22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Nga fotografia gazetareske, tek ajo artistike e komerciale

Thuhet se fotografia vlen sa 1.000 fjalë dhe ajo dokumenton të vërtetën, kap momentin dhe ka fuqi edhe t’i jap kthesë ngjarjeve të ndryshme me një shkrepje, pra është edhe një dëshmi historike.

Ajo ka zgjuar ndërgjegjen e fuqive të mëdha për gjenocide të shumta, ruan momente të rëndësishme triumfi a dështimi për personalitete të ndryshme në botë e edhe kujtimet e secilit prej nesh.

Të gjithë jemi dëshmitarë për jehonën që pati fotografia e djaloshit sirian të vdekur në brigjet e Turqisë para disa ditësh.

Në Kosovë, si në gjithçka tjetër edhe në zhvillimin e fotografisë ka ndikuar situata politike dhe pozita e shqiptarëve në shtetin e atëhershëm jugosllav. Fotografi i mirënjohur, Afrim Spahiu, tregon për KosovaLive si ishin fillet e fotografisë gazetareske në vendin tonë.

“Para lufte, në mbarë botën fotografia realizohej në mënyrë analoge me cilësi dhe nivel të përsosur, jo vetëm në evoluimin teknik por edhe atë artistik. Në Kosovë si pasojë e situatës të vështirë socio-ekonomike dhe represive nga regjimi jugosllav, ku gjithçka që ishte shqiptare shikohej me sy kritik dhe në shumë raste edhe neglizhohej, etiketohej dhe ndalohej me mënyra politike ishte e pamundur që fotografia bashkë me artet tjera të përmbushnin kërkesat e shumë artistëve të devotshëm dhe të pasionuar.

Përkundër gjithë kësaj situate sikur edhe artet tjera pamore edhe fotografia në Kosovë mbijetoi me sukses nga një numër fotografësh të rinj që përjetësonin çdo situatë që ishte mundur për të informuar opinionin mbarëbotëror… sidomos pas viteve të 80-ta dhe 90-ta kur Jugosllavia filloi të tronditet me zhvillimet e hegjemonizmit dhe nacionalizmit serbo-sllav, në Kosovën e trazuar bëhen edhe hapat e para të fotografisë gazetareske, nga fotoreporterë të rinj që fiksuan gati të gjitha ngjarjet, para dhe pas luftës që bën NATO dhe UÇK-ja”, thotë Spahiu.

Në këtë periudhë për të cilën flet Spahiu dallojmë p.sh fotografin Hazir Reka, i cili punoi në Kosovë si reporter në periudhën kohore 1984 e deri më 2008 për agjencitë më të mëdha të lajmeve në botë, përfshirë këtu Reuters, New York Times, Herald Tribune, Liberation, Time, Washington Post dhe Wall Street Journal për t’i mbledhur e ekspozuar më pas këto fotografi në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në ekspozitën e tij “Çasti i gozhduar” në vitin 2014.

Foto gazetaresk

Sipas Spahiut sot duke qenë pjesë e revolucionit teknik digjital, rruga drejt artit është e hapur dhe shumë dinamike në të gjitha fushat e zhvillimit kulturor dhe në Kosovë fotografia ka marrë përmasa të formës amatore dhe asaj profesionale, nga del edhe komuniteti i fotografisë artistike që me numër të ekspozitave dhe rezultate të shkëlqyera bën Kosovën pjesë interaktive të kësaj veprimtarie.

Si fotograf i gjeneratës së vjetër, ai mendon që digjitalizimi e ka tjetërsuar fotografinë edhe duke e komercializuar atë.

“Jam i mendimit që është tjetërsuar edhe kuptimi ndaj fotografisë me revolucionin digjital! Fotografitë digjitale nuk prezantojnë kontakte fizike me realitetin, ata realizohen si informata të organizuara të proceseve teknike të automatizuara dhe kompjuterizimit te fotografisë. Natyrisht që është zbehur dhe është e pa shpirt kjo formë e fotografisë, gjë që më kujton brengen e artistëve francezë që kundërshtonin mendimin se fotografia është art!

Nga ana tjetër fotografia digjitale na është bërë pjesë e jetës dhe atë e kemi në çdo pore, diçka e re dhe e domosdoshme për rrugëtimin që ka marrë mbarë bota virtuale duke na e ndërruar edhe mënyrën e jetës dhe të menduarit ndaj imazhit. Fotografia digjitale me mënyrën dhe opsionet e shpejta teknike çdo ditë bëhet pjesë e pandashme edhe shpirtërore. Ajo definon dhe ofron edhe parametra të komercializmit që ka ngritur vlerën e cilësisë dhe aplikimit të pafund në sferën globale”, shprehet ai.

Duke qenë se për shumë njerëz që merren me fotografi në këto kohë kjo veprimtari është edhe profesion i tyre që iu siguron mbijetesën mund edhe të vihet në pikëpyetje se a është fotografia artistike prioritet i fotografëve.

Fotografi i ri, Arber Elezi, tregon për KosovaLive se si puna e tij si fotograf, ashtu si edhe e shumë fotografëve të rinj, nuk lidhet me fotografinë gazetareske, me agjencitë e lajmeve apo me ekspozita të ndryshme, por me sesionet fotografike ku bëhen foto digjitale siç janë ato për dasma, ditëlindje a ngjarje të caktuara.

“Unë punoj me porosi për persona të caktuar që duan të kenë foto-sesione në ngjarje të rëndësishme për ta siç janë dasmat, ditëlindjet apo rastet e tjera. Pas marrëveshjes me klientin së pari caktohet lokacioni sepse duhet përshtatur me ngjarjen që ndodhë, a është dasmë, fejesë apo ditëlindje.. I bëhen përafërsisht 300 ose 400 fotografi, 20 prej tyre përzgjidhen nga stafi ynë, editohen dhe printohen dhe vendosen ne album që të ruhen më mirë, ndërsa fotografitë tjera i jepen klientit në dvd”, sqaron kështu procesin e punës së tij Elezi.

Foto dasme

Ai gjithashtu thotë së nga puna që bën ai mund të jetohet në Kosovë, por duhet të mundohesh të jesh unik, serioz, dhe të kesh pajisje te profesionale që e bëjnë të mundshëm këtë realizim.

Në kuadër të ekspozitave të ndryshme në vendin tonë që organizon Galeria Kombëtare e Kosovës veçohen edhe ato të fotografisë artistike me karakter garues që janë “Gjon Mili”, “Muslim Mulliqi” e “Artistët e së nesërmes”, në të cilat fotografët mund të sfidohen me artin e tyre të fotografisë./Kosova Live/

Më Shumë

Jose Mourinho kërkohet nga skuadra e Arabisë Saudite Al-Qadsiah

Jose Mourinho është shfaqur si objektiv i skuadrës saudite të Al-Qadsiah. Ish-trajneri i Chelsea dhe Manchester United është gati të rikthehet në menaxhim pasi u...

Plagoset me armë zjarri një person në Nashec të Prizrenit

Një person është plagosur me armë zjarri në mbrëmjen e së premtes në fshatin Nashec të Prizrenit. Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhnësi i...

Lajmet e Fundit