshin kryesisht në kohën e përtëritjes së fuqisë së diellit, që do të thotë nga fundi i dhjetorit e deri në mars. Ceremonitë festive lidheshin me këtë periudhë, sepse ishte kjo koha kur po bëheshin parapërgatitjet për mbjellje, fillonin përgatitjet e kthimit të bagëtive nga dimërimet. Mirëpo, në anën tjetër këto ceremoni me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e shoqërisë njerë- zore e humbën kuptimin e tyre fillestar dhe përfunduan në disa zakone të mbështjella me petkun fetar. Pavarësisht ndikimeve fetare, në masë të madhe shumë elemente pagane me karakter bujqësor e blegtorale u ruajtën shekuj me radhë. Mehmeti shprehet se edhe shkrimtarët antikë flasin në veprat e tyre për këtë festë ilire. Elementi i zjarrit është element pagan, që më vonë u përvetë- sua nga krishterimi dhe u bë simbol i Krishtlindjeve dhe nisi të quhet si festa e buzmit, kërcua etj., por që në fakt është element pagan. Me të njëjtin qëllim, ai përdoret edhe sot në lojërat e ‘Karnavaleve ilire’, ku strajca që mbajnë karnavalistët është e mbushur me hi, është pjesë e këtij riti me origjinë ilire. “Gjurmët e karnavaleve janë të hershme, por me kalimin e kohës ato pësuan ndryshime dhe u transformuan, deri në atë masë sa në shekullin e fundit kanë ngelur vetëm si kujtesë etnografike, duke u zbehur si në aspektin e organizimit ashtu edhe në masivizimin popullor. Gjurmët e modifikuara të kësaj feste popullore janë të pranishme edhe sot në disa pjesë të hapësirës shqiptare, si organizime të tilla bëhen në Korçë, në Shkodër e Tetovë dhe nëpër ceremoni të dasmave”, pohon Mehmeti.

Karnavalet me shumë tradita të moçme

Kurse për këto ‘Karnavale ilire’ flet edhe etnologu prof. dr. Nexhat Çoçaj. “Tradita e karnavaleve në Bozovcë si gjithkund në trojet shqiptare u trashëgua gjatë rrugëtimit nëpër shekuj, por ndërkohë u modifikua si pasojë e ndikimeve fetare, ndërsa ne thelb mbeti festë argëtuese, që ka arritur deri në ditët tona me madhështinë e kremtimeve mbarëpopullore. Si në Korçë e në Shkodër edhe në Malësinë e Sharrit të Tetovës, këtoorganizime në vete e ngërthejnë mbi të gjitha motivin social e humanitar. Elementi i bamirësisë, që është element i trashëguar nga të parët e shoqëron gjithë manifestimin, sepse në fund të gjitha gjërat që mblidhen u shpërndahen atyre që janë në gjendje më të rëndë ekonomike, apo edhe vetë organizimi i drekës së përbashkët me fshatin e ka po të njëjtin mesazh. Karnavalet e Bozovcës meritojnë një vëmendje më të madhe nga studiuesit, sepse ky organizim u ngjan luleve të rralla, që çelin në stinën e dimrit e që lajmërojnë përfundimin e kësaj stine dhe ardhjen e pranverës, përkatësisht përkojnë me qëllimin dhe dëshirën që sa më parë të largohet stina e dimrit dhe të mbretëroj pranvera me gjithë begatinë e vet”, shprehet Çoçaj.

Sipas tij, pos qëllimit human dhe nxitës për harmoninë në mes të familjeve, përkatësisht banorëve të atij mjedisi, ku zhvillohen karnavalet, simbolike është edhe mënyra e nisjes së karnavalistëve, vendi ku hyjnë nëpër shtëpi dhe mënyra e komunikimit me njerëzit e shtëpive. Sipas të dhë- nave të shkruara, por edhe sipas kujtesës etnografike të mbledhura nga të moshuarit e fshatrave të Malësisë së Sharrit të Tetovës, karnavalistët në ditën e organizimit të karnavaleve niseshin nga burimi i fshatit, i cili mund të ishte në qendër të fshatit, në krye të fshatit, apo në një vend të caktuar, ku në të kaluarën mbaheshin takimet e banorëve jo vetëm për t’i trajtuar hallet dhe problemet sociale, vende ku bëheshin edhe pajtimet e familjeve të hasmëruara, dhe bëhej mobilizimi për luftë në mbrojtje të vendit, fshatit, fisit e më gjerë. “Pikërisht nga këto vende, që kishte domethënie për banorët e atij mjedisi, niseshin karnavalistët, ani pse sot ndoshta ky vend mund të jetë një diçka tjetër, si shkollë, shtëpi e kulturës e objekte të ngjashme, por gjithsesi vendi i nisjes së manifestimit ka pasur simbolikën e gjallërimit të jetës së atyre banorëve. Në anën tjetër, sipas traditës së lashtë pagane, nëse një vendbanim, që nuk kishte një vend të tillë, atëherë karnavalistët niseshin secili nga shtëpia e tyre dhe bashkoheshin në rrugë. Kjo mënyrë e organizimit ka qenë shumë më pak e përhapur në trojet shqiptare, sepse ishin të pakta vendbanimet, që nuk e kishin nga një vend “me shenjë” për banorët e atij mjedisi, ndonëse edhe shtëpia ishte e shenjtë”, shprehet Çoçaj.

Burrat vishen si gra

Në Malësinë e Sharrit, ‘Festa e karnavaleve’ festohej nga dita e parë e fillimit të zgjatjes së kohës, pra nga fundi i muajit dhjetor (prej 25-26 dhjetor) e deri në katërmbëdhjetë mars me kalendarin e vjetër ose më së voni deri më njëzet e një mars, me kalendarin e ri. Organizimi i karnavaleve lidhet me simbolikën për daljen nga izolimi dimëror, dhe fillimin e përgatitjeve për pranverën që simbolizon ringjalljen e punës për bujqësi dhe për blegtori. Në anën tjetër zhurma që bëhet me anë të kumbonave dhe gjërave tjera simbolizon përzënien e të gjitha të ligave që kanë mundur të jenë fshehur nëpër lamë, gardhe të shtëpive etj. Në fshatrat e Malësisë së Sharrit të Tetovës, sikurse edhe në krahinat tjera të Veriut të Shqipërisë në grupin e karnavalistëve nuk prezantojnë femrat, po në rolin e femrës vishen djemtë: në rolin e plakës vishet një mashkull (vetëm një plakë), në rolin e nuses vishet një djalë (këtu vishen një deri në dy djem të rinj si nuse), në rolin e vajzave përsëri vishen djemtë (dy deri në katër vajza), përkatësisht të gjitha veshjet e femrave varen nga numri i përgjithshëm i grupit të karnavalistëve, që gjithmonë është numër tek si 17, 19, 29, 31 etj. Kështu ngjashëm si në Bozovcë është vepruar edhe në fshatrat e Lumës së Epërme.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Po kalonte rrugën jashtë zebrave, automjeti godet 63-vjeçaren në Prizren

Një këmbësore është goditur nga një automjet në Prizren, gjatë kohës kur e njëjta po e kalonte rrugën jashtë vijave të këmbësorëve. Këtë për Klankosova.tv,...

Bashkimi fiton në derbin e qytetit

Bashkimi ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultatin 103:89 (23:20, 29:19, 25:19, 26:31), në javën e dhjetë të ProCredit...

Lajmet e Fundit