Retorika e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar, që kërkon ndëshkimin më efikas të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovës, tani është bërë një refren i demoduar, i cili po dëgjohet me veshë kritikë nga shumica e analistëve politikë në vend, nga njerëz të opozitës, të cilët veç adresimit publik të këtyre dukurive negative në shoqëri, që vijnë si pasojë e kapjes afatgjate të shtetit nga të dy partitë aktuale në qeverisje, nuk po mund të ushtrojnë ndonjë ndikim tjetër efektiv në ndryshimin e gjendjes.
Është një bindje e përgjithshme e analistëve politikë dhe opozitës se tani është koha që kursi i faktorit ndërkombëtar të ndryshohet, që partive në pushtet t’u thuhet qartë se e kanë tepruar me qeverisjen e keqe të vendit, me kapjen e shtetit dhe kriminalizimin e institucioneve, dhe të mos i mbështesin më ato as edhe në një veprim të vetëm, por duke ndërruar kursin e tyre politik të mbështesin subjekte të tjera politike të pasprovuara deri tani në qeverisjen afatgjatë të vendit. Në këtë aspekt nuk duhet përjashtuar edhe ndonjë nismë të re qytetare.
Sipas opinionistëve të ndryshëm, ndërkombëtarët duhet të marrin për bazë faktin se PDK-ja ka mandatin e tretë në Qeverinë e Kosovës, sikur që edhe LDK-ja ishte gjithnjë në Qeveri, përveç në mandatin e kaluar. Pra, të dyja këto parti janë tejet të konsumuara nga pushteti shumëvjeçar dhe janë të korruptuara e të kriminalizuara. Ka ardhur koha që ato të hetohen e përballen me drejtësinë dhe jo të mbështeten nga ndërkombëtarët.
Njohësi i mirë i çështjeve politike, prof. Riza Smaka, ka pohuar se faktori ndërkombëtar, referuar qëndrimit të vet për pushtetarët aktualë në Kosovë, përfundimisht do të duhej të aplikonte një rishikim revidues në kontekstin e dukurive shoqërore politike dhe ekonomike, dukuri të dëmshme që janë pasojë e qeverisjes së dobët, qeverisje së keqe dhe inkompetente e mbi të gjitha tej mase të korruptuar.
“Pra, faktori ndërkombëtar në favor të interesit të qytetarit të vendit tonë do të duhej menduar më seriozisht dhe do të duhej të distancohej në masë të konsideruar nga papërgjegjësia politike e qeveritarëve, dhe kjo aq më parë, aq më mirë”, thotë Smaka.
Kurse, analisti tjetër, Blerim Burjani, thotë se PDK-ja dhe LDK-ja, me këtë koalicion, po zbatojnë interesat e tyre familjare dhe partiake, si dhe kanë përforcuar shtetin partiak, duke përfituar nga buxheti i shtetit.
“Bashkësia ndërkombëtare mund të vendosë kushte për përmirësim të nivelit demokratik të qeverisjes. Ajo tani ka prioritet sigurinë e qëndrueshme në rajon, të tjerat ua kanë lënë vendorëve. Tani për tani PDK-ja dhe LDK-ja, me këtë koalicion, po kryejnë punët e tyre dhe po zbatojnë interesat e tyre familjare dhe partiake, si dhe kanë përforcuar shtetin partiak, duke përfituar nga buxheti i shtetit”, thotë analisti Blerim Burjani. /Kosova Sot