6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Rikthimi i Hashim Thaçit

Hashim thaci 4

Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës ishte i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në “Top Show” ku foli për sfidat e reja të Kosovës, për qeverisjen e re, por edhe për edhe për ato që ndodhën pas kuintave në arritjen e marrëveshjes që solli edhe qeverinë e re.

Duke folur për takimin e dytë të dy qeverive në muajin mars ai është shprehur se ende nuk janë përcaktuar pikat e agjendës, por do të jetë një vazhdimësi e mbledhjes së Prizrenit.

Për sa i përket koalicionit mes PDK dhe LDK, Thaçi tha se ai është një koalicion i vullnetit vendor të dy partive më të mëdha dhe nuk është i formuar dhe as i ndikuar nga ndërkombëtarët. Gjithashtu ai shtoi se PDK ka bërë më të mirën e mundshme, pasi sipas tij, krerët e Bllokut LVAN kanë zhvilluar një garë të heshtur dhe të fshehur ndaj njëri-tjetrit dhe PDK kishte mundësi të krijonte koalicion edhe me partitë e tjera më të vogla.

Top Channel: Një vit më parë ishte mbledhja e përbashkët e dy qeverive, e cila u zhvillua në Prizren dhe u cilësua si një ngjarje e shënuar duke rritur bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Këtë vit vini si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, pse ju i pari për mbledhjen e dy qeverive dhe jo zoti Mustafa.

Hashim Thaçi: Kjo është vizita e parë në Shqipëri si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Tradita, por edhe përkushtimi jonë ka qenë që kjo vizitë të zhvillohej në Tiranë, e cila ishte e një niveli të lartë. Më herët është zhvilluar takimi mes dy qeverive në Prizren, ndërsa në vizitën e Kryeministrit Rama, në takimin e përbashkët edhe me Kryeministrin Mustafa, kemi rënë dakord që takimi tjetër i radhës mes dy qeverive të zhvillohet në pjesën e dytë të muajit mars, tashmë ka mbetur vetëm të specifikohet data. Besoj që këto mbledhjet e dy qeverive do të shndërrohen në rutinë dhe do të jenë tradicionale, pavarësisht ndryshimit të pushteteve.

Top Channel: Cilat janë pikat kryesore të agjendës për mbledhjen e dytë të dy qeverive?

Hashim Thaçi: Ende nuk janë përcaktuar pikat, por besoj se do të jenë vazhdimësi e Prizrenit, ku do të diskutohet për temat ekonomike, arsimore, kulturore, sportive e diplomatike.

Top Channel: Mbledhja e parë ishte simbolike apo ju keni parë rezultate?

Hashim Thaçi: Mbledhja e parë ishte edhe simbolike, kishte dhe mesazh, por në të njëjtën kohë ka pasur edhe substancë. Tani kemi filluar të hapim edhe konsullatat e përbashkëta, hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore, unifikimin e arsimit. Gjithashtu është diskutuar edhe për projekte të rëndësishme infrastrukturore, konkretisht për hekurudhën që lidh Prizrenin me Durrësin.

Top Channel: Një vit më parë, saktësisht më 14 janar 2013, keni qenë i ftuar në këtë studio dhe kur ju pyeta nëse herën tjetër do të vinit si kryeministër apo si president, më jeni përgjigjur: “Nuk mund ta them saktësisht, por saktësisht mund t’iu them se do të vij si fitues i zgjedhjeve të vitit 2014”. Në fakt keni qenë i saktë, pasi nuk thatë kryeministër dhe as president, por a e mendoje se do të vinit si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme?

Hashim Thaçi: Nuk mund të them se e kam menduar këtë gjë, por ajo që kam thënë një vit më parë ka qenë prej rrethanave të krijuara në Kosovë. Unë ndihem krenar që sërish pas një viti jam në studion tuaj si lideri më i votuar edhe pas 8 vitesh dhe pas tre zgjedhjeve të përgjithshme. Duke pasur parasysh sesi funksionon demokracia ndodhin edhe gjëra që nuk i planifikon, mund të jesh edhe fitues, por nuk mund të realizosh objektivat. Me rëndësi për mua ka qenë që me zgjedhjet e vitit të kaluar është legjitimuar puna 7 vjeçare e dy mandateve të qeverisë që kam udhëhequr, është legjitimuar lidershipi i PDK, në anën tjetër është konfirmuar fitorja e tretë radhazi në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa si ka ndodhur formula qeverisëse është një histori tjetër.

Top Channel: Një ditë pas marrjes së rezultatit se ju ishit partia e parë në Kosovë pati një lëvizje të befasishme, e cila në fakt tregoi që formimi i qeverisë bllokohej. Si shpjegohet që asnjë nga partitë nuk prani të futej në koalicion me ju?

Hashim Thaçi: Fushata jonë i tejkaloi kornizat partiake dhe pastaj u shndërrua si një lëvizje qytetare dhe ishte një fushat që fitoi një mbështetje të gjerë në Kosovë, dalluam prej partive të tjera. Ne arritëm të shënojmë një fitore spektakolare, të thellë dhe të pastër, duke organizuar zgjedhje të lira.

Top Channel: Nëse fitorja do të ishte e thellë, atëherë do të kishit krijuar qeverinë…

Hashim Thaçi: Në mandatin e tretë të fitosh 7 apo 8 deputetë më shumë se partia e dytë, mendoj se është një fitore spektakolare. Në këto zgjedhje PDK u konfirmua si një parti e qëndrueshme dhe shumë e organizuar. Për mua ishte shumë me rëndësi që i gjithë spektri politik e pranoi rezultatin zgjedhor menjëherë, por edhe ndërkombëtarët i vlerësuan zgjedhjet. Ne u përballëm me një rrethanë të re për formimin e institucioneve. Pas 6 fitoreve radhazi, tri zgjedhje lokale dhe tri parlamentare, kundërshtarët sikur u traumatizuan. Kështu që partitë e tjera u bënë bashkë për të shpëtuar vetveten nga humbjet që shënuan në zgjedhjet e njëpasnjëshme. Ai bashkim i nevojës dhe jo konceptual apo vizionar. Unë kam qenë në një pozicion që duhet të ruaja institucionet e vendit, të vazhdoja të funksionoja si qeveri. Ngërçi i krijuar e ka lënduar Kosovën, e ka lënduar edhe sistemin demokratik, e ka goditur kulturën politike në Kosovë edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, ka frenuar njohjet ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Top Channel: Gjashtë muaj me një kosto shumë të madhe…

Hashim Thaçi: Por ne duhet të mendojmë se Kosovë dha një provim të vështirë demokratik. Institucioni i Presidentit funksionoi shumë mirë, institucionet e pavarura funksionuan shumë mirë, në të njëjtën kohë këto institucione u cenuan nga ata që arritën marrëveshje. Në atë periudhë unë bëra një tërheqje taktike, të një durimi strategjik dhe në anën tjetër të menaxhimit të atij procesi për ta arritur këtu ku jemi sot.

Top Channel: Në një debat në Kosovë, i jeni drejtuar kundërshtarëve tuaj duke i thënë se, “të gjithë ju keni vrapuar te zyra ime pavarësisht nga njëri-tjetri”…

Hashim Thaçi: Pas kalimit të një kohe nga zgjedhjet e qershorit ne ishim në një situatë të bllokimit që nënkuptonte edhe provokim të zgjedhjeve të tjera dhe mendoj që kjo nuk ishte zgjidhje për vendin dhe qytetarët. Në anën tjetër ishte edhe oferta për PDK për të ndërtuar një shumicë minimale, por që nuk garantonte. Krerët e Bllokut LVAN edhe pse rrinin bashkë komunikonim me PDK dhe tashmë është fat që të hapen kur rrinë me ne. Krerët e Bllokut LVAN kanë zhvilluar një garë të heshtur dhe të fshehur ndaj njëri-tjetrit. Duke pasur parasysh që ne ishim partia fituese e zgjedhjeve dhe drejtuese prej 7 vitesh zgjodhëm që me fitoren e PDK të shndërrohet edhe Kosova fituese. Kosova mund të shndërrohej fituese vetëm duke qenë tolerant, mirëkuptues, duke e thyer ngërçin bllokues.

Top Channel: Kishin kaluar 6 muaj për t’u kthyer në një ide që ishte që prej periudhës së zgjedhjeve. Duke pasur parasysh kodin elektoral të Kosovës dhe mënyrën sesi shpërndahen votat, duke pasur parasysh që ju të vetëm nuk e merrnit dot mandatin qeverisës ishte një ide për koalicion të madh mes PDK dhe LDK. Duhet të kalonin 6 muaj për t’u rikthyer sërish te kjo ide dhe këtu janë kritikat, që klasa politike u tregua e papjekur dhe në fakt u desh edhe një ndërhyrje nga ndërkombëtarët. Prononcimi i ambasadores amerikane në Kosovë bëri xhiron e mediave sociale dhe jo vetëm.

Hashim Thaçi: Nëse shikohet i tërë diskutimi i ambasadores është shumë dimensional dhe i adresuar në adresa të ndryshme politike. Bllokada ishte e tepruar me gjithçka duke qenë të ngurtë për të arritur marrëveshje për ndërtimin e institucioneve. Koalicioni mes PDK dhe LDK është një koalicion i vullnetit të mirë, një koalicion i një diskutimi konstruktiv të një procesi transparent. Ky është një koalicion i vullnetit vendor i dy partive më të mëdha dhe nuk është i formuar dhe as i ndikuar nga ndërkombëtarët. Tre partitë e mbetura tashmë në opozitë nuk kanë rënë në kundërshtim vetëm me PDK, por kanë rënë në kundërshti me parimet e qeverisjes së mirë të përcaktuar prej presidentes, por edhe prej konceptit dhe vizionit të PDK.

Top Channel: Kur thoni se edhe partitë e tjera kanë vrapuar për të nënshkruar marrëveshje me ju. Keni parasysh edhe VV apo vetëm NISMA dhe partinë e zotit Haradinaj?

Hashim Thaçi: Nuk mund të them direkt, por në mënyrë indirekte ka pasur mesazhe, ndërsa nga të tjerët edhe oferta të shkruara.

Top Channel: Si mund ta shpjegoni këtë zhvendosje radikale të VV?

Hashim Thaçi: Nuk mund të flas në emër të kësaj partie. Ata deklaruan se nuk do të futeshin në asnjë koalicion nëse nuk do të fitonin zgjedhjet, por me gjasa e kanë kuptuar se nuk mund t’i fitonin zgjedhjet.

Top Channel: E keni fituar garën duke premtuar misionin e ri të zhvillimit ekonomik dhe të hapjeve të vendeve të reja të punës. Në kontekstin e këtij koalicioni që keni bërë, si mendoni se do ta çoni përpara këtë projekt?

Hashim Thaçi: Si partnerë të koalicionit kemi harmonizuar programin. Sfida më e madhe do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës. Në të njëjtën kohë nuk do të jenë sfida të lehta, liberalizimi i vizave dhe diplomacia.

Top Channel: Duke qenë në pozicionin e ministrit të Jashtëm, cili është vizioni juaj për politikën e jashtme të Kosovës dhe natyrisht në funksion të njohjes dhe të thithjes së investimeve?

Hashim Thaçi: Unë edhe pse kam qenë kryeministër jam marr edhe me politik të jashtme dhe sot kemi 108 njohje. Ne do të vazhdojmë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Shumë shpejt ne do të aplikojmë në Këshillin e Europës, presim edhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit në 6-mujorin e parë të këtij viti, gjithashtu presim edhe vendimin për liberalizimin e vizave nga Brukseli. Ne do të punojmë edhe për njohjet e reja, që tashmë është më e vështirë. Si ministër i Jashtëm, unë do të fokusohem edhe në sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Top Channel: Një tjetër sfidë e rëndësishme është edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë. Një vit më parë në “Top Show” jeni shprehur gjerat duhen shikuar më gjerë dhe më thellë dhe se qeveria e ardhshme do ta ketë më të lehtë se nuk do të ketë barrën e veriut të Kosovës. Në çfarë niveli do të vazhdojnë negociatat me Serbinë?

Hashim Thaçi: Muaj më parë jemi takuar në Nju Jork edhe me Kryeministrin Vuçiç ku kemi diskutuar edhe për vazhdimin e dialogut. Në Kosovë kemi diskutuar me Kryeministrin Mustafa dhe kemi rënë dakord që ky dialog do të vazhdojë në Bruksel. Dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe marrëveshja e Brukselit e kanë shpëtuar Kosovën nga ndarja, prandaj ne duhet të vazhdojmë implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja.

Top Channel: Dua të kthehem te një çështje që ishte në tryezën tuaj kur ishit kryeministër po vazhdon të jetë në tryezë sërish, çështje a Tribunalit Special. Kjo është dukur si një disfatë e madhe e Kosovës dhe një fitore e Serbisë. Opozita në Kosovë është shprehur kundër këtij tribunali, nga ana tjetër ju si përfaqësues i krahut të luftës duket se keni një lloj distance me ata njerëz që kanë qenë në luftë dhe që në të ardhmen mund të përballen me këtë tribunal. Kur do të miratohet ky tribunal dhe cilat janë kostot?

Hashim Thaçi: Parlamenti e ka marrë vendim në mbështetje të formimit të këtij tribunali. Kosova nuk ka asnjë gjë për të fshehur dhe duhet të lirohemi nga kjo barrë. Ne kemi edhe përvojën e vendeve të tjera që nuk kanë bashkëpunuar me ndërkombëtarët, por i njohim edhe çmimet që kanë paguar ato vende.

Top Channel: Një nga çështjet që është diskutuar gjerësisht në mediat e Kosovës ka qenë edhe emigracioni ilegal, si e shpjegoni këtë valë emigracioni dhe cilat janë masat e marra nga qeveria?

Hashim Thaçi: Nuk është një valë, por një proces që ka ndodhur edhe më herët në Kosovë, por edhe në vende të tjera të rajonit. Ne po punojmë që liberalizimi i vizave të ndodh sa më parë.

Top Channel: Është hera e dytë që vini në studion e “Top Show”-t në fillim të vitit, shpresoj që në 2016-ën do të jeni sërish në këtë studio. Çfarë premtimesh të tanishme do t’i sillni tani dhe do t’i reklamoni si rezultate në 2016-ën?

Top Channel: Kosova do të jetë shumë më afër NATO-s, shumë më afër BE-së, shumë afër OKB-së, shumë afër anëtarësimit në OSBE, një vend më i konsoliduar, me vende të reja të punës dhe një vend me perspektivë më të madhe të gjithanshme shtetërore dhe qytetare.

Më Shumë

Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e Lubizhdës së Hasit

Në Lubizhdë të Hasit, të premten është mbajtur manifestim përkujtimor në nderim të 14 dëshmorëve dhe 40 martirëve të këtij lokaliteti. Familjarë të dëshmorëve...

Policia shqiptoi mbi një mijë e 900 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1936 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit