Falënderoj Zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe, e të mirë. Unë me çfarë kam punuar, e ndjej veten si një pikë uji në oqeanin e të mëdhenjve. Falënderoj Zotin sepse kënga shqipe, për atë që di ta këndojë, është vetë e bukur. Ajo më ka popullarizuar mua, e jo unë atë”… Kështu e nis rrëfimin e saj të ndjerë, diva e mbarë shqiptarisë Nexhmije Pagarusha. Ndonëse s’i pëlqejnë epitetet që tregojnë madhështinë e saj, ne nuk mund të qëndronim indiferentë përballë një figure si ajo. Kemi shkuar ta vizitojmë në Prishtinë. Në shtëpinë e vogël, ku Nexhmije Pagarusha jeton prej vitesh, mbizotëron paqja. Është e dashur, modeste, gazmore… E dashuruar me të bukurën. Sapo hyjmë në apartament, nis të na tregojë për marrëdhënien e veçantë me muzikën, publikun e Shqipërinë…
“E kam dashur shumë, kam përjetuar diçka shumë të madhe nga populli im, si në Kosovë, si në Shqipëri, si në diasporë… Kur kam filluar të këndoj kam qenë e vetme. Më parë tek ne ka pasur botëkuptime të tjera. Edhe atëherë ka pasur zëra të bukur. Tani kur po i shoh këtë këngëtarë të rinj që janë shumë, them sikur të isha e re e të udhëtoja me ta. Dikur kam udhëtuar unë vetëm, me veshjen tonë kombëtare të bukur dhe me këngën shumë artistike të kombit shqiptar”.
Keni bërë muzikë në vite shumë të vështira. Sakrificat tuaja krahasuar me brezin e tanishëm të këngëtarëve kanë qenë shumë herë më të mëdha. Si i kujtoni vitet në skenën shqiptare?
Janë momentet më të lumtura e më të gëzueshme për mua. Për herë të parë kam menduar që nuk do të mbërrij të dal në skenë. Nga të gjithë turnetë që kam pasur, vetëm atë në Shqipëri mbaj mend. Më kujtohet çdo moment atje. Në vende të tjera më duket sikur s’kam qenë asnjëherë. Çfarë të them më tepër…
Domethënë keni një lidhje të fortë me Shqipërinë?
Shumë! E dua shumë. Mirëpo kurrsesi s’po më jepet rasti të vij e të rri në Shqipëri, për qejf. Ai që ka qenë ‘fajtor’ që unë u ringjalla sërish është Ardit Gjebrea. Erdhi këtu me Inva Mulën e më tha: “Unë do t’ju thërras në Shqipëri”. Unë i thashë se nuk mundesha e nuk guxoja. Më besoni që më është lutur për një muaj rresht derisa erdhi e tha “Nuk iki prej këtej pa të marrë”. Jo se nuk kisha dëshirë, por gjithmonë kam pasur kompleks të këndoj në Shqipëri se ka këngëtarë shumë të mirë. Kam pasur shumë emocione. E kam falenderuar në emrin tim e të popullit.
Si e shikoni muzikën dhe këngëtarët e ditëve të sotme? A keni emra të preferuar?
Ka këngëtarë, ka këngë të bukura. Tani kanë filluar prapë të hyjnë në rrugën që duhet me këngët popullore. Në Kosovë kemi shumë këngëtarë të mirë që e kryejnë Akademinë. Unë shkoj gati çdo vit në koncertet e fundvitit, se kam dëshirë t’i dëgjoj. Mirëpo më vjen të qaj me të madhe, sepse ata nuk kanë ku të këndojnë. Ne ende nuk e kemi një opera. Kemi orkestër, dirigjentë, këngëtarë por askush s’mendon për këtë. Ata këngëtarë mund të këndojnë në kor maksimumi, nuk kanë mundësi tjetër, ndaj dhe përfundojnë nëpër kafehane. E kjo është tragjedia jonë. Kështu ka qenë dhe më parë. Unë nuk kam lënë intervistë pa e përmendur këtë. Kemi Bashkim Paçikun, një tenor të mrekullueshëm… Kemi Shpresa Gashin, një soprano e mrekullueshme. Ata se patën fatin të dalin e të këndojnë njëherë muzikë klasike përpara publikut të tyre.
A mund të na thoni dy emra këngëtarësh të Kosovës e Shqipërisë që i doni fort e ju emocionojnë kur i dëgjoni?
Më keni vënë në pozitë të vështirë, por ata e dinë se sa i dua, edhe nëse nuk do i përmend dot të gjithë. Në Shqipëri është Inva Mula e Vaçe Zela. Në Kosovë kemi Sanije Matoshin e Linda Hakajn, një mexosoprano shumë e mirë.
Cila është marrëdhënia juaj me Vaçe Zelën?
Ajo është zonjë e skenës… Flas shpeshherë me të dhe familjarët, për t’u interesuar mbi shëndetin e saj. Vaçja është e veçantë.
Dimë që shumë këngëtarë vinë t’ju takojnë? Si është marrëdhënia juaj me brezin e ri?
Herë pas here më vizitojnë e takohemi. Shkoj ku këndojnë ata, rri e kënaqem. I dua që të gjithë e besoj se edhe ata më duan. Dal rrallë se tashmë kam kaluar një kohë të madhe e akoma ia dal të eci me këmbët e mia.
Cili ka qenë ai vit i rëndësishëm për ju, që kur vjen viti i ri e kujtoni me nostalgji?
Ndoshta nuk do të më besoni po unë s’kam bërë kurrë ‘Vit të Ri’. Nuk kam shkuar askund e as kam kënduar. Prej vitesh kam dëshirë të rri vetë në shtëpi, të shikoj televizionin. E kam edukuar veten që ajo është një ditë e rëndomtë. I marr miqtë e mi në telefon se nuk di të shkruaj mesazhe, e i uroj. Po ashtu edhe më vijnë urime. Kjo është kënaqësia ime.
Cili ka qenë momenti më i veçantë i jetës dhe karrierës suaj?
Ardhja ime në Shqipëri, definitivisht.
Na flisni pak për emocionet e ditës kur ju vlerësuan me titullin “Nderi i Kombit”, për 100-vjetorin e Pavarësisë…
Nuk di çfarë kam folur e si kam mundur të qëndroj në këmbë. Ka qenë një befasi e madhe. Madje, kam thënë me vete “thua e kam merituar unë gjithë këtë”, se mirënjohje më të madhe nuk ka.
Po shoh tani në shtëpinë tuaj një album, dhuratë e këngëtares Eda Zari…
Ajo ka ardhur nga Gjermania në Paris, ku unë isha për dy ditë. Kishin bërë një koncert për mua. Aty pata rastin të dëgjoj një këngëtare të re që më ka pëlqyer tepër, Elina Dunin. Më ka habitur Elina. Aq mirë këndon ajo, sa kam thënë se veten s’mund ta dëgjoj më. I uroj shëndet edhe karrierë të gjatë. Tani nuk po mund të ndahem dot prej saj dhe e dëgjoj përditë. Aty ishte edhe Eda Zari, e unë jam shumë e lumtur që erdhi. Po pres të vijë sërish e i kam thënë se kur vjen, shtëpia ime është hoteli për të.
Cila është dëshira e Nexhmije Pagarushës për Kosovën e për Shqipërinë?
Të kthehemi mbrapa e të mendojmë se sa e kemi dashur dhe e kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Tani kjo nuk ekziston më dhe është brenga ime. Do Zoti ndryshojmë, ndoshta ndryshojmë edhe këtu, edhe atje. Dëshiroj që të jemi prapë ai populli që kemi vuajtur shumë e kemi përballuar çdo lloj vështirësie. Nuk ka më nevojë për ankesa.