16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

PDK humbi për shkak të Limajt

ShkelzenMaliqiAnalisti politik Shkëlzen Maliqi thotë se zgjedhjet lokale nuk e kanë ndryshuar shumë skenën politike. Në një intervistë për Express, Maliqi thekson se PDK i humbi komunat për shkak të disidencës së Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit dhe tjerëve. Ai konsideron se për LDK’në humbja në Prishtinë është e dhimbshme dhe nuk do të kalojë pa pasoja për këtë parti.

Ky analist politik pohon se rezultati ishte pozitiv për AAK’në. Sipas tij, partia e Haradinajt do t’a ketë pozitën e king -maker’it (rol vendimtar), pas zgjedhjeve nacionale.

Kur është fjala për Vetëvendosjen, meritat për fitore Maliqi kryesisht ia atribuon Shpend Ahmetit.

” Kjo lëvizje nuk është treguar e suksesshme në zgjedhjet, ka rrjedhje të madhe të votës pothuajse në të gjitha komunat, por në Prishtinë Shpend Ahmeti ka arritur që të marrë dyfishin e votës së partisë, që është fenomen në vete”

Maliqi e ka analizuar edhe reagimin e Ambasadores së SHBA’së për fitoren e Ahmetit.

” Reagimet e para të ambasadave, sidomos të ambasadores amerikane janë pozitive dhe përkrahëse. Por, i adresohen Shpend Ahmetit dhe jo Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes”

Express: Tashmë dihen rezultatet finale të zgjedhjeve lokale në Kosovë, cila është skena politike sot sipas jush?

Sh.Maliqi: Skena politike pas zgjedhjeve lokale ka ndryshuar mjaft, por jo në masën që kihet përshtypja nga rezultatet përmbysëse në shumë komuna. Raporti i forcave në vijat gjenerale nuk ka ndryshuar shumë.

PDK-ja ka mbetur pa votat e pjesës disidente të përkrahësve të ish- liderëve të saj Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe disa të tjerë, dhe ky është shkaku pse i ka humbur gati gjysmën e komunave, ndër to edhe komunat e mëdha si Mitrovica, Ferizaji dhe Gjilani, duke fituar vetëm në Prizren. Por, PDK-ja mbetet partia më e përkrahur me numrin total të votave dhe të asambleistëve.

LDK-ja i ka fituar disa qytete të mëdha, Pejën, Ferizajin, dhe Gjilanin, por e ka humbur Prishtinën ku ka garuar kryetari i saj Isa Mustafa. LDK ka rritje të votës, por ende ngec pas PDK-së dhe mjaft e dhimbshme dhe me pasoja është humbja e bastionit të Prishtinës.

Paradoksale është sidomos vota për AAK-në, e cila i ka humbur disa komuna, posaçërisht tronditëse kanë qenë humbja e Pejës dhe Gjakovës, por në total AAK ka rritje të votës, dhe është bindshëm partia e tretë, që mund të sigurojë pozitën e king-maker-it pas zgjedhjeve nacionale.

AKR-ja për herë të parë ka fituar dy komuna të mëdha, Gjakovën dhe Mitrovicën, por kjo parti nuk ka stabilitetin për rrugëtime më afatgjate; dy qytetet u fituan më shumë falë kandidatëve, se sa që është meritë e partisë.

Te gara në komunat serbe bie në sy dominimi i listës që ka gëzuar përkrahjen e Qeverisës së Serbisë, por te kjo më e rëndësishme është vetë pjesëmarrja e votuesve serbë, sesa rezultati i tyre.

Më në fund, befasia më e madhe ka qenë fitorja e kanditatit të Vetëvendosjes Shpend Ahmeti në Prishtinë. Vetë kjo lëvizje nuk është treguar e suksesshme në zgjedhjet, ka rrjedhje të madhe të votës pothuajse në të gjitha komunat, por në Prishtinë Shpend Ahmeti ka arritur që të marrë dyfishin e votës së partisë, që është fenomen në vete.

Kjo përmbysje e madhe të votës për kryetarët e komunave nuk do të ishte e mundshme nëse nuk do të kishte mobilizim të votuesve të partive që nuk garonin për kryetar, me idenë se pushteti duhet të ndryshojë. Dhe për këtë nuk ka pas koalicione strikte, por në çdo komunë kanë ndodhur përkrahjet pak a shumë spontane. Ky është një fenomen i ri dhe pozitiv, sepse në zgjedhjet e mëhershme, ata që votonin për kandidatët që nuk hynin në garën e balotazhit, ditën që përsëriteshin zgjedhjet zakonisht nuk dilnin në votime, ishin indiferent. Kësaj here te ata ka punuar ndërgjegjja qytetare dhe ideja se keqqeverisja e komunave duhet të ndëshkohet duke votuar për kandidatin e opozitës. Vetëm në Prizren kjo tendencë nuk ka fituar, mbase për arsye se LDK-ja e kishte kandiduar Eqrem Kryeziun, i cili nuk perceptohej si alternativë sepse e ka drejtuar më herët Prizrenin me probleme.

Express: A ju befasoi Vetëvendosje në Prishtinë kur dihet se në raundin e parë Isa Mustafa kishte një epërsi të madhe. Pse ndodhi përmbysja e rezultatit me 1 dhjetor ?

Sh.Maliqi: Diferenca në raundin e parë vërtet ka qenë shumë e madhe, diku mbi 9 mijë vota, por më 1 dhjetor ajo që në start është shkrirë vetëm në rreth minus 3 mijë vota, e ndoshta edhe më pak për shkak të tre faktorëve që nuk janë llogaritur. I pari ka qenë rrjedhja e votës për Isa Mustafën, në balotazh për te kanë votuar 2 mijë veta më pak se me 3 nëntor. Çka ka ndodhur? Me 3 nëntor Mustafa ka marrë edhe votat e atyre që nuk kanë qenë të bindur se është kandidati më i mirë, por kanë dashtë që të pengojnë avancimin e kandidatit të PDK, dhe nuk besonin se Shpend Ahmeti mund të futet në balotazh. Por, kur Agim Çeku dështoi, dhe Shpendi u bë konkurenti i Isës, ia dhanë votën atij. Këta votues ia zvogëluan përparësinë Isës në vetëm pesë mijë (Shpendi plus 2 mijë, Isa minus dy mijë). Faktori i dytë që ka ndikuar në rritjen e votës së Shpendit kanë qenë votuesit e Partisë së Fortë, që me 3 nëntor patën marrë gati 2 mijë vota. Kjo e ka ngushtuar diferencën në vetëm rreth 3 mijë votë përparësi për Isën. Por, tani këtu vjen edhe faktori i tretë, që unë supozoj se janë disa kategori sosh: numri shtesë i votuesve në zgjedhjet e 1 dhjetorit që më parë kanë qenë skeptikë për mposhtjen e Isa Mustafës, por që e kuptuan se Shpend Ahmeti e ka shansin… Pastaj janë edhe votuesit e partive tjera, të PDK-së, AAK-së etj. që kanë dashtë me e ndëshku keqqeverisjen e LDK-së dhe personalisht Isa Mustafën. Me këto vota shtesë Shpend Ahmeti jo vetëm që është barazuar, por ka krijuar edhe një përparësi prej 2 mijë votave.

Express: Vetëvendosje mori vetëm një komunë por kjo është një copë mjaftë e madhe e pushtetit , a mendoni se VV mundet ta ndryshojë qeverisjen në kryeqytet apo qeverisja do ta ndryshojë Vetëvendosjen?

Sh.Maliqi: Kjo është një çështje e hapur që sfidon fuqishëm strategjinë e Vetëvendosjes. Është e qartë se Shpend Ahmeti nuk ka mundur ta fitojë Prishtinën pa votën e anëtarësisë së disiplinuar të Vetëvendosjes, por po kështu është e qartë se Vetëvendosja nuk do ta fitonte Prishtinën nëse Shpendi nuk do të parapëlqehej nga spektri i gjerë i qytetarëve, votues të partive tjera, që nuk e kanë votuar Vetëvendosjen, por Shpendin. Kushtimisht kjo është vota për ndryshimin e Vetëvendosjes. Kjo shihet edhe nga rënia e përkrahjes së Vetëvendosjes në komunat tjera. Dhe sa i përket çështjes së ndryshimit të qeverisjes apo të Vetëvendosjes, kjo është diçka që duhet ta reflektojnë Shpendi, Albini dhe të tjerët. Problemi që do ta ketë Shpend Ahmeti në qeverisjen e Prishtinës është se në asamblenë e komunës Vetëvendosja i ka vetëm 10 mandate, prej 26 sa i duhet për qeverisje pa pengesa. Ekzekutivi i Prishtinës duhet të jetë gjithsesi koalicion ose me LDK-në, si formulë më e qëndrueshme, ose me disa subjekte të tjera të vogla, që mund të jetë me sfida të ndryshme, por që në të dy variantet çojnë drejt zbehjes së pushtetit real të Vetëvendosjes.

Express: A mendoni se mund të ndryshojë diçka në raportet e VV’së më ndërkombëtarët kur dihet se ambasadorët janë vizitorë të shpeshtë edhe të komunave veçmas asaj të Prishtinës.

Sh.Maliqi: Reagimet e para të ambasadave, sidomos të ambasadores amerikane janë pozitive dhe përkrahëse. Por, i adresohen Shpend Ahmetit dhe jo Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.

Express: Si do të reflektohet kjo fitore në vet Lëvizjen Vetëvendosje, dihet se Shpend Ahmeti është një profil më liberal i politikanit a mendoni se ai do ti ketë duart e lira ?

Sh.Maliqi: Kjo është çështje kyçe dhe për momentin nuk di se si do të zhvillohen gjërat. Nëse Shpend Ahmeti nuk do t’i ketë duart e lira, do ta rrezikojë ardhmërinë e tij politike. Por, nuk është ai do të ketë pengesa vetëm nga rrymat më radikale në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai do të sfidohet për kompromise, – kjo është një fjalë dhe koncept që nuk pëlqehet në partinë e tij – edhe në raport me subjektet tjera politike në asamblenë komunale.

Express: Tash kur Shpend Ahmeti praktikisht e shpëtoi VV’në a mund kjo t’ia shtojë ambiciet atij përballë Albin Kurtit?

Sh.Maliqi: Shpend Ahmeti është zgjedh kryetar komune dhe për te ndoshta do të ishte më mirë që të rri sa më larg nga punët e partisë. Kryetari mund të punojë në dobi të qytetarëve, që të kanë sa më shpejt 24 orë ujë dhe rregullimin më të mirë të trafikut urban, pa u ngatërruar në çështjet e mëdha politike. Nga ana tjetër, Vetëvendosja edhe pa Shpend Ahmetin është dashur tashmë të reflektojë strategjinë e saj e të qenit edhe lëvizje me prirje revolucionare edhe parti politike. Ky dualizëm nuk mund të jetë produktiv në rrethanat në të cilat jetojmë.

Express: Cilat janë shanset e VV’së në zgjedhjet e ardhshme nacionale tash kur e ka Prishtinën në dorë ? A është kjo avantazh për VV’në ?

Sh.Maliqi: Për Vetëvendosjen po rrjedh koha dhe këtë vit ajo sikur e ka humbur agjendën dhe dinamizmin e saj negativist, por gjithsesi të subjektit që ua shtron pyetje të rëndësishme shoqërisë dhe shtetit.

Vetëm se unë nuk do ta thosha se Vetëvendosja e ka në dorë kryeqytetin. E ka një mundësi që ta demonstrojë aftësinë e menaxhimit të Prishtinës, nëse Shpendi dhe Albini gjejnë gjuhën e përbashkët dhe krijojnë koalicionin e duhur për qeverisje stabile të komunës.

Express: Në fund edhe një pyetje për humbësit, kush është sipas jush humbësi më i madh i zgjedhjeve të fundit.

Sh.Maliqi: Nuk dua të spekuloj me subjektet që kanë garuar. Por e kam një humbës absolut që nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje. Ky është Veton Surroi, i cili para 6 vitesh iku na politika aktive i zhgënjyer që elektorati nuk i kishte dhënë mbi 5 % të votave, si prag që ai vetë e kishte propozuar. Tani elektorati i ish – Partisë Reformiste Ora, nga e cila doli fituesi i Pejës Gazmend Muhaxheri, e më pas edhe i partisë Fryma e Re, nga e cila vjen Shpend Ahmeti, që janë mbështetur në strukturën e njëjtë urbane, kanë nisur të bëhen alternativa të fuqishme për pushtetet dhe qasjet e shpenzuara të partive tradicionale, edhe të LDK-së, edhe të partive të krahut të luftës.

Shpresoj se do të ketë nisma politike që do t’i kuptojnë më mirë kërkesat e kohës./express/

Më Shumë

Tri vjet nga vdekja e Cimës – përkujtohet me mall nga Adelina: U zgjova me dhimbjen e njëjtë si kur u ndave nga ne...

Janë bërë tri vite që kur u nda nga jeta legjenda e humorit shqiptar, Rasim Thaçi – Cima. Artisti i mirënjohur ndërroi jetë më 26...

Greikoci me vetëkontribut ndërtoi objektin e shkollës

“Arsimi është një bimë tejet kryeneçe, e cila nuk gjelbëron e as që lidh kokërr në qoftë se nuk ujitet me lot e...

Dhimbja

Lajmet e Fundit