12.8 C
Prizren
E premte, 10 Maj, 2024

Mbi Jurij Lotman

Nga Julia Kristeva

Kur ra muri i Berlinit? Sidoqoftë kjo ngjarje na habiti në vjeshtën e 1989-s, – në të vërtetë asnjë nuk i parashikoi as shpejtësinë e as pasojat e saj – unë besoj që krisjet në mur filluan të ndihen qartë në fillim të viteve ’60-të. Disa dijetarë të panjohur – mendimtarë që shprehnin ide turbulluese në fraza hermetike – ishin duke u rigrupuar, si një koloni milingonash, për të kryer vepra subversive. Shumë komplekse për kulturën e medias të sapolindur, vepra e tyre ishte, sigurisht, e padukshme për Parisin apo New York-un; por mjeshtrit e Kremlinit nuk ishin të paditur për efektet e saj shkatërruese.

Jurij Lotman ishte një nga këta dijetarë. I lindur më 28 shkurt 1922 në Petërburg, doktor në filologji, profesor në Universitetin e Tartu-së, Estoni, ky ish student i Vladimir Propp-it, u bë në 1964-ën editori i Studimeve të Sistemeve Shenjtore, një revistë e publikuar nga Universiteti i Tartu-së. I njohur si strukturalisti i parë sovjetik me librin e tij Mbi Përcaktimin e Kufijve të koncepteve Linguistike dhe Filologjike të Strukturës (1963), Lotman-i publikoi veprën e tij Leksione mbi Poetikën Strukturale në numrin e parë të Studime të Sistemeve Shenjtore (1964) dhe i vazhdoi analizat e tij në Struktura e Tekstit Artistik (1970) dhe në Një Analizë e Tekstit Poetik (1972), përpara se të merrej me studimin mbi filmin (1973) dhe, së fundi, më 1992, duke iu drejtuar kulturës si një fakt specifik të Kulturë dhe Shpërthim. Gjithë-gjithë ai krijoi më tepër se 550 tekste.

Gjatë dekadës së çuditshme të 1960-s, disa parashikuan valën e së ardhmes tek kërkimet modeste dhe diskrete të Lotman-it. Duke vuajtur akoma për luftën në Algjeri, Franca nuk mund të shihte më gjatë përshtatjen e klisheve të vjetruara tradicionale të përhapura në Sorbonë dhe po lodhej nga përgjithësimet metafizike të dashura për ekzistencializmin, të cilat po rinovoheshin vetëm sipërfaqësisht nga disa prekje të Hegelo-Marksizmit. Tashmë “samurajët” e brezit strukturalist dhe poststrukturalist kapeshin qetësisht, por në mënyrë pasionante me shenjat e reja që zinin fill nga kultura që i rrethonte nga mitet e saj, shkrimet dhe imazhet e saj. Për ta, për ne, analiza intensive e propozuar nga shkolla e Tartu-së dhe veçanërisht nga Lotmani ishte një bashkëfajtore, nëse nuk ishte një paralajmëruese, në dëshirën për të fokusuar kuptimin – i cili, siç e dinim ishte krejt lënda e qenieve njerëzore – me një shkëlqim kritik që mund të hulumtonte pakuptueshmërinë dhe të parashikonte përmbysjet.

Më 1968 unë publikova tek Tel quel (nr.35) përkthimin e parë në frëngjisht (në fakt, i pari në gjuhën perëndimore) nga semioticienët e Tartu-së. Së bashku ne themeluam Shoqatën Ndërkombëtare të Semiotikës; edhe pse Lotman-i nuk mund të largohej nga Bashkimi Sovjetik për të marrë pjesë në kongresin e themelimit në Varshavë, ai u bë zëvendëspresident i shoqatës më 1968-ën. Persekutimi i Lotman-it filloi menjëherë pas kësaj. Krejtësisht të pambrojtur, ne në Paris u akuzuam vetëm për ezotercizëm dhe për spiunazh ndaj të kuqve! Është e qartë që marrëzia vjen në të gjitha format.

Edhe pse kështu, aparatçikët si të së djathtës, ashtu edhe të së majtës, sigurisht ndien diçka subversive në mendimet e thella të Lotman-it. Së pari ekzistonte nocioni i tij për tekstin si një “model i reduktuar i kulturës”, jo një fenomen filologjik, por aktiviteti kompleks dhe ndërveprues që krijon kuptimin- aktiviteti semiotik. Ky nocion e zhvendosi fokusin nga teksti në periferitë e tij, si rrjedhojë duke e përfshirë tekstin në histori dhe shoqëri: teksti është i ringjallur jo vetëm nga loja e brendshme e elementëve linguistikë brenda një strukture të mbyllur, por gjithashtu edhe nga lëvizjet edhe nga dokumentet kulturore. Struktura sinkronike që ne lexojmë(një tekst i zgjedhur nga Shekspiri, për shembull) është në këtë mënyrë produkt i një ballafaqimi të teksteve me gjuhë më të hershme dhe me gjuhën që na rrethon. I përfshirë nga dialogu kulturor ( vini re ndikimin e post-formalistit Bakhtin), teksti gjeneron kuptimin e gjuhës – jo e anasjella, siç mund të mendojë i prirur dikush. Duke reaguar ndaj një formalizmi të ngushtë, Lotman lartësoi principet e përgjithshme të jashtme ndaj veprës dhe e bëri veprën manifestimin më tipik të tyre.

Si rezultat i kësaj, gjuha e artit nuk mund të studiohej nga një zhvendosje e thjeshtë e modeleve linguistike, siç insistonte ende Jakobsoni edhe disa strukturalistë. Paralel me konceptin tim të ndërtekstualitetit, Lotman përpunoi një nocion për artin si një “sistem modelues dytësor”. I mbështetur mbi gjuhë natyrore, arti është megjithatë për një tjetër, organizim “superstrukturor”: ai rishpërndan logjikën primare të gjuhës në pajtim me rregulla të saj logjike, duke i dhuruar humanitetit mundësi të reja mendore (ose, siç mund të thotë dikush sot, mundësi të reja kognitive), principe të ndryshme të logjikës për rikonstruksionin e vetes dhe të botës.

Nga ky pikëvështrim, semiotika ishte për Lotman shkenca që njeh komunikimin dhe ripërpunimin – “pjerestrojka”, siç thoshte ai, (Lotman 1994 [1981]) – e informacionit dhe e strukturave si një fakt esencial kulturor, si thelbi i jetës kulturore dhe sociale. Ai mbronte pikëpamjen që as kultura, as studimi i kulturës nuk është i mundur pa marrë parasysh thelbin transformues të mendimit, dhe idenë që ngre një problem për formalizimin dhe për dogmatizimin.

Ai e aplikoi këtë koncept semiotik ose teorik jo vetëm në historinë kulturore të Rusisë, tek i mirënjohuri Eugjen Onjegini i Pushkinit, por e aplikoi gjithashtu tek Voltaire, Montesquieu, Velasquez. Duke e distancuar veten nga semiotika klasike e Hjelmslev, Carnap, Peirce dhe Moris, Lotman-i, sidoqoftë, nuk u përzje me atë lloj analize që është e vëmendshme ndaj veprimeve individuale të zbuluara nga stilistika tekstuale. Është për të ardhur keq që fluturimet e tij si një teoricien përgjithësues nuk ishin të shoqëruara me një vëmendje më të veçantë ndaj trajtimeve të rralla për çdo subjekt, i cili në fund të fundit formëson pasurinë e letërsisë dhe kulturës.

Megjithatë, ky njeri modest, jashtëzakonisht i kulturuar, ky teoricien perfekt, i cili ishte gjithashtu një improvizues i mrekullisë të pazakontë verbale dhe një gjenerues i palodhur i ideve të reja, skicoi dhe në këtë kuptim prefiguroi dinamikën e fakteve kulturore, duke përfshirë këtu ndryshimet që Kultura Ruse që përjeton tani. Në periudhën e tanishme të amullisë, karrierizmit dhe regresit, duket e drejtë të mendosh për veprën e Lotman-it si verifikuese ndaj atyre shpërthimeve të vitalitetit modest, por këmbëngulës, që ngandonjëherë, në të vërtetë, më shpesh sesa mund të mendojë ndokush rriten nën borërat e dimrit Rus dhe që perëndimi nuk është gjithnjë mjaft i gatshëm ose i ndjeshëm për t’i dalluar.

Do të më pëlqente të ndaja me lexuesit e PMLA (Publication of the modern Language Association) bindjen time që thënia e vjetër ruse për të vdekurit mbart për këtë njëri kuptimin e tij letrar, polifonik, kulturor dhe transkulturor – lloj i kuptimit që Jurij Lotman dinte gjithnjë sita deshifronte si në tekste dhe në qenie: ‘vjeçnaja pamjat’, Jurij Mihailoviç. Kujtimi ynë është gjithmonë me ty, Jurij Mihailoviç.

Përktheu Neli Naço

Më Shumë

Hamilton: Dua të fitoj Botërorin e tetë

Nuk mund të mungonte në eventin mondan më të pritur të vitit. Lewis Hamilton ishte mes protagonistëve të mëdhenj në “Met Gala”, mbrëmjen e...

Mbappe e ka marrë tashmë numrin 10 nga Modric, por kroati mund të preket nga propozimi i ri i francezit

Kylian Mbappe do të transferohet nga Parisi në Madrid këtë verë. Kjo dihet prej disa kohësh, por deklaratat e fundit të presidentit të PSG-së,...

Lajmet e Fundit