Dibran Demaku
“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim zemërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon ta dëftojnë historinë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig nuk i dëgjon. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut, mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut…” / Petro Marko
Rrugës nga Kosova deri në Durrës kaluam mirë. Im bir (i madhi) po vjen për herë të parë në Shqipëri. Derisa kalonim me makinë nëpër autostradën e re, ai i shikonte malet e larta të Shqipërisë. I entuziazmuar me lartësinë e tyre, më tha: – Shqipëria me këto male të larta qenka më afër qiellit dhe diellit sesa të tjerët! – dhe pandërprerë me aparatin fotografik bënte foto të maleve të larta që dukej se preknin qiellin.
Në hotelin OAZ arritëm kah mesi i ditës. Kur zbritëm nga makina, të nxehtët e korrikut sikur na zuri frymën. E lamë makinën në parkingun e hotelit dhe shkuam te recepcioni. Personeli i hotelit me mirësjellje të jashtëzakonshme na uroi mirëseardhje. Pasi i përfunduam formalitetet e vendosjes, personeli na pyeti se a dëshirojmë të hamë mëngjes (edhe pse koha e ngrënies së mëngjesit kishte kaluar kaherë) apo drekë. Im bir, i entuziazmuar nga mirësjellja e personelit, më tha: Thuaj ç’të duash baba, por si këtu nuk na kanë pritur askund në udhëtimet tona. Ndërkaq ime shoqe ia ktheu: – Këtu nuk vijmë vetëm si mysafirë, por si vëllezër te vëllezërit.
Në raftin e recepcionit vërejta shumë libra të rregulluara për bukuri. E pyeta recepcionistin nëse bën të marr ndonjë prej tyre ta lexoj sa qëndroj në plazh. Ai me buzëqeshje të çiltër dhe me mirësjellje ma ktheu: – Jo një, por mund t’i marrësh të gjitha. Këto libra janë për pushuesit e hotelit tonë. Dhe filloi të tregoi për librat që gjendeshin në raft. Aty kishte libra të ndryshme nga autorë shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe më gjerë, por edhe nga autorë të njohur të letërsisë botërore. Shumica e librave ishin në gjuhën shqipe, por kishte edhe në gjuhën angleze, franceze, gjermane etj.
– Nëse dëshironi mund t’i zgjidhni vetë dhe t’i merrni nga rafti! – m’u drejtua recepcionisti.
Duke e falënderuar u afrova te rafti. Në raft ishin thuajse të gjitha librat e Kadaresë, të Petro Markos, por kishte edhe libra të Dritëro Agollit, të Fatos Arapit, të Xhevahir Spahiut, të Ali Podrimjes, të Azem Shkrelit etj. Meqë shumë nga librat e autorëve të përmendur tashmë i kisha lexuar (shumicën e tyre i kam në bibliotekën personale), më ra sy një libër i Petro Markos me titull “Retë dhe gurët (intervistë me vetveten)”.
– Këtë do ta marr ta lexoj këto ditë sa do të qëndroj në plazh! – i thashë recepcionistit.
– Keni qenë herë tjetër në hotelin tonë? – më pyeti recepcionisti.
– Jo. Përse më pyesni?
– Derisa po e merrni ta lexoni pikërisht romanin e Petro Markos, thashë mbase keni qenë më parë këtu. Them kështu pasi që pronari i hotelit ka lidhje familjare me familjarët e Petro Markos, e mendova se këtë fakt e dinit, andaj e zgjodhët romanin e Petros. Përndryshe, nuk keni gabuar, sepse ai roman i Petros, sipas meje, është ndër romanet më të mira të tij.
– Mendimin tim do të ta them pasi ta lexoj romanin! – ia ktheva recepcionistit dhe pasi e falënderova, u ngjita lart në dhomë ku më priste ime shoqe. Ndërkaq të dy djemtë e mi kishin lënë dhomën e tyre dhe kishin dalë në plazh që të kënaqeshin me ujin e detit dhe rrezet e diellit të asaj dite korriku.
Pa ndërruar shumë fjalë me time shoqe u përgatitëm dhe dolëm në plazhin para hotelit, në të cilin nuk kishe ku të hidhje as dhe një ve prej njerëzve. Me vete, përveç gjërave të nevojshme për plazh, mora “Retë dhe gurët”.
– Sivjet pushimet në plazhin e Durrësit do t’i bëj së bashku me Petro Markon – sikur po dëgjoja një zë timin të brendshëm.
– Edhe këtu do të na lodhësh me libra – u dëgjua si me shaka zëri i sime shoqeje kur më pa me librin në duar.
– Më fal! – iu drejtova sime shoqeje dhe ashtu me shaka vazhdova: – Sivjet pushimet në plazhin e Durrësit do t’i bëj me Petro Markon. Këto pesë-gjashtë ditë do të jem vetëm me Petron dhe librin e tij – dhe hapa faqen e parë të librit.
Faqe pas faqeje, kisha humbur në to. Po sikur ime shoqe mos të ma kujtonte se duhej të ngrihesha e të futesha në ujë, mund të digjesha nën ato rreze të diellit.
Pasi bëra një not të mirë me time shoqe dhe me djemtë, – iu ktheva sërish librit, romanit autobiografik të Petro Markos të shkruar në formë interviste me vetveten. Më dukej se po e shihja të gjallë Petron. Por, si ngjan shpesh në jetë kur lexuesi lexon diçka të mirë, i bëhet sikur e njeh dhe jeton me autorin. Ashtu më ngjante mua. Në mendje më zukatnin sikur bleta fjalët e shkruara të së bijës së Petros, Arianitës, në parathënien e librit: “Në fund të leximit të këtij jetëshkrimi, ne, pa pasur as më të voglin dyshim, menduam: Ky jetëshkrim duhet të mbajë titullin: ‘Retë dhe gurët’, sepse, ndoshta pa e ditur Petro Marko, e kishte shkruar edhe atë. Romani i dëshiruar, dëshira e tij e fundit, në të vërtetë është realizuar. Kjo përkon me dëshirën dhe planet e tij. Unë besoj se ai këtë gjë me siguri do ta pranojë. Është titulli që e kishte zgjedhur vetë. Ai zgjodhi të kthehej në një gur në vendin e tij. Zgjodhi gurin. Si emri i tij. Si një përcaktim i fatit. Dhe meqë ka edhe re, ka edhe gurë, si mundet që Petroja të mos zgjidhte gurin?! Ai tani është një gur në vendin e vet. U kthye për ta parë të njohurin horizontal nga fshati i vet”.
Dhe tërë ato ditë në plazhin e Durrësit unë i kalova me Petro Markon. Mësova për jetën e tij furtunë. Ai kishte qëndruar si gur i fortë para furtunave të jetës. Pasi i rashë në fund romanit, e pyeta veten: – Si është e mundur që një krijues i tillë i madh, luftëtar i Spanjës, luftëtar në Luftën e Dytë Botërore, të persekutohej në mënyra të tmerrshme nga sistemi i vendit të vet? Dhe vëllezërit e tij krijues të një gjuhe e të një gjaku të mos e ngrehnin zërin në mbrojtje të tij… Athua vallë sistemi komunist ishte ngritur, i atillë çfarë ishte, për t’i ngrënë mendjet më të ndritura të kombit?! Sepse, siç duket tash nga kjo perspektivë, ishte ngritur me qëllim që t’i shkatërronte vlerat kombëtare.
Në fund të këtij shkrimi edhe një thënie lapidare e thënë dhe e shkruar po në këtë roman nga Petro Marko për mërgimtarët kudo që janë: “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim zemërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historinë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig nuk i dëgjon. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re. Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut, mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut…”
Durrës, 2011