0.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025

Lasgush Poradeci: Erë trëndeline

Sesi m’ju lëndon dashurija!
Sesi m’ju lëndon pa pushim!
O lotët e syve të mija!
O klithmëz e tingëllit t’im!

Ju shoqe të kohës mitare,
Mikesha, motriçka, pa faj!
Ju humbtë në mjegull përfare,
Dh’u solla ndër mënd e po qaj!

As flak’ e shkëndijës q’u shua,
As syri që nxihet e plas.
Nuk lanë, o ju vasha për mua,
Vuratat e errëta pas.

Haj! Flutur e zënë me duar,
Një flutur sicila prej jush.
Më la në gishtrinj duke shkuar,
Pluhurin që ndrin posi prush.

Sot çela pëllëmbën e dorës,
Q’u çiku gazmore dikur.
Si pah verbimtar i dëborës,
Sërish po më ndrin një pluhur.

Përse nuk m’u shojte përherë,
Të hesht të pushoj për kurdo.
Ti mall që nër to pate lerë,
Dh’u rite dh’u ndrite nër to!

Ju shoh përtej mjegullës suaj,
E shpirtin prej jush e kam plot.
Pa s’mund si t’a them, si t’a shuaj,
Ah! këngën e mbushur me lot.

Së koti u larguat mënjanë,
Më vajtë më kot aq larg.
Kur sumbullat lot që më ranë,
Si ruazat i shkova në varg.

Dhe i ndrita me syrin e fshehur…
Dhe i vela me zërin mitar…
Dhe i skuqa me buzën e dehur…
Me shpuzën e flogut si ar…

Oji! Trëndelinë e venitur,
Ju fali gjith erën e saj…
Pse rreh kaq me hov të çuditur,
Haj! zemëra ime ti haj?

Ju lule q’u leu pranëvera,
Dhe u çika me gas një mëngjes!
Së largu prej jush më ra era,
E desha prej mallit të vdes!

ObserverKult

Më Shumë

“Gjendje alarmante”, Totaj: Lagjet në Prizren kanë mbetur pa rrymë që 2-3 ditë

Kryetari i Prizrenit, i cili fitoi edhe një mandat të ri në krye të komunës, Shaqir Totaj,  ka folur për ndërprerjet e gjata të...

Gjendje e rënduar energjetike në Prizren, digjen trafo

Prizreni vazhdon të përballet me krizë energjetike.   Mbrëmjen e së martës, si pasojë e mbingarkesës përkundër intervenimeve në disa zona, në lagjet “Bajram Curri” dhe...

Lajmet e Fundit