8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Rrefimi i njerit me llagapin “shaci”

Ali HerticaMr.Ali Hertica

Unë jam në Kosovë- në tokën time, në shtëpinë time, në vendin tim dhe të parëve të mi; edhe varret janë aty- pushtet i heshtu. Aty bien njerëzit në gjunjë, pa forcë, pa dhunë, u përshtaten ligjeve të heshtjes. Nën dhe ka eshtra, ka kufoma, mbi tokë jeta dhe njerëzit nën tokë heronjtë, dëshmorët, dheu i Kosovës. E ndiej edhe këtu perëndimin e diellit.
Nga perëndimi erdha në perëndim; por në Kosovë lind dielli por shumë më ndryshe- me administratorë të huaj e vendorë, të gjithë kanë imunitet; por edhe me realitet tjetër- me varre të hapura e të pahapura, ende në pritje toka për ta, për një shenjë që dëshmon për një histori të re, të krimit gjatë luftës dhe të pas luftës. Është e zakonshme për Kosovën me rrymë e pa rrymë, me ujë e pa ujë, se kështu jetohet, jetë i thonë, por është vështirë për shumë ata njerëz, ata të rinj që shpresojnë të gjejnë punë, të krijojnë, të martohen të zgjerohen si familje, po është vështirë, më vështirë se që mendohet.
Nuk e di kam ndryshuar unë apo çdo gjë rreth meje ka ndryshuar, nuk e di, jam në hulumtim. Takohem me shokë, miq, luftëtarë, e ndiej dhembjen e tyre, nuk kishim kujtuar se kështu do të duket Kosova, ne jetonim për ideale, dhe na vodhën ato, na vodhën hajnat ata që i dhanë pasqyrë të keqe Kosovës. Unë e di në familje, në fshat në qytet e urrenim hajnin dhe i përbuznim hajnat, dhe ajo shtëpi që përfolej për hajni- leçitej!

Por, ç’ndodhi? Paslufta nuk e dënoi krimin,

tradhtinë, uzurpimin, hajninë; bajlozët partiakë uzurpuan, vodhën çka gjetën e çka nuk gjetën. Hajnia, narkomania, prostitucioni ishin bërë trend, fatkeqësisht. Por, mbi të gjitha u befasova nga llagapi për mua (posa kisha ardhur nga Holanda), për të gjithë ata që vinin në vendlindje nga perëndimi-“shaci”! Kjo ishte fjala përkëdhelëse, por mirë që më pak dëgjoja gastarbajter; unë nuk isha ai që isha, kisha tjetër formë, formën e monetës- euro këtu e euro atje. Ende e shfrytëzoj radion e vjetër, dëgjoj ndonjë lajm dhe shumë muzikë, zhurmë, rep, sharje, fjalë të pista, hip hop, rok, muzikë popullore që kishte marrë nuancë të erotikës mos të them pornografisë. Gjithfarë gangsteri himnizohej: mafi, narkomani, coolera, dhe shumë këngëtarë, dhe shumë estrada, të këngëtarëve, të politikanëve të universitarëve, plotë godina, shumë universitete, spitale,ordinanca dhe shumë prodhime autentike të doktorëve të shkencës, të bankierëve, dhe të dyqaneve të seksit, edhe shumë barishte, por edhe Viagra ishte e kërkuar nga të huajt ,edhe vendorët, ishte shumë e preferuar. Unë isha demoduar, edhe shokët e mi të besës
dhe idealit. U gëzova, megjithatë, që kam shansin edhe unë të jem në trend- por nuk më legjitimuan, mbeta pa shtetësi. Duhet të pres në rend! Dhe, unë shtyhem, dhe atje lart, mbi shkallë UNMIK-ut, e tani të EULEX-it e kuptova  se në Kosovë të huajt kishin ardhur pa gra. Dhe ende
duhet të pres për shtetësi; se pavarësia ishte bërë hardhi rrushi.

Por, unë fitova- se nga një shqiptar idealist më mbeti llagapi “shaci”.

Më Shumë

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Lajmet e Fundit