10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në letërsi

Prof. dr. Sali Bytyçi

Hyrje

Letërsia në shekuj ishte ruajtëse e kujtesës, sidomos e asaj për ngjarjet e mëdha siç janë luftërat të cilat tronditin jo një individ, po kolektivitete të tëra njerëzish përgjatë historisë. Për këtë, që në zanafillë të saj, letërsia është e lidhur me luftën.

Edhe historia është ruajtëse e kujtesës, po e asaj të jashtme, ndërsa letër­sia është ruajtëse e kujtesës së brendshme prandaj, ndër të tjera, edhe për këtë kjo e fundit ka epërsi ndaj historisë.

Çfarë roli ka letërsia në ruajtjen e kujtesës, më së miri do ta kuptojmë kur të lexojmë “Iliadën”. Për luftën e Trojës do të mund të mësonim nga mito­logjia, nga arkeologjia apo nga piktura, po kurrë nga këto nuk do të arrinim të mësonim ato që i mësojmë nga letërsia, në rastin konkret, nga epi i Homerit – “Iliada”, prandaj themi lirisht se më meritorja që dimë sot për atë çfarë ndodhi në luftën e Trojës është letërsia. Ndërkaq, çfarë do të ndodhte në botë nëse nuk do të ekzistonte lufta, nëse njerëzit në vend të saj do të zgjidhnin paqen; shkurt, si do të dukej historia e njerëzimit po të mos ndodhte fenomeni luftë? Për një gjë të tillë vetëm mund të supozojmë, po ajo që dimë është se letërsia do të ishte shumë e varfër, sepse kryeveprat të cilat janë frymëzuar nga lufta nuk do të ekzistonin. Nuk do të ekzistonte as “Iliada”, as “Odiseja”, as “Eneida”, po nuk do të ekzistonin as shumica e tragjedive antike të cilat ndërlidhen me luftën e Trojës, nuk do të ekzi­stonte as komedia e Aristofanit “Paqja”, në të cilën gratë bëjnë plane si t’i ndalojnë burrat të mos shkaktojnë luftëra, as romani “Lufta dhe paqja” i Leon Tolstoit, as romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo “Kështjella” të Ismail Kadaresë.

Shkurt, nuk do të ekzistonin shumë kryevepra dhe lirisht mund të themi se atë që e humb njerëzimi në luftë, në njëfarë mënyre e kompenson në letërsi.

Për fat të keq, luftërat vazhdojnë të ndodhin edhe në momentin kur po flasim. Një luftë, para dy dekadash, ishte edhe këtu te ne: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) (1997-1999). Po si u trajtua dhe si trajtohet edhe sot kjo luftë nga shkrimtarët, regjisorët, aktorët shqiptarë, veçanërisht nga ata që e konsiderojnë veten elitë, apo edhe nga “historianë” të huaj?

Në recensionin për romanin e Shefkije Islamajt “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr” (2004), të shkruar në vitin 2005, Bedri Zyberaj ankohej se nuk po shkruhen libra për luftën, po tani, 17 vjet pas publikimit të këtij recen­sioni, si është gjendja në letërsinë shqipe sa i përket kësaj teme? Në fakt, gjendja është e njëjtë, po me përjashtime: janë shkruar libra për luftën e UÇK-së, por jo pak të tilla që janë fokusuar kundër luftës së UÇK-së, pra libra që janë në shërbim të njollosjes së kësaj lufte dhe në një vijë me akuzat e Serbisë ndaj UÇK-së, të cilat në fund kanë rezultuar me ngritjen dhe aktivizimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Se si lufta, ashtu edhe letërsia ndërlidhen me etiken, autorja e romanit të përmendur më lart, Shefkije Islamaj, e shpreh në vetë faqet e këtij romani, kur thotë se, për të shkruar një roman për luftën nuk duhet vetëm guxim, po edhe dhimbje. Po sa i përket shkrimit të romanit shqiptar për luftën e UÇK-së, guximi e dhimbja mund të jenë pozitive dhe negative: pozitive, kur me dhimbje letërsia i shpreh plagët e luftës, negative kur dhimbja dhe lufta politizohen.

Autorja e romanit Shefkije Islamaj është përfaqësuese e grupit të parë të krijuesve, ndërsa Jusuf Buxhovi i grupit të dytë.

Letërsia e Kosovës
(digresion)

Letërsia e Kosovës, e lindur dhe e krijuar në mes të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, pas Luftës së Dytë Botërore u krijua si letërsi e realizmit soc­ialist, mirëpo me prishjen e marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, shkrimtarët e Kosovës, ashtu si dhe ata të Jugosllavisë, s’e kishin të domosdoshme të krijonin sipas doktrinës së realizmit socialist. Megjithatë, edhe rreth dy dekada pas legalizimit të pluralizmit letrar, realizmi socialist, me të gjithë përbërësit e tij, ishte rryma kryesore letrare në letërsinë e Kosovës. Kjo është e vetëkuptueshme, sepse ata që e kishin nisur krijimin e letërsisë këtu ishin formuar si brez me afinitet për realizmin socialist, ndërkaq brezi pas tyre po krijohej në atmosferën e lirisë krijuese, sipas asaj që kuptonte “liri” krijuese ideologjia zyrtare, pra liri nën mbikëqyrjen e ideologjisë. Ishte pikërisht ky brez që, sidomos pas gjysmës së dytë të viteve ’60, pas Plenumit të Brioneve(1966), në të cilin u dënua politika e Rankoviqit në Kosovë, dhe shqiptarët filluan të frymonin më lirshëm, që filloi të krijojë një letërsi me prirje moderne në qendër të së cilës më nuk ishte njeriu po figura, jo konkretja po abstraktja, që zakonisht artikulohej përmes një gjuhe ezopike. Krijuesit tani dolën në një fushë që, ashtu siç ishte abstrakte, nuk kishte fund; fundi mund të prekej vetëm nëse preknin themelet e ideologjisë, po abstraktja në vete nuk prekte asgjë; ideologjia zhvillohej lirshëm, edhe letërsia nën lirinë e ideologjisë zhvillohej, po ashtu,“lirshëm”. Ngritja krye kundër realizmit socialist, që shfaqet në këtë kohë, i cili thuhej se burimin e kishte në Shqipëri, kishte dy qëllime: 1. të hiqej dorë nga konkretja; dhe 2. me këtë rast, në emër të abstraktes, letërsia e Kosovës të bëhej pjesë e letërsisë moderne (kupto: zyrtare) jugosllave!

Kjo letërsi moderne zgjati diç më shumë se dy dekada: nga gjysma e dytë e viteve ’60e deri në fund të viteve ’80.

Pra, ky modernizëm ishte i lidhur me politikën dhe, po ashtu, kur ra poli­tika, ra edhe ky modernizëm. Tani krijuesit që kishin lëvruar metaforiken dhe simbolikën në krijimtarinë e tyre, i kthehen konkretes, njeriut, fatit të tij konkret në histori dhe në të sotmen. Prozatorë si Zejnullah Rrahmani, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi etj., në veprat e tyre në prozë: tregime, novela e romane, më nuk qëndrojnë në histori, po i kthehen të sotmes, sidomos zhvillimeve politike të viteve ’90. Përveç rrëfimit realist, jo rrallë tani në veprat e tyre ka edhe personazhe historike, edhe diskursi tani është më shumë konkret, realist e, në ndonjë rast, edhe eseistik, publicistik e politik.

Zakonisht në këto vepra personazhet bëhen përçues të ideve të autorëve të tyre, ata mbajnë qëndrim ndaj ngjarjeve historike, po edhe të kohës në të cilën jeton dhe vepron autori i tyre. Në këto vepra vendin e figurës që kishte dominuar më shumë se dy dekada, e zë njeriu, njeriu konkret, ai që në njëfarë mënyre ka luajtur një rol; ky njeri tani bëhet zëdhënës i ideve të autorit apo fati i tij e dëshmon idenë e autorit. Pra, edhe atëherë kur vepra e tij është shkruar në emër të deideologjizimit të shoqërisë, çdo fije në vepër e drejton autori ideologjik!

Kush e shkruan historinë?
Thuhet se, pas luftës, fituesi e shkruan historinë, por një teori e tillë ka përjashtime. Me këtë rast fjalën “histori”, e përdor si ekuivalent të fjalës “narracion”, në rastin konkret: narracionit për luftën.

Rasti i Kosovës pas luftës së UÇK-së e dëshmon atë që thashë më lart – përjashtimin: humbësit, vija e ashtuquajtur paqësore, e cila për një dekadë nuk arriti të lëvizë as edhe një kashtë përpara në politikën e Kosovës, që dy dekada me radhë e shkruajnë historinë e Kosovës! Në luftë për pushtet, pasi ishte kundër luftës ndaj pushtetit serb, vija humbëse arrin t’i njollosë me çdo mënyrë ata të cilët sakrifikuan edhe jetën për lirinë e Kosovës. Sipas zëdhënësve të kësaj politike në letërsi e histori, Jusuf Buxhovit, Zejnullah Rrahmanit, e të ngjashmëve, në Kosovë ose nuk është bërë luftë fare ose krejt lufta është bërë për t’ia marrë shtetin LDK-së, intelektualëve. Dhe, sipas tyre, shtet ishte ai organizim “paralel” i shqiptarëve nën regjimin e Millosheviqit!

Në fushatën e tyre kundër UÇK-së dhe kundër luftës, këta “intelektualë”, për t’i forcuar tezat e tyre kundër luftës, kanë thirrur në ndihmë edhe “intele­ktualë” të jashtëm, siç është rasti i Oliver J. Shmitit.

Historiani zviceran Oliver J. Shmit, në librin e tij për Kosovën, thotë se lufta e UÇK-së në vitet 1998-1999 është një luftë e fshatarëve kundër intele­ktualëve. Sipas tij, intelektualët kishin krijuar një shtet paralel në Kosovë, ndërkaq fshatarët ngrihen kundër këtij projekti që nuk po jepte rezultate.

“Për dallim nga intelektualët qytetarë dhe paria e LDK-së, shoqëria fshatare dhe e arsimuar dobët përherë ishte e gatshme për rezistencë të armatosur. Sipas traditës shqiptare, shumica e familjeve në fshatra kishin armë zjarri. Edhe këto familje me vite të tëra kishin respektuar strategjinë paqësore. Por pas Dejtonit popullsia fshatare u orientua nga kryengritja e armatosur më shpejt se elita qytetare. Për këtë fshatarët morën ndihmë vendimtare nga diaspora, e cila, ashtu si në vitin 1981, përkrahu një qëndrim më radikal se elita krahinore shqiptare. Në këto rrethana nga mesi i viteve nëntëdhjetë u krijua një lëvizje, e cila në vitet në vijim do të merrte pothuaj gjithë pushtetin në shoqërinë shqiptare të Kosovës – Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Rugova e hetoi rrezikun e konkurrencës dhe grupin gueril në formim e sipër e quajti prodhim të fantazisë, herë mjet provokimi të autoriteteve serbe, të cilat po kërkonin shkas për një aksion të ashpër kun­dër popullsisë civile shqiptare”.[1] Këtë teori për elitë të vjetër urbane dhe elitë të re fshatare Shmiti e elaboron në vazhdimësi në “trilerin” e vet.[2]

Kështu vjen në përfundim “historiani” Shmit, i cili shoqërinë kosovare e ndan në dy grupe: në intelektualë qytetarë dhe në shoqëri fshatare të arsi­muar dobët, sikur këto dy grupe të kenë jetuar në dy realitete të mbyllura, ku as marrin as japin njëri me tjetrin, në një libër të cilit i është kundërpër­gjigjur Ibrahim Kelmendi me një libër po aq voluminoz, nëse jo më shumë, “Trileri i O. J. Schmitit për Kosovën”.[3] Mendësisë së Shmitit, i cili me çdo mënyrë përpiqet ta barazojë krimin serb të Millosheviqit ndaj shqipta­rëve të Kosovës me krimin e UÇK-së ndaj serbëve dhe romëve, Ibrahim Kelmendi i përgjigjet: “Fatkeqësisht edhe vetë prof. Schmitt është ‘viktimë’ e librave ‘historikë’ që me bollëk janë plasuar në treg nga historianët dhe shkencëtarët nacionalistë serbë gjatë shekullit të 19-të dhe 20-të, duke e ngulfatur shkencën e historisë edhe jashtë Serbisë. Ato madje ia kanë dalë të bindin studiues në Evropë e botë dhe kështu ka zënë fill miti i historisë ‘zyrtare’ se Kosova ishte pronësi serbe”.[4]

Në librin e tij “Trileri i O. J. Schmitt për Kosovën”, Ibrahim Kelmendi ka dhënë edhe një mendim se si krijohen historitë e rrejshme për popuj të veçantë, të cilat pastaj, me kalimin e kohës, kthehen në “shkencë” zyrtare, e cila luan rol në diplomacinë ndërkombëtare jo vetëm për ta krijuar ima­zhin e këtyre popujve, por edhe për ta përcaktuar fatin e tyre: “Duke ana­lizuar rrëfimet, vlerësimet dhe konstatimet e z. Schmitt, sidomos për kohën që e kam jetuar unë, po më përforcohet bindja se historitë e popujve edhe mund të falsifikohen. Kur falsifikimet marrin përmasa të mëdha, ato edhe ‘zyrtarizohen’. Me këtë rast, sidomos studentët e prof. Schmittit do të ndihen të detyruar ta lexojnë trilerin e tij historik dhe politik, po edhe të tjerë. Studentët do të bëjnë punime seminari, pastaj punime magjistrature e doktorature për tematikën që ka të bëjë me Kosovën. Ata sigurisht do të citojnë si burime historik edhe këtë triler të z. Schmitt. Edhe kolegët e tjerë, historianë, do t’i ‘pasurojnë’’ njohuritë e tyre historike duke lexuar këtë ‘studim’. Kështu me radhë, ‘vëzhguesit neutralë’, gazetarët, analistët, opinionbërësit, politikanët dhe qytetarët, do të krijojnë imazh për Kosovën sipas këtij trileri”.[5]

Këto i thotë për luftën e UÇK-së Schmiti, po çfarë thotë “elita qytetare” kosovare e Schmittit për luftën, sidomos shkrimtarët, si maja ma e lartë e kësaj elite?

Kjo “elitë qytetare”, përveç të tjerash, fjalën e vet për luftën e UÇK-së e tha edhe me pranimin e Schmitit anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në shenjë solidarizimi me të për konkluzionet e tij për këtë luftë.

Se letërsia e Kosovës, apo modernizmi kosovar ishte i ndërlidhur me politikën që në zanafillë, kjo shihet mirë kur ta analizojmë letërsinë që u krijua në Kosovë pas rënies së Murit të Berlinit, sidomos prozën, atë ku krijuesit kanë mundësi më të madhe të shprehjes dhe të vetëshprehjes, me ç’rast, përveç diskursit letrar (trillimit), përdorin edhe diskurse të tjera.

Mohimi i luftës së UÇK-së
Eksponent i grupit të parë është Zejnullah Rrahmani, i cili e ka thënë “fjalën” e vet për ngjarjet e vitit 1981 apo për vrasjen e Jusuf Gërvallës, vlerësime që përputhen me vlerësimet zyrtare serbe e jugosllave, po që shkojnë edhe përtej tyre, për luftën e UÇK-së të viteve ’97-’99vetëm në intervistën në revistën “Fjala”, ku prononcohet nëpërmjet personazhit të nënës së vet: “Tash nëna është më e vjetër se ai (e ka fjalën për babanë e vet – vër. ime, S.Bytyçi) dhe e ka përvojën edhe të një lufte. ‘-Çfarë lufte asht kjo që nuk më ra me pa asnjë shqiptar tue shkrepë një plum po veç tue ikë!?”[6]

Kaq shprehet për ngjarjet ’97-’99 dhe me kaq e përmbyll këtë çështje Zejnullah Rrahmani.

Ndërsa unë s’do të hyja më thellë në këtë temë, po një gjë e di: sa isha në burg, në Serbi, në vitet 1999-2000, në shtypin serb kam lexuar për një libër të botuar serbisht me titull “Heroji otadzbine” (Heronjtë e atdheut), në të cilin janë të shënuar mbi njëmijë policë e ushtarë të vrarë në Kosovë në luftimet e zhvilluara në vitet ’98-’99. Gazeta “Danas” e Beogradit çdo ditë i jepte nga tri biografi të të vrarëve në Kosovë e më gjerë, ku për secilin shkruante, në mes të tjerash, vendin, datën dhe nga kush është vrarë (nga “terroristët” shqiptarë, siç i quante pjesëtarët e UÇK-së, apo nga NATO).

Pohimi i luftës së UÇK-së
Ndryshe nga Zejnullah Rrahmani ndodh me Zuvdija Hoxhiqin, shkrimtar malazez me prejardhje shqiptare, i cili nuk shkruan në gjuhën e të parëve, po shkruan në gjuhën e shtetit në të cilin i ka rënë fati të jetojë, pas copëti­mit të trojeve shqiptare në dekadat e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në romanin e tij të fundit, “Të gjithë njerëzit e mi”, roman autobiografik, shkrimtari Zuvdija Hoxhiq shkruan për ngjarje të së kaluarës, të kohës kur shqiptarët ishin bashkë nën Perandorinë Osmane, po edhe më tej, pas largimit të Perandorisë Osmane.

Pas ngjarjeve tragjike të Bosnjë-Hercegovinës, një pjesë të këtij romani ia kushton edhe Kosovës, përkatësisht luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Në këtë luftë, vajza e tezës së tij, Shefka,“ka bërë betimin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ka kaluar stërvitjen, ka marrë pjesë në përleshjet me forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe, ka luftuar rreptësishtë, pa mëshirë, ndaj armikut ashtu si ai ndaj popullatës shqiptare. Ushtarët kanë vrarë të pafajshmit, kanë djegur shtëpitë, dorëshkrimet e vjetra shekullore dhe me vlerë. Pa frikë dhe me guxim është vënë si udhëheqëse e çetës ‘Baba Faja Martaneshi’”.[7]

Kjo vajzë, së cilës shokët e luftës ia vënë emrin e Shotë Galicës, vritet në Junik, duke u bërë kështu dëshmitare dhe dëshmore njëherësh e një lufte të pabarabartë për çlirim.

Shkrimi si terapi për shërimin e ndërgjegjes së vrarë
Në shtetet ideologjike, siç ishte edhe ish-Jugosllavia, krijuesit i paguanin tagër ideologjisë, sidomos ata që ishin më ambiciozë. Njëri prej tyre ishte Jusuf Buxhovi, i cili që në vitet ’70dërgohet korrespondenti gazetës së përditshme të Kosovës “Rilindja” në kryeqytetin e Republikës Federale të Gjermanisë, Bon.

Se kush dërgohej si “korrespodent” në qytetet e kryesore të Evropës dhe në ShBA, kjo pak a shumë dihet: të besueshmit e regjimit.

Të shërbyerit regjimit ideologjik (kupto: në dëm të popullit të vet), lë plagë në ndërgjegjen e krijuesit, plagë që më vonë ky krijues synon t’i shërojë. Këtë synon ta bëjë në vazhdimësi Jusuf Buxhovi, i cili krijimin e letërsisë, dhe jo vetëm të letërsisë, por shkrimin “historik”, intervistat e ndryshme, atë publicistik etj., e përdor si një lloj terapie për shërimin e ndërgjegjes së vet të plagosur.

Si ish-agjent i UDB-së, gjë që tërthorazi e ka pohuar jo vetëm në një rast, në çdo shkrim të tij i krijon rrethanat e tilla që veten ta nxjerrë në anën e duhur të historisë, me ç’rast lexuesi, për çdo periudhë nëpër të cilën ka kaluar, bazuar në shkrimet e tij, mund të nxjerrë shembuj të cilët Jusuf Buxhovin e nxjerrin në anën e ndritshme të historisë.

Këtë shkrim – shkrimin si terapi për ta shëruar ndërgjegjen e vrarë – Buxhovi e ka nisur para rënies së Murit të Berlinit, me romanin “Libri i të mallkuarve” (“Rilindja”, Prishtinë, 1989), por në këtë roman ende zotëron poetika e romanit simbolik-alegorik, ndërkaq e ka vazhduar më pas thuajse me të gjitha romanet, që nga “Prapë vdekja” e deri te “Dosja B”, tek i cili do të ndalemi më gjatë.

Kohën e rrëfimit në romanin e fundit e çon deri te përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, po më së shumti ndalet në zhvillimet e viteve ’70e tutje, kohë në të cilën Buxhovi dërgohet “korrespodent” i gazetës “Rilindja” në kryeqytetin e Gjermanisë Federale, Bon. Për këtë kohë, dhe atë më pas, është i specializuar se, siç duket, atje ishte dërguar jo që ta përcjellë jetën kulturore të emigrantëve shqiptarë si dhe zhvillimet në Gjermaninë fede­rale, po pikërisht për ta përcjellë veprimtarinë e emigrantëve politikë shqip­tarë. Dhe gjithë atë “dije” të përfituar gjatë asaj kohe e derdh në romanin e tij “Dosja B”, dhe jo vetëm në të.

Lufta në mes të të kundërtave, të cilat i jep në romanin e tij, është shpre­hur si një luftë në mes të së mirës dhe të së keqes. Në këtë ndeshje autori gjithnjë është në anën e së mirës.

Sipas Jusuf Buxhovit, lufta e grupeve shqiptare kundër Jugosllavisë, në vitet ’70, ka qenë e sponsoruar nga KGB-ja ruse dhe Sigurimi shqiptar si pjesë e KGB-së.

Cili ishte qëllimi i këtyre grupeve shqiptare që luftojnë kundër vetëqeve­risjes jugosllave? Sipas Buxhovit, qëllimi ishte që të nxiteshin konfliktet në Jugosllavi, të cilat, pas vdekjes së Titos, Bashkimi Sovjetik do t’i përdorte si pretekst për të ndërhyrë në Jugosllavi dhe për ta kthyer Jugosllavinë nën Paktin e Varshavës! Dhe, në këtë kontekst, luftimi i këtyre grupeve nga UDB-a, pjesë e së cilës ishte edhe Buxhovi, është legjitime, sepse kjo bëhet që Jugosllavia të mos kthehej nën Paktin e Varshavës, një gjë e tillë është edhe në interes të NATO-s, që Pakti i Varshavës të mos zgjerohet! Buxhovi i përket anës që e lufton këtë lëvizje klandestine shqiptare në Perëndim, edhe pse është pjesëtar i kombit shqiptar, prandaj me këtë e shëron ndër­gjegjen e vet, se ka bërë një luftë të drejtë! Marrë globalisht, përtej intere­save të ngushta nacionale, si të mos jetë në anën e drejtë kur ishte në anën e atyre që e kanë luftuar zgjerimin e Paktit të Varshavës?! Dhe se, në fund të fundit, dobësimi i Paktit të Varshavës është edhe në interes të kombit të tij?

Për demonstratat e rinisë studentore dhe të popullit shqiptar të vitit 1981, inteligjencia zyrtare e Kosovës, shumica, e edhe Buxhovi, kishte pranuar kualifikimin zyrtar të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë e Jugosllavisë si “kundërrevolucion”! Pra, tetë vjet para rënies së Murit të Berlinit, kjo inteligjenci, e bashkë me të edhe Jusuf Buxhovi, kishte qenë revolucionare, e majtë, ndërkaq tani, me rënin e Murit të Berlinit, na kthehet në inteli­gjenci patriotike intelektuale, e djathtë, si pasardhëse e Nacional-Demo­kratës shqiptare! E “kundërrevolucionarët” tani janë “revolucionarë”, janë ideologjikë, janë njerëz që duan ta kthejnë shtetin institucional në shtet ideologjik!

Për Buxhovin, në vazhdimësi, të gjithë ata që luftojnë kundër regjimit jugosllav janë njerëz ose të shtyrë nga shërbimet e huaja inteligjente, ose janë kriminelë të lindur të cilët, kinse, përmes luftës atdhetare, zhvillojnë veprimtari kriminale, ndërsa ata që i përndjekin këta, janë faqja tjetër, ajo e ndritshmja, pjesë e së cilës është ky në çdo kohë! Pra historia zhvillohet bardh e zi, ndërsa Buxhovi gjithnjë qëndron në anën e bardhë. Ky është qëllimi i krijimtarisë letrare dhe historike të Buxhovit, me ç’rast veprat (pseudo)letrare kanë faqe të tëra të diskursit (pseudo)historik!

Ndryshe nga Zejnullah Rrahmani, Jusuf Buxhovi e pranon që në vitet 1998-1999 në Kosovë ka pasur luftë, po çështja është çfarë lufte kishte në Kosovë?

Këtë ka qëllim ta tregojë në romanin “Dosja B”.

Në romanin “Dosja B.”, në të cilin Buxhovi fokusohet kryesisht nga ngjarjet e vitit 1997, pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri e deri në vitet e pasluftës në Kosovë, ngjarjet lëvizin sidomos në pjesët e Kosovës ku ishte organizuar lufta e UÇK-së, duke u nisur nga zona e Nerodimes, Shtimja, Malisheva e deri në Prizren, në anën e majtë të Drinit, për të kaluar në anën tjetër, në Dushkajë, ndërsa përfundojnë në Shtabin e Për­gjithshëm të UÇK-së në Drenicë, për t’u rishfaqur pas luftës përmes Rojës së Burgut dhe Vrasësit të Penduar.

Në këtë roman së pari bëhet barazimi në mes të UÇK-së dhe të forcave ushtarake e policore serbe, por Jusuf Buxhovit nuk i mjafton kjo gjë dhe shkon më tej duke mos i mjaftuar barazimi: theksi këtu bie mbi krimet e UÇK-së, veçanërisht ndaj popullit shqiptar, rrallë edhe ndaj ndonjë serbi, siç është rasti i burgosjes së një postieri nga Drenica, i cili është dashamir ndaj shqiptarëve, saqë krimet serbe bien në hije nga krimet që ka kryer UÇK-ja!

Subjekti i romanit nis nga Lufta e Dytë Botërore, po fokusi i autorit është në zhvillimet nga vitet ’90e tutje, kur bie ideologjia komuniste, kur intele­ktualët kosovarë, siç thotë jo vetëm një herë në roman, sidomos ata të “Rilindjes”, krijojnë LDK-në, e cila, sipas autorit, është lëvizje kombëtare, që rrënjët i ka te Nacional-demokratja shqiptare, ndërkaq LPK-ja është trashëguese e ideologjisë komuniste!

Si ndodhi kjo alkimi, çfarë shndërrimesh kanë ndodhur në botën shqip­tare, në fund të viteve ’80, kur bie komunizmi dhe shteti jugosllav legalizon pluralizmin politik, me ç’rast regjistrojnë një parti politike, që do të veprojë sipas kornizës ligjore serbe e jugosllave, një mendje e shëndoshë e ka të vështirë ta kuptojë!

Është fakt historik se Nacional-demokratja shqiptare, pas Luftës së Dytë Botërore, është luftuar dhe asgjësuar nga komunistët, të cilët e morën push­tetin nga viti 1944 e deri në vitin 1989, pjesë e të cilëve ishte edhe inteli­gjencia që krijoi LDK-në, ndërkaq, nga Jusuf Buxhovi, me një të rënë të lapsit, të gjithë komunistët e Kosovës që kanë qenë në pushtet nga viti 1945 e deri më 1989 tani bëhen trashëgues të Nacional-demokrates shqiptare, dhe të gjithë kundërshtarët e komunistëve, shumica prej të cilëve të burgo­sur politikë përgjatë kësaj kohe, bëhen trashëgues të komunistëve! Se si bëhet kjo lidhje e këtyre intelektualëve komunistë me Nacional-demokra­ten shqiptare, të dënuar 45 vjet më parë, shumica prej të cilëve as të lindur nuk ishin kur u dënua Nacional-demokratja shqiptare; njerëz të cilët gjatë gjithë jetës së tyre ishin të nënshtruarit e Lidhjes së Komunistëve të Jugo­sllavisë, këtë nuk na e thotë askund Jusuf Buxhovi!

Letërsia moderne, përkundër asaj të realizmit socialist, e tejkalon skemën e ndarjes së botës në bardh e zi. Letërsia e Kosovës, si letërsi moderne, pretendon se e ka tejkaluar këtë skemë, sidomos nga gjysma e dytë e viteve ’60e tutje, po Jusuf Buxhovika më shumë se tri dekada që është kthyer në këtë skemë, në bazë të së cilës i thur krijimet e veta.

Skemën bardh e zi, jo vetëm përmes ngjarjeve, përmes konfliktit në mes të personazheve negativë e pozitivë, përmes ideve, jo rrallë Jusuf Buxhovi në romanin e tij e jep direkt, tamam sikurse në librat sociologjikë apo edhe psikologjikë. Citoj: “…konfliktin e thellë të kahershëm shoqëror dhe politik midis dy rrymave: asaj intelektuale dhe ideologjike, të cilat shka­tërrimi i ish-Jugosllavisë si dhe konfliktet e shpërthyera me atë rast i kishte vu përpara përgjegjësisë historike që t’i jepej përgjigje ardhmërisë në rretha­nat e reja tepër të turbullta ku opsionet çfarëdo qofshin pashmangshëm përku­fizohen me limitet e gjeostrategjisë dhe ato të gjeopolitikës, që duhej njohtë dhe kuptuar për të mos u shpërputhur me to”.[8]

Po i njëjti diskurs sociologjik zhvillohet në më shumë se gjysmën e vëlli­mit të këtij romani: “Natyrisht se në këtë përvijim tepër të rëndësishëm, rryma intelektuale me përkushtim patriotik, kishte qenë e drejtpërdrejtë në të dy planet (atë gjeostrategjik – në binarët perëndimorë dhe gjeopolitikë – në binarët e parlamentarizmit demokratik), mbi të cilën ishte mbështetur edhe platforma e lëvizjes institucionale (shteti i pavarur i Kosovës, që si parakusht kishte shkëputjen e lidhjeve me Serbinë)”.[9]

Buxhovi, që më parë e ka në kokë atë që do të thotë. E ka hartën në të cilët lëvizin personazhet e tij, e ka edhe kohën, dhe ky i drejton ata në këtë kohë dhe hapësirë. Në të vërtetë, Jusuf Buxhovi ka më shumë se tri dekada, që i lëviz personazhet në bazë të ideve që ka që më parë në mendje. Siç kuptohet nga citatet, në këtë roman të tij bota shqiptare është e ndarë në dysh: në patriotë dhe në ideologë; në luftëtarë të lëvizjes kombëtare dhe në revolucionarë ideologjikë; në intelektualë dhe jointelektualë.

Shumicën e veprave romanore Buxhovi i ka krijuar për ta arsyetuar rrugën të cilën e kishte marr që i ri. Dallimi tani është në atë se, në vitet ’80 fshihej pas metaforikes e simbolikës, fshihej pas aluzioneve etj., ndërkaq pas rënies së Murit të Berlinit, në veprën e tij ideologjike (gjithë kohën bën luftë ideo­logjike) stigmatizon ideologjinë kundërshtare, kinse nga pozita e intelektu­alit të deideologjizuar!

Romani për pasojat e luftës
Nga pikëshikimi i kundërt prej Jusuf Buxhovit e Zejnullah Rrahmanit, temën e luftës së UÇK-së e trajton Shefkije Islamaj.

Lufta në mes palëve të ndryshme, si kohë, gjithnjë është më e shkurtër se pasojat që lë lufta prapa. Romani i Shefkije Islamajt, “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”, sipas Bedri Zyberajt, nuk është fokusuar në dhënien e drejtpërdrejt të luftës, po “më shumë në pasojat e saj, e më pak në vetë atë, si fenomen real”.[10]

Dhënia e luftës jo direkt, po sipas pasojave që sjell ajo, në letërsinë shqipe është e njohur me romanin e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, edhe pse këto dy vepra janë të ndryshme mes tyre.

Narratorja e romanit dhe protagonistja në të njëjtën kohë, është një mjeke, gjinekologe, e cila do të shkruajë një roman për kohën në të cilën njerëzit donin ta zhbinin njëri-tjetrin.

Në këtë roman është dhënë ana e jashtme e luftës, si vrasjet, djegiet, dhunimet etj., po narratorja më shumë fokusohet te bota e brendshme e personazheve, te fati i tyre në luftë, te përjetimet e tyre, te plagët që i marrin këto personazhe. Luftën e jep përmes fatit të një vajze 18-vjeçare, Butës, e cila ishte përdhunuar nga forcat serbe gjatë depërtimit masiv të popullsisë shqiptare në Shqipëri dhe, si pasojë e këtij përdhunimi, kishte ngelur shtat­zënë.

Pra, pasojat e luftës nuk ndodhin vetëm për kohën sa zgjat lufta, por edhe pas saj. Shtatzënësia e Butës, lë të kuptohet se, ashtu siç e bart Butja në barkun e saj frytin e dhunimit, njeriu që ka përjetuar luftën, pasojat e saj do t’i bartë edhe më tej. Ky njeri për një kohë të gjatë, disa edhe deri në vdekje, do të jetojë me pasojat e luftës.

Si të sillet Butja ndaj këtij “fryti” të dhunimit, të jetojë me të dhe kështu të mbijetojë, apo të përfundojë bashkë me të?

Pra, autorja në romanin e saj ka trajtuar një temë që përshkohet përmes etikës dhe ekzistenciales: Si të sillet njeriu ndaj frytit të përdhunimit, kur ky fryt është bërë pjesë e tij?

Dhënia e luftës përmes fatit të femrës në luftë, e bën më të ndjeshme këtë temë. Po të ishte mashkull Butja, do të përfundonte me një plumb pas kokës dhe, me këtë dhimbje të madhe, do të përfundonin edhe dhimbjet e saj njëherë e përgjithmonë, ndërkaq, si femër, nuk vritet me plumb, por “vritet” përmes përdhunimit, vrasje të cilën edhe për një kohë do ta bartë me vete e në vete në jetën e saj. Fundi i luftës për të gjithë të tjerët nuk shënon edhe fundin e luftës për të dhunuarën, sepse ajo tani është në një luftë të re jo vetëm me dilemat e saj, por edhe me mentalitetin e shoqërisëe cila nuk e gjykon veten pse nuk mundi ta mbrojë atë nga dhunimi, po e gjykon të dhunuarën! Një qëndrim i tillë ndaj të dhunuarës nga forcat serbe do të thotë përsëritje e dhunimit tani në rrethana të tjera. Në pamundësi ta përballojë këtë dhunim të dytë, Butja bën vetëvrasje. “Mirëpo, motivi i vetëvrasjes së Butës në romanin‘Mos më thuaj…’ është diçka më shumë sesa shënjues i thjeshtë i rrjedhojave të luftës, i vuajtjeve dhe pësimeve të saj”.[11]

Butja bën vetëvrasje sepse ajo nuk mund ta durojë dyfytyrësinë e shoqërisë në të cilën jeton, nuk mund ta durojë gjykimin që bën kjo shoqëri ndaj saj. Po vrasjet dhe vetëvrasjet e atyre që kanë përjetuar luftën kanë vazhduar deri në ditën e sotme, ndërkaq, vrasja e tillë që u bëhet pjesëtarëve të luftës, luftëtarëve të UÇK-së, është edhe stigmatizimi i tyre në veprat e disa prej prozatorëve kosovarë, ku më i dalluari mes tyre është Jusuf Buxhovi.

Emërtimi si shprehje e thelbit të luftës
Në tregimin e gjatë “Varret pa të vdekur, të vdekurit pa varre”, të Bedri Zyberajt, përmes dialogut që bëjnë komandanti serb me vozitësin e vet, përpiqet të depërtojë në fenomenin e luftës.

Ky dialog ndodh pesë ditë pas një masakre në të cilën forcat serbe vranë 106 shqiptarë. Pasi në këtë masakër është vrarë biri i saj, një plakë çdo ditë rri gjatë tërë ditës pranë varrit të tij; vozitësi do ta vrasë plakën, po koman­danti e ndalon. Të nesërmen, kur komandanti dhe shoferi i tij e vizitojnë vendin e kryerjes së masakrës, prapë e shohin plakën që qëndron pranë varrit të të birit, indiferent ndaj pranisë së njerëzve që kanë kryer masakrën. Këtu fillon dialogu në mes vozitësit dhe eprorit të tij: përse eprori nuk i jep leje ta vrasë atë plakë, ngase i dhimbset? Gjatë bisedës kuptohet pse-ja e këtij veprimi. Eprori e ka përvojën e paraardhësit të tij, të gjyshit i cili në fillim të shekullit kishte marrë pjesë në pushtimin e tokave shqiptare, pran­daj edhe ka krijuar filozofinë se si duhet të bëhet spastrimi i këtyre tokave nga banorët e saj.

Kujtesa: 80 vjet më parë gjyshi i këtij eprori serb ka marrë pjesë në vrasjen e 30 shqiptarëve, në fshatin tjetër pas bjeshke; pra janë masakrat që lidhin të djeshmen me të sotmen.

Në këtë tregim, përmes atyre që bëjnë luftë kundër vendorëve, shpërfaqet edhe kundërshtia: ne – ata. Sipas eprorit, serbët sikur edhe popujt e civili­zuar, luftën e bëjnë me mend, ndërkaq shqiptarët me zemër, prandaj këta të fundit edhe janë më të dobët në luftë.

Ndër të tjera, këta përsiatin edhe për emërtimin e luftës, i cili reflekton edhe në karakterin e luftës: emërtimi i luftës sipas emrit të njerëzve, si lufta e Sadik Ramës apo e Azem Bejtës, lufta e Shaban Polluzhës, dje, tregon luftën e karakterit lokal që lidhet me një krahinë, ndërkaq emërtimi i kësaj të fundit që po bëhej tani si lufta e UÇK-së, tregon karakterin mbikrahinor apo karakterin kombëtar të saj, sepse kjo luftë nuk është e lidhur me një krahinë apo me persona të veçantë, po me një komb.

“Ne mund të çlirohemi nga kjo farë e keqe vetëm duke ua shtuar vuajtjet e jo varret. Një varr më tepër, një lidhje më shumë është për ta me këtë tokë”.[12] Ky është konkluzioni në të cilin ka ardhur komandanti i ushtrisë serbe, prandaj dhe kishte urdhëruar që plaka të mos vritej nga shoqëruesi i tij.

Trillimi letrar dhe trillimi “historik”

Që në zanafillë të krijimit të saj, përmes trillimit në letërsi artikulohen të vërteta të përgjithshme e universale për të qenët e njeriut në botë, të vërteta me të cilat njeriu përballet përherë (të kujtojmë Epin e Gilgameshit); jo për të vërteta të pjesshme, me të cilat merret historia; ndaj themi se trillimi e shpreh natyrën e letërsisë, dhe është pikërisht ai që e dallon letërsinë nga historia.

Sipas Aristotelit, natyra e poezisë nuk qëndron te forma, po te përmbajtja e saj.Sipas tij, edhe vepra e Herodotit do të mund të kthehej në vargje, po ajo prapë nuk do të ishte letërsi, sepse ajo e thotë atë që ka ndodhur, ndërkaq vepra letrare e thotë “atë që mund të shpresohet që do të ndodhë”.[13] Për ta saktësuar më tej përse poezia është më filozofike se historia: “poezia tregon më tepër gjëra të përgjithshme, kurse historia gjëra të veçanta”.[14]

E vërteta e letërsisë qëndron në trillimin letrar, në atë trillim në brendinë e të cilit fshihen të vërteta të përhershme të të qenit të njeriut në botë, për vuajtjet dhe ëndërrimet e këtij njeriu, për përpjekjet që ta tejkalojë vetveten. Si shembull marrim trillimin në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë: prapa një rrëfimi të trilluar për zhvarrimin e ushtarëve italianë në Shqipëri, 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, kur Italia fashiste dyzetmilionëshe kishte pushtuar Shqipërinë, e vërteta e këtij trillimi është se luftërat pushtuese, pa marrë parasysh sa të fuqishëm që të jenë ata që i bëjnë, në fund dështojnë.

Një tjetër trillim, i kundërt me të parin, është trillimi “historik”, trillim që synon të kthehet në të vërtetë historike, si njëfarë keqpërdorimi i të parit, kur autori përmes këtij trillimi nuk synon të vërteta të përgjithshme, uni­versale, po të vërteta të veçanta, të pjesshme, shkurt, shkruan histori (të njëanshme), të cilat i shoqëron me ngjarje dhe personazhe.

Përfaqësues i një trillimi të tillë në Kosovë është Jusuf Buxhovi: “letërsia” e Jusuf Buxhovit, e krijuar me një gjuhë më shumë “dokumentare” pub­licistike, nuk ka për synim zbulimin e të vërtetave të përgjithshme dhe uni­versale të të ekzistuarit të njeriut, po të vërteta parciale, të veçanta, që lidhenme një kontekst kohor të caktuar, jo përmes një konteksti të shkohet drejt dekontesktualizimit, po të mbetet në vetë kontekstin për të cilin rrëfen; jo të vërteta të përgjithshme, po për të vërteta të veçanta.

Në krijimtarinë letrare të Jusuf Buxhovit, Zejnullah Rrahmanit etj., bëhet kthimi i skemës bardh e zi në letërsinë shqipe, trillimi letrar vihet në shërbim të të veçantës dhe, në fund, lexuesi nuk përjeton katarsis, përkundrazi, për­jeton mllef dhe dëshirë për hakmarrje ndaj të gjithë atyre të cilët këta krijues i pasqyrojnë me ngjyra të errëta; pra lexuesi ndien se, me përfun­dimin e romanit lufta nuk ka përfunduar, por sapo ka filluar dhe mbush lexuesin me urrejtje dhe revoltë ndaj së keqes të personifikuar te persona­zhet negative, të cilët kanë ngadhënjyer.

Një trillim i tillë nuk synon të rrëfejë për ngjarje që mund të shpresohet që do të ndodhin, por për ngjarje që kanë ndodhur. Proza e këtyre krijuesve është më afër historisë (historisë së trilluar) sesa letërsisë. Ndodhitë e pro­zave të tyre, pa marrë parasysh formën që kanë, pra që janë të krijuara me personazhe e dialogë personazhesh, më afër janë me historinë sesa me letërsinë. Zaten, ky ishte edhe qëllimi i autorëve të këtyre prozave: të tre­gojnë të vërtetën për ngjarje të caktuara. Ndoshta edhe për këtë arsye, lexuesi i këtyre veprave në prozë, në fund të leximit të tyre nuk pëson katarsë, nuk shkarkohet nga emocionet që shkaktohen nga ngjarjet tra­gjike, po, përkundrazi, mbushen me emocione: në rastin konkret – me mllef, i cili shkaktohet nga padrejtësia që i bën njëra palë -e keqja, palës tjetër – të mirës.

Përfundim

Lufta e UÇK-së jo vetëm që nuk ka zënë vendin e merituar në letërsinë shqipe pas përfundimit të saj në qershor të vitit 1999 kur, me ndihmën e NATO-s, regjimi shtypës i Millosheviqit së bashku me makinerinë e tij u detyrua të lëshonte Kosovën, po kjo luftë në letërsi edhe është stigmati­zuar, duke i dhënë ngjyra kriminale, nga shkrimtarë të cilët karrierën e tyre e kanë krijuar në Jugosllavinë socialiste, para rënies së Murit të Berlinit.

Sa i përket kësaj lufte, në librat e tyre, disa prej shkrimtarëve shqiptarë të cilët karrierën e vet e bënë në atë kohë, ose e mohojnë ose e kriminalizojnë, duke i atribuuar udhëheqjes së kësaj lufte cilësitë e një grupi të kriminali­zuar, i cili nuk kishte synime atdhetare, po ideologjike.

Gjatë gjithë kohës Buxhovi, në romanin “Dosja B”, konfliktin brenda­shqiptar e kualifikon si konflikt i vjetër shoqëror në mes të dy rrymave: rrymës intelektuale dhe asaj ideologjike. Të dyja këto rryma, sipas tij, janë të pastra, pa asnjë cilësi tjetër: ata që janë intelektualë, në tërë qenien e tyre janë intelektualë; ata që janë ideologjikë, janë tërësisht qenie ideologjike. Asnjë raport nuk ekziston në mes tyre, përveç përplasjes, e cila burimin e ka te rryma ideologjike, që nuk i zgjedh mjetet për ta arritur ngadhënjimin ndaj rrymës intelektuale. Kur bëhet ndeshja në mes të rrymës intelektuale dhe asaj ideologjike, dihet që më parë ngadhënjyesi: ai që nuk i zgjedh mjetet për ta arritur fitoren, pra rryma ideologjike, e cila mbështetjen e ka te rrymat ideologjike ndërkombëtare, ndërkaq rryma intelektuale te intele­ktualiteti i vet, prandaj, ndër të tjera, e para ka përparësi ndaj së dytës.

Sa i përket luftës në letërsi, gjithë ajo luftë bëhet në “Iliadë”, gjithë ata heronj vriten, gjithë ato tmerre ndodhin, po askund Homeri nuk merr anë; për të, të gjithë janë heronj, asnjëri prej tyre nuk është përgjegjës për luftën, për të cilën fajin e kanë zotat; pra të dyja palët janë të barabarta, edhe përfundimi i luftës është në dorën e vet zotave të Olimpit!

Ndërkaq, sa i përket luftës së UÇK-së, edhe pse inteligjencia shqiptare do të duhej të merrte anë, pra ta përkrahte popullin e vet, ta përkrahte të drejtën e këtij populli për të jetuar i lirë, po t’i përkrahte edhe ata që bënë luftën mbrojtëse, çështja qëndron ndryshe: jo vetëm bashkësia ndërkombë­tare, me krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë në të cilën gjykohen vetëm shqiptarët, po edhe një pjesë e inteligjencies shqiptare, që e emërton veten “elitë”, e cila me rënien e Murit të Berlinit, kur u legalizua pluralizmi politik, kishte krijuar një lëvizje paqësore përmes së cilës bënte përpjekje ta zgjidhte çështjen e Kosovës, po që në fund të një dekade të kësaj lëvizjeje rezultatet ishin baras me zero – shkrimtarë, profesorë, aktorë e regjisorë, të motivuar politikisht, në qëndrimin ndaj luftës së UÇK-së ishin dhe vazh­dojnë të jenë të njëanshëm! Pra, atë që nuk e bëri Homeri para më shumë se tremijë vjetësh, e bëjnë sot këta homerë shqiptarë të kohës sonë! Si zakonisht në veprat e tyre letrare apo filmike, sa i përket luftës së UÇK-së, këta, duke zbuluar “fajtorin”, që është gjithnjë tek ata që e bënë luftën, para lexuesit apo shikuesit, nuk e ruajnë paanësinë sa i përket luftës në mes të dyja anëve të kundërta: UÇK-së dhe forcave policore e ushtarake serbe! Nëse vargu i parë i “Iliadës” nis me mëninë e Akil Pelidit për vrasjen e mikut të vet nga Hektori, epika e këtyre pseudo-shkrimtarëve-elitë nuk i këndon mënisë së UÇK-së ndaj forcave policore dhe ushtarake serbe, po mënisë së vet këtyre pseudo-intelektualëve ndaj luftës së UÇK-së! Dhe, nëse me veprën e tyre moderne, moderniste e ultra-moderniste kurrë nuk arritën të dalin në Evropë, dëshirë e tyre e kamotshme, tani këtyre super-krijuesve u erdhi rasti të shkojnë atje së paku si dëshmitarë të Gjykatës së Hagës kundër luftës së UÇK-së!

Ndryshe prej të parëve, këtë luftë e trajtojnë Shefkije Islamaj, Bedri Zyberaj dhe shkrimtari malazez me prejardhje shqiptare, Zuvdija Hoxhiq etj. Këta të fundit, secili në mënyrën e vet, e trajtojnë luftën si një fenomen me pasoja të mëdha humane, psikologjike, ekonomike dhe shoqërore. Nuk e politizojnë luftën, po merren me tragjiken e luftës, me sakrificat që njerëzit detyrohen të bëjnë për t’i mbijetuar asaj, si dhe me pasojat e luftës, të cilat zgjasin shumë më gjatë se vetë lufta. Ndërsa të parët zhyten në çështjen: kush kishte të drejtë e kush nuk kishte të drejtë, duke e harruar kështu thelbin e çështjes, të dytët futen në vetë thelbin e çështjes, duke e trajtuar luftën si një fatkeqësi që e ndjek njerëzimin që nga krijimi i shoqërisë njerë­zore e deri në ditët tona, si një thirrje kundër saj, si një përpjekje që, me katarsisin që përjetojnë njerëzit kur i lexojnë veprat e tyre, ta konsiderojnë luftën si një fenomen antinjerëzor, i cili duhet të tejkalohet.

[1] Oliver Jens Schmitt, Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike,Koha, Prishtinë, 2012, f. 253-254.

[2] Po aty f. 325.

[3] Ibrahim Kelmendi, Trileri i O. J. Schmitit për Kosovën, Gjon Buzuku & Epoka e re, Prishtinë, 2013.

[4] Po aty f. 225.

[5] Po aty f. 225.

[6] Revista Fjala, nr. 3, mars 2001, f. 7.

[7] Zuvdija Hoxhiq (Berisha), Të gjithë njerëzit e mi,Onufri, Tiranë 2017, f. 53.

[8] Jusuf Buxhovi, Dosja B, f. 333.

[9] Po aty, Dosja B, f.333-334.

[10] Bedri Zyberaj, Në gjurmë të arketipeve, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2013, f. 203.

[11] Po aty f. 206.

[12] Bedri Zyberaj, tregimi Varret pa të vdekur, të vdekurit pa varre, revista Akademia, nr. 2, 2018, f. 233.

[13] Aristoteli, Poetika, Buzuku, Prishtinë, 2010, f. 31.

[14] Po aty f. 31.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

Më Shumë

Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të paqëndrueshme meteorologjike. Në njoftimin e IHMK-së bëhet...

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Lajmet e Fundit