8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Pak dinjitet, ju lutem…

Rudolf MarkuRudolf Marku

Pak ditë më parë shtypi ka shprehur alarmin e mundësisë së një marrëveshjeje për demontimin e armëve kimike të rudolf markuSirisë në vendin tonë. Është përmendur konkretisht dhe një fshat i Elbasanit, Mjekës, ku dhe mund të bëhen demontimet e armëve kimike. Është përmendur gazi Sarin, kimikati kryesor i armëve kimike të Sirisë. Dikush ka cituar dhe gazetën franceze “Le Monde”, që kohët e fundit ka shkruar se “asgjësimi i gazit Sarin kërkon shumë kohë, kushton dhe është i rrezikshëm”…Kryeministri i vendit, i gjetur nën presionin e shtypit, ka premtuar të telefonojë Sekretarin e Shtetit amerikan. Pak më vonë, ministri i Jashtëm i shtetit shqiptar ka deklaruar se në të vërtetë është bërë një bisedë telefonike mes Ramës dhe Kerry-t (por në mënyrën më origjinale të asaj çfarë quhet informacion këtu tek ne, pa sqaruar kurrë se për çfarë është folur dhe se çfarë është vendosur…)

Nuk ka se si të mos kujtosh ngjarje të tjera të ngjashme: vendosja e ca të burgosurve islamikë nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika të akuzuar si terroristë në Shqipëri; fytyrat e çoroditura dhe të frikësuara të ca somalezëve, algjerianëve dhe afrikanëve të hedhur në Shqipëri; një projekt për të ndërtuar ciklimin e hedhurinave italiane në vendin tonë; tragjedia e dhimbshme e Gërdecit, viktimat e saj me fytyrat që të sjellin në mend Oliver Twist-in; farsat gjyqësore; shkaktarët e tragjedisë, të cilët në vend të dënimit, shpallen politikanë të suksesshëm; një deklaratë publike e kryeministrit turk në praninë e dy kryeministrave shqiptarë se Kosova është Turqi; buzëqeshjet provinciale dhe përuljet e politikanëve shqiptarë përballë zyrtarëve të dyshimtë intelektualisht të administratës së Brukselit; gjithë ajo masë aktive e servilizmit krejtësisht vullnetar të politikanëve shqiptarë ndaj të huajve, sidomos ndaj punonjësve të ambasadave…

Në përcaktimin dhe kategorizimet e llojeve të shteteve në kohërat tona, ekziston edhe përkufizimi i atij që politologët e quajnë Shtet Postkolonial: një vend me infrastrukturë të shkatërruar, me një shkallë të lartë të korrupsionit politik, me një mentalitet të shtetit informal, me servilizmin e shtetarëve vendas ndaj të huajve, me pluhurin e rrugëve dhe me gropat e rrugëve, me ndërtimet pa leje dhe me kazinotë që mbijnë disproporcionalisht kudo, me tregjet buzë rrugëve, me shitblerjen haptazi të votave, me gjuhën arrogante dhe zëlartë të politikanëve, sidomos në Parlament, me qëndrimin shpërfillës ndaj intelektualëve krijues dhe mbivlerësimin der në fetish të diplomave të huaja dhe titujve shkencorë të atyre që nuk kanë botuar as dhe një rresht të vetëm në fushën ku ata pretendojnë të jenë shkencëtarë dhe dijetarë…Dhe mbi të gjitha paaftësia e qeverisjes, niveli i lartë i dhunës politike (dhe dhuna mund të jetë jo vetëm me grushte, por edhe me fjalë, sharje dhe kërcënime, madje mund të jetë dhe një dhunë në heshtje, dhunë emocionale dhe psikike). Në vendet postkoloniale qeverisja (governimi) i shoqërisë varet krejtësisht nga infrastruktura e shtetit. A ju kujton ky përcaktim ndonjë vend që ju e njihni? Mos doni të thoni se e gjitha kjo ju kujton Shqipërinë?

Ç’është e vërteta, duket disi e vështirë që ta quash Shqipërinë një vend postkolonial. Shqipëria ka qenë dhe është vend i pavarur, dhe vetë shqiptarët mburren me pavarësinë e tyre si me gjënë më të shtrenjtë që kanë. Por prapë, kur lexon përkufizimin e atyre shteteve që quhen postkoloniale, duket se Shqipëria përputhet si jo më mirë me përkufizimin që u bëhet këtyre shteteve. Një paradoks? Le të përpiqemi ta bëjmë këtë paksa më të qartë.

Që të jetë një vend postkolonial, Shqipëria duhej të ketë qenë një vend kolonial, pra një vend i pushtuar nga një vend tjetër. Reagimi i parë është se Shqipëria nuk ka qenë e pushtuar, të paktën që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. E megjithatë, te politikanët shqiptarë, te klasa e saj drejtuese, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, nuk ke se si të mos vëresh një psikologji dhe mentalitet postkolonial. Duke filluar me udhëheqësin komunist, Hoxhën, i cili vartësinë e gjithanshme koloniale e kishte në proporcion të drejtë me britmat retorike të pavarësisë. Mjafton të kujtojmë letrën e famshme të tij drejtuar udhëheqësit jugosllav, Titos, si njërin ndër turpet më të mëdha të historisë shqiptare (‘Shoku Marshall…Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër…Ne kemi nevojë që të na thuhet nga Ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit me Jugosllavinë…Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do na këshillojë haptazi dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona,,. AQSH NDI 14/AP, Dosja 4, 1948). Ne nuk çuditemi kur lexojmë se si Hoxha, kundër çdo protokolli zyrtar, vrapon që të arrijë Ambasadën Jugosllave për t’i raportuar ambasadorit të huaj me një gëzim pervers se ‘E mbytëm Anton Harapin.” (Siç shihet, raportimi nëpër ambasada qenka një ves i vjetër i politikanëve shqiptarë)…Dhe pastaj vijnë rusët, kinezët, internacionalistët e xhunglave të amazonave të Brazilit e të Kolumbisë, miqtë kongolezë e kamboxhianë…Deri tek kohërat tona moderne, kur për hatrin e miqve tanë të një gjaku, qeveritarëve të shtetit turk, vullnetarisht, pa na e kërkuar kush, fshehim bustin e Skënderbeut në Presidencë e në Kryeministri, sikur të qe fjala për të fshehur një turp a një njollë që do na bënte të skuqeshim nga turpi…

2.

Shoqëria shqiptare, e mësuar të jetojë prej vitesh në një izolim tragjik, nuk e ka të lehtë që të dalë nga gjendja psikike e izolimit. Simptomat janë të qarta: mbivlerësimi i çdo gjëje që është e huaj, përbuzja provinciale e vlerave tona, ligësia e panevojshme, shpifjet në jetën e përditshme dhe pranimi i tyre i menjëhershëm, mospranimi i tjetrit, mospranimi i të pangjashmit tonë, paragjykimet e ashpra krahinore dhe gjuhësore, të bëjnë të besosh se jetojmë ende në një rrethim të imponuar mendor dhe shpirtëror. Të huajt që vijnë tek ne si diplomatë a përfaqësues institucionesh ndërkombëtare, i mësojmë ne vetë që të jenë arrogantë dhe përbuzës me ne, tek shohin se sa me përkushtim të panevojshëm i trajtojmë dhe se sa vëmendje u japim…Shqiptarët që nuk kanë qenë të pushtuar, gjendën të vetëpushtuar. Liria është një gjendje e brendshme e qenies njerëzore, dhe ne shqiptarët duket se nuk jemi të përgatitur për lirinë e brendshme. Nuk jemi të gatshëm për lirinë. Ashtu siç dhe ndodh me gjendjen e dashurisë, na duhet që ta mësojmë shqiptimin e Lirisë dhe na duhet që të dimë të jetojmë natyrshëm me të. Na duhet që të stërvitemi për të qenë të sigurt sa herë që e themi këtë fjalë. Ndonjëherë, me anë të shembujve. Përmes stërvitjes së shpirtit. Përmes religjionit. Ndonjëherë përmes leximeve a filmave që kemi parë. Ndonjëherë përmes intuitës dhe instinktit. Në të kundërt, robërimi shpirtnor, ashtu si urrejtja, vijnë vetvetiu, dhe janë robërimi dhe urrejtja të cilat askush nuk na e ka të nevojshme që t’i mësojë e askush nuk e ka të nevojshme që të stërvitet për to. Ka një ngjashmëri mes Lirisë dhe Dashurisë: Është e vërtetë se kur themi- Të dashuroj, apo thjesht- Dashuroj, reagimi i parë është dyshimi, sepse shpesh dashuria është e vështirë që të besohet si e vërtetë. Thuaj ‘Të urrej’, dhe sapo e ke shqiptuar këtë fjalë fatale, ajo besohet përnjëherë, njëherë e përgjithmonë. Dhe nëse i kam thënë njeriut që dua me mijëra herë dhe në mënyrën më të sinqertë se e dua, se e dashuroj, dhe pastaj vetëm një herë i them – Të urrej, të gjitha mijërat e herëve që i kam thënë të dua fshihen lehtësisht, dhe mbetet shija e keqe dhe e pashërueshme e fjalës fatale të urrejtjes. Liria, ashtu si dashuria, duhet të mësohet; urrejtja dhe robëria nuk kanë nevojë për instruktazhe, ato presin vetëm që të provokohen, si një bishë që është shtirur sikur ka rënë për të fjetur dhe hap gojën për viktimën e saj…Dhe politikanët tanë duhej të qenë instruktorët e parë që do të na mësonin shijen e lirisë dhe të dinjitetit. Por janë politikanët tanë të parët që janë të robëruar me zinxhirët e arrogancës, injorancës, pasurisë së grabitur me mbrojtjen e ligjit, të lidhur me zinxhirët e dhunës e të varfërisë shpirtërore. Ata nuk mund t’i japin liri popullit të vet, sepse askush nuk mund të japë atë që nuk e ka vetë.

Dhe Liria është motra binjake e dinjitetit. Në një kohë që shteti shqiptar është i gatshëm që të pranojë gazin Sarin, në Kushtetutën zvicerane, p.sh Neni 7 i saj, parashikon mbrojtjen e dinjitetit njerëzor në marrëdhënie me mjekësinë, gjenetikën dhe lëndët kimike.

3.
Roger McGoug është ndër poetët e njohur bashkëkohës anglezë. Ndryshe nga përfytyrimi që kanë shumë shqiptarë për letërsinë dhe poezinë moderne, McGoug nuk e ka për gjë të shkruajë poezi politike dhe tepër sociale. Drejton në ‘Radio 4’, në njërën ndër mediumet më elitare të massmedias britanike, një emision të orëve të vona, të quajtur ‘Pak poezi, ju lutem’. Nga titulli i emisionit të tij merr shtysë edhe titulli i këtij shkrimi. Shumë vite më parë (viti 1988) kam arritur të botoj në shtypin e kontrolluar komunist një poezi të tij të përkthyer. Titullohet “Politikanët”. Asokohe më pëlqeu ideja e botimit të kësaj poezie për shkakun e neverisë që kishim për politikanët tanë. Duhet thënë se edhe lexuesit e mençur të asaj kohe kishin një antenë tepër të ndjeshme për të kapur kodet e fshehta të qëllimit të botimit të gjithçkaje që aludonte kundër brutalitetit të regjimit. Por kujt ia merrte mendja që po këtë poezi më duhet ta botoj edhe tani, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XXI? Lexuesi i mençur i sotëm ta gjykojë vetë nëse ia vlente botimi i saj/Mapo/

Më Shumë

Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2038 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Një person i kërkuar arrestohet në Prizren dhe dërgohet në vuajtje të dënimit

Stacioni Policor në Prizren vazhdon angazhimin e tyre në ruajtjen e rendit publik dhe ekzekutimin e urdhërave gjyqësore. Sot, më 26 prill 2024, një operacion...

Lajmet e Fundit