5.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

`Rriqra e madhe`- agresive në Malishevë

Kurtesh Sherifi-parazitolog”Rriqra e Madhe”, apo siç njihet ndryshe në gjuhën shkencore ”Hyalomma”, konsiderohet se është shkaktari kryesor i përhapjes së virusit që shkakton ethe hemorragjike – Krime Kongo. Një hulumtim njëvjeçar i bërë nga dr.sc. Kurtesh Sherifi, profesor i Parazitologjisë me Sëmundje Invazive dhe Ligjshmëri Veterinare, tregon për Radio Kosovën përhapjen e llojeve të rriqrave nëpër komunat e Kosovës.

RK: Cili ishte fokusimi i studimit tuaj?
KURTESH SHERIFI: Në interes tonin ishte fillimi i një hulumtimi lidhur me problematikën e transmetimit të sëmundjeve, siç është në Kosovë sëmundja virale ethet hemorragjike-Krime Kongo. Ky virus është mjaft i rrezikshëm dhe po paraqet një problem jashtëzakonisht të madh sidomos në disa rajone të Kosovës, apo disa komuna, siç janë komuna e Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Klinës dhe në një pjesë të Hasit.

RK: Cili lloj i rriqrave i shkakton ethet hemorragjike?
KURTESH SHERIFI: Rriqrat që e transmetojnë virusin që shkakton ethe hemorragjike janë të gjinisë ”Hyalomma” (njihet si vektor potencial i transmetimit të Etheve Hemorragjike Krime – Kongo). Ekzistojnë dy familje të rriqrave dhe ”Hyalomma” hyn në kategorinë e insekteve shumëkombëshe dhe në familjen që iu ngjajnë morrave. Por, më të mëdha se morrat janë dy familje që janë të përhapura në të gjithë botën e që i takojnë familjes ”Ixodidae”| dhe ”Acaricides”, apo rriqra të forta dhe të buta. Nga kategoria e rriqrave të forta, që janë të njohur edhe tek ne, deri më tani janë identifikuar katër gjini, prej tyre përmendim rriqrat e mëdha, që janë ”Hyalomma” dhe pikërisht kjo familje e rriqrave janë të njohura në gjithë botën për transmetimin e virusit të etheve hemorragjike–Krime Kongo. Përveç këtij lloji të rriqrave kemi edhe tri gjini të tjera, të cilat gjithashtu janë të përhapura në territorin e Republikës së Kosovës ”Ixodes ricinus”, që hyjnë në kategorinë e rriqrave të mesme. Kemi edhe gjininë ”Dermacentor” dhe gjininë ”Rhipicephalus”. Në komunat endemike që janë shfaqur ethet hemorragjike – Krime Kongo dominon ”Hyalomma” apo ”Rriqra e Madhe”, që në fakt është një lloj rriqre që dallon nga të tjerat, sepse ka një biologji më të ndryshme dhe është nga ato rriqra që është shumë aktive dhe e lëvizshme në territoret që ka më shumë shkurre dhe kafshë, parcela të fragmentuara dhe kërkojë gjak për shumëzimin apo riprodhimin e tyre. Në kohën që ato mund të sulmojnë një njeri në këtë fazë atëherë virusin që e bartin me vete mund ta transmetojnë edhe në njerëz.

RK: Në cilat komuna është konstatuar se është më e përhapur kjo gjini e rriqrave?
KURTESH SHERIFI: Në Komunën e Malishevës janë analizuar 242 mostra ku 238 apo 98 për qind të tyre është konstatuar se është i përhapur ”Rriqra e Madhe” apo ”Hyalomma marginatum”. Rastin e njëjtë e kemi edhe në komunën e Suharekës ku janë analizuar 161 mostra dhe prej tyre 158 ose 98 për qind kanë rezultuar se i takojnë familjes ”Hyalomma marginatum”. Analiza kemi bërë edhe në komunën e Klinës, nga 208 mostra 159 ose 76.4 për qind ishin ”Hyalomma marginatum”. Ndërsa në komunat jo endemike si Gjilan nga 92 mostra të analizuara rezultuan 59 ose 64 për qind me ”Hyalomma marginatum”, në Komunën e Prishtinës janë analizuar 127 mostra dhe 89 për qind rezultuan me llojin e rriqrës ”Ripicephalus spp”.

RK: Si pasojë e pickimit të rriqrave vetëm gjatë këtij viti në Kosovë kanë vdekur tetë persona. Prej tyre pesë viktima janë nga komuna e Malishevës. Pse në këtë komunë kemi më shumë përhapje të rriqrës që shkakton ethe hemorragjike? A ndikojnë edhe faktorë klimatik në përhapjen e tij?
KURTESH SHERIFI: Sigurisht që ekziston një korrelacion i drejt ndërmjet kushteve meteorologjike, pra krijimit të një ekosistemi, përmbajtjes së tokës edhe aspekteve tjera. P.sh., është vërtetuar që në vendet ku toka është e fragmentuar, në parcela të vogla, në tokat që nuk janë të punuara, aty ku ka shkurre dhe kullosat e bagëtive janë vende ku mund të rritet, zhvillohet dhe shumëzohet ky lloj i rriqrave. Gjithashtu, në shumëzimin e tyre rol të rëndësishëm luan edhe temperatura dhe lagështia. Në periudhën maj – qershor, temperaturat të cilat mund të shkojnë mbi 20 gradë dhe që lagështia relative e ajrit, për shkak të reshjeve është mjaftë e lartë, është faktor në aktivizimin e këtyre rriqrave. Pas një kohe ata kërkojnë gjak për të thithur nga kafshët apo njerëzit dhe për të vazhduar pastaj cikli i tyre biologjik i riprodhimit. Pastaj vazhdojnë me prodhimin e vezëve ku prodhojnë një numër mjaft të madh të tyre, p.sh., deri në disa mijëra vezë që pastaj çelin larva. Ato larva dallojnë prej këtyre të rriturave sepse kanë tre palë këmbë dhe janë shumë më të vogla saqë nganjëherë është vështirë të identifikohen me sy.

RK: Nga kush dhe si ushqehen larvat?
KURTESH SHERIFI: Larvat gjakun e thithin zakonisht nga brejtësit dhe zogjtë që janë në tokë dhe ne dyshojmë se në këtë fazë ato mund të marrin edhe agjentë të ndryshëm patogjen, në këtë rast virusin që shkakton ethet hemorragjike. Këtë virus ato e transmetojnë në gjeneratën tjetër dhe pasi të kenë thithur gjak kalojnë në forma të rritura dhe që janë më aktive e që mund të vazhdojnë me lëvizjen e tyre për të gjetur një organizëm gjak-nxehtë, në këtë rast kafshët apo njeriun. Në fëmijë rriqrat zakonisht preferojnë pjesën e kokës dhe prindërit duhet pasur kujdes që t`i kontrollojnë, sidomos pas veshit, rreth qafës por gjithashtu edhe në kokë. Ndërsa tek moshat e rritura mund të ngjitën ne gjymtyrë deri në pjesën e belit.

RK: Hulumtimi i juaj a ka qenë më shumë i fokusuar vetëm nëpër kafshë apo edhe tek personat që janë pickuar nga rriqrat?
KURTESH SHERIFI: Studimi ynë ka qenë më shumë i fokusuar në pjesën animale, gjegjësisht në kafshë dhe në rriqra. Neve më shumë na ka interesuar të dimë se në çfarë mase është duke qarkulluar ky virus, në kafshë bujqësore dhe në rriqra. Nga 400 mostra që kemi marrë gjak nga kafshët, kemi konstatuar se 3 për qind të tyre kanë qenë të pickuara nga rriqrat ku janë hetuar antitrupat me anë të metodës së imunofloreshencës indirekte. Ndërkohë, në 122 mostra të rriqrave që janë marrë nga kafshët në komunat që i përmendem më lart, asnjë prej tyre nuk është identifikuar prania e virusit. Edhe pse qarkullimi i këtij virusi në natyrë nuk është në përqindje të lartë, agresiviteti shumë i madh i këtij virusi bënë që ne të gjithë të brengosemi, të gjitha institucionet qoftë ekzekutive apo edukativo-arsimore dhe duhet të kontribuojmë të japin maksimumin për të bërë diçka në mënyrë që të ulet shkalla e kësaj sëmundje.

RK: Meqë përmendet institucionet, sipas mendimit tuaj-sa kanë qenë të gatshme institucionet për të ndikuar në mospërhapjen e këtyre rriqrave përmes dezinsektimit apo formave tjera?
KURTESH SHERIFI: Është për të ardhur keq që institucionet tona janë aktivizuar vetëm atëherë kur kanë vdekur njerëzit. Shpeshherë në këtë situatë jemi përballur vetëm me një moment emocional, me një dhimbje por në këto raste kjo është e pamjaftueshme. Të merresh me pasojat e një problemi mjaft të madh është e vonshme, këtu duhet që gjatë tërë vitit të punohet në një bashkëpunim ndërinstitucional dhe të ndahet edhe një buxhet i caktuar. Ky problem është mjaft kompleks dhe nuk mund të garantojmë që mund të krijojmë një mbrojtje njëqind për qind për arsye se përhapja e rriqrave dhe prezenca e virusit është vështirë të eliminohet në një regjion të caktuar. Por, të paktën të tentohet maksimalisht brenda mundësive që të ulet përhapja e rriqrave në këtë regjione.

RK: Cilat mjete duhet përdorur për parandalim të pickimit?
KURTESH SHERIFI: Për të parandaluar pickimet duhet përdorur edhe mjete mbrojtëse tek njerëzit. Kemi repetent që mund të përdoren nga personat e rrezikuar para se të dalin në vend ku mund të pickohen nga rriqrat. Emrin e ka me shkurtesa DEET dhe që është baza aktive “diethyltoluamide”, është një preparat që krijon mbrojtje nga pickimi për 4 orë dhe besoj se është e mjaftueshme për ta parandaluar një pickim të mundshëm.

RK: Për fund, si pjesë e hulumtimit tuaj, çfarë rekomandime propozoni?
KURTESH SHERIFI: Rekomandimet mund të jenë të shumta, por unë do t`i përmbledh tri prej tyre:Ndërveprime institucionale me një mbështetje buxhetore; Tani që është formuar edhe këshilli ndërministror, shpresoj që ta luaj vërtet rolin e vet në krijimin e masave të caktuara parandaluese.Të bëhet një dezinsetkimi i kafshëve, të caktohet edhe preparati dhe të aplikohet në një masë më të gjerë në fillim të muajit maj. Të sensibilizohet opinioni për praninë e këtij preparati repelent për lyerje të njerëzve. Kjo mund të planifikohet, ndoshta edhe më një pilot-projekt nga Ministria e Shëndetësisë. Të shikohet mundësia që të blihet ky preparat repelent dhe t`ju jepet familjeve të rrezikuara së bashku me një broshurë. Por, unë mendoj se është edhe një formë tjetër mjaft e lehtë në eliminimin e rriqrave dhe kjo është vërtetuar. Pra, pulat janë sulmuese shumë të mira të rriqrave nëpër oborre. Mund të jetë gjithashtu edhe një masë e caktuar ku mund të ndikojë në uljen e përhapjes së rriqrës sidomos rreth vendbanimeve. Unë iu kisha këshilluar banorëve nëpër fshatra, që nëse kanë mundësi të blejnë apo të shtojnë numrin e pulave në oborret e tyre në mënyrë që të ulin përhapjen e tyre, sepse pulat i hanë rriqrat dhe nuk i lejojnë të jenë aktive në vendbanime.

Më Shumë

25-vjetori i masakrës së Lubizhdës, Haradinaj: Hasi dha shumë për atdheun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar në 25-vjetorin e vrasjes së tyre, 54 shqiptarët e Lubizhdës së Hasit.   Ish-kryeministri thotë...

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Lajmet e Fundit