Kabllot e shumta elektrike po rrezikojnë qytetarët e Prizrenit.
Grupi joformal “Guerilja Kulturore Urbane”, ka zhvilluar një aktivitet me qëllim të ndërgjegjësimit të institucioneve lokale të Komunës së Prizrenit, për të ofruar një qasje më proaktive karshi dukurive të shëmtuara të cilat e ngulfatin zhvillimin modern urban, hapësirën publike, si dhe e dëmtojnë imazhin e qytetit të Prizrenit si qendër e rëndësishme kulturore mbarëkombëtare
Përmes fotografive ky grup tregon “kaosin” e kabllove elektrike, të cilat njëherësh janë edhe furnizues dhe përcjellës të rrymës
“Që nga paslufta, në Kosovë ka filluar të shfaqet një dukuri mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme për sigurinë e qytetarëve të Prizrenit. Tela dhe kabllo të shumta si rrjeta marimange të cilat varen mbi kokat e qytetarëve të cilët çdo ditë i frekuentojnë rrugët e qytetit të Prizrenit, kanë filluar të shkaktojnë kaos urbanistik dhe shëmtim të lagjeve, sidomos në zonën historike të qytetit, duke krijuar një imazh aspak të këndshëm të qytetit historik të Prizrenit”, thuhet në komunikatën për media.
“Veç kësaj, kaosi kabllor është pengues i lëvizjes së lirë dhe kërcënim i përhershëm për sigurinë e qytetarëve nga pasojat e këputjeve të mundshme. Pavarësisht ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, institucionet përgjegjëse nuk e kanë parë të udhës që të ndërmerret diçka e të ndryshohet kjo gjendje. Përkundër deklarimeve të vazhdueshme të qeverisjes lokale për një qytet modern evropian, qytetarët dhe turistët e shumtë vazhdojnë të lëvizin rrugëve të qytetit, mbi kokat e të cilëve shtrihen të qeta rrjeta të shumta merimangash nga kabllot e operatorëve të ndryshëm privatë, duke mos marrë parasysh asnjë standard sigurie”
“Telat dhe kabllot e shumta kanë pushtuar hapësirën publike ajrore të qytetit të Prizrenit, duke i shtrirë ato në mënyrë shpërdoruese nëpër ndriçues rrugorë dhe pemë dekorative, të mirëmbajtura nga taksapaguesit prizrenas. Ato çdo ditë e më tepër dëmtojnë imazhin e qytetit të Prizrenit dhe kërcënojnë sigurinë e qytetarëve”.
“Është koha e fundit për mobilizim dhe përkushtim institucional që të vihet rend dhe të bëhen ndryshime pozitive në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarit”.
Projekti ka karakter regjional dhe zbatohet nga një konzorcium i OJQ-ve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përgjegjëse për Kosovë është Akademia e Trajnimeve dhe Asistencës Teknike (ATTA),ndërsa mbështetet nga Fondi Kulturor Europian (ECF)./PrizrenPress.com/