10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Rexhep Smajlaj-mjeshtër i vargut dhe fjalës së bukur shqipe

Besim Muhadri

Po bëhen dhjetë vite që kur nga panteoni i letërsisë sonë u shua poeti Rexhep Smajlaj. Dhjetë vjet nga ikja e poetit, mikut tonë të shtrenjtë dhe njeriu i urtë, mjeshtrit të fjalës së gdhendur poetike. Vdekja e e bacës Rexhë atëbotë pati ndodhur vetëm vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë edhe një poet tjetër, bardi i letrave tona Din Mehmeti. Ikjet e dy miqve tanë të mirë për ne dhe për letërsinë tonë ishin dy humbje të njëpasnjëshme. Ikja e tyre na shkaktoi dhembje shpirti dhe mungesë të përhershme.

Dhe vërtet Rexhep Smajlaj ishte një njeri i urtë, i cili atë urti, me plot maturi, mundohej ta përçonte edhe te të tjerët. Pa imponime, pa ngarkesa dhe pa pretendime. Ishte njeri që ma maturinë e fjalës e të mendimit rrëmbente me vete edhe të tjerët. Ata që e lexonin dhe ata që e dëgjonin. Ata që e donin dhe ata që nuk dinin ta donin e ta vlerësonin sa duhet. Por këta të fundit, kam përshtypjen se ishin të rrallë.

Kur flasim për poezinë e Rexhep Smajlajt, duhet të dijmë se ai, edhe pse në moshë bukur të shtyrë filloi të botonte, por jo edhe të shkruante, sepse shkrimin ai e kishte pasion. Dhe brenda një periudhe të shkurtër arriti të krijojë personalitetin e tij letrar. Botoi disa përmbledhje me poezi, për të rritur e fëmijë.

Filozofia poetike e Rexhep Smajlajt ishte e ndërtuar mbi një koncept thellësisht të mbështetur në traditën tronë letrare, kulturore dhe historike.

Poezia e këtij krijuesi, e sidomos ajo që ka për subjekt historinë dhe traditën tonë që nga lashtësia e këtej, është një poezi e kultivuar mjeshtërisht, e mbushur ndjenjë dhe dashuri atdheu. Një poezi, që sa të shpie në të kaluarën e lashtë, aq edhë në të sotmen.

Kjo nënkupton se shqetësimet poetike të Rexhep Smajlajt ngërthejnë në vete një gamë të gjerë tematike, motivore, por edhe kohore, që na jep të kuptojmë se poeti vazhdimisht “gërrmonte” në shpirtin dhe traditën kulturore dhe historike të popullit të tij. Ndonëse, në ndojë rast, poezitë e tij kanë përmbajtje apo edhe “tingëllim” didaktik, ato, megjithatë, janë krijime që domemos na kujtojnë një poet të përmasave të përkushtimit të vazhdueshëm dhe të avancuar në gdhendjen e fjalës së bukur shqipe dhe mendimit të thellë filozofik, gjithsesi shqip.

Kur flasim për Rexhep Smajlajn, vazhdimisht duhet të kemi parasysh një krijues të vërtetë e të vëmendshëm, që para lexuesit arriti të servojë një varg të gdhendur mirë dhe të motivuar.

Kjo na tregon se poezia e tij është një poezi e kujtesës sonë historike, e mbështetur thellësisht në trashëgiminë tonë kulturore dhe gjuhësore, rrënjët e së cilës gjithësesi duhet kërkuar te tradita.

Poezia e Rexhep Smajlajt, ishte një poezi, përmes së cilës poeti duke gjetur mbështetje në traditën e kombit të tij, mëtonte të arrinte të ndërtonte me sukses edhe të sotmen, duke i vënë bazat edhe të sendërtimit të së ardhmes.

Ajo është një poezi e cila lexohet lehtë dhe dëshirueshëm, jo për shkak të mungesës së thellësisë së saj, por pikërisht për shkak të këtyre atributeve që përmendëm më lart. Pra për shkak të mendësisë së qartë poetike, të një figuracioni të gjetur lehtësisht dhe shumë të qëlluar, që i jep poezisë së tij sharmin e një poezie të ndërtuar mirë dhe mjeshtërisht, që do t’ia kishin lakmi edhe poetët më të mëdhenj.

Në fund të fjalës ime në këtë përvjetor të ikjes në amshim të poetit dhe njeriut Rexhep Ramë Smajlaj, më duhet të them sinqerisht dhe bindshëm se poezia e tij është një poezi që ngjall emocione dhe reaksione artistike.

Një poezi në të cilën krijuesi shpërfaq një kulturë të trashëguar nga pararendësit e tij hasjanë, apo edhe një poezi e cila shfaq para nesh dimensionin dhe kulturën e shkrimit shqip, të mendimit shqip. Ajho është, para së gjithash, poezi e krijuar nga një inelektual dhe krijues shumë i kujdesshëm, që dinte të tjerrte mirë mendimin, që dinte të gdhendte dhe të latonte mirë fjalën, ndaj së cilës ndiente përgjegjësi absolute.

Prandaj, me të drejtë mund të konkludojmë se poezia e Rexhep Smajlajt është, para së gjithash, një poezi e mendimit, një poezi e reflektimit dhe e një poezi e absorbimit. Një poezi thellësisht e motivuar e frymëzuar, por edhe e elaboruar gjatë në laboratorin poetik të vetë krijuesit të saj.

(Lexuar në Prizren, më 29 tetor 2020, me rastin e 10-vjetorit të ikjes në amshim të poetit Rexhep Smajlaj)

Më Shumë

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

Lajmet e Fundit