16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Sa pranë dhe sa larg Enver Hoxhës (Pjesa II)

Nga Sefer Pasha

 (Vijon nga numri i kaluar)

 

Pyetja shtrohet: – Përse e gjithë kjo tragjedi në kupolën e Komitetit Qendror? Përgjigja nuk është shumë e zorshme. Pas infarktit të parë që pësoi Enver Hoxha në vitin 1972, filloi me makth lufta për t’i zënë vendin. Megjithëse ka shumë kundërshtime që nga vetë Enver Hoxha të eturit për karrigen thanë se e hoqën qafe Hysni Kapon si njeriun me besnik. Në të vetmen çështje Enver Hoxha i beson shkencës dhe raportit mjekësor që erdhi nga Franca. Enver Hoxha i përgjigjet Vito Kapos. Në arkiv është dhe letra që ai i ka shkruar. “Rri urtë” i shkruan Vitos. “Hysni Kapua vdiq nga kanceri”. Intrigat filluan ta enjtin. Në mendjen e tij filluan të prodhoheshin fantazma me komplotistë. Por nuk kishte asnjë provë dhe dëshmi. S’kishte asnjë të dhënë nga Sigurimi i Shtetit. Grimca. Enver Hoxha nuk ka pasur asnjë fakt kur ka shkruar tek “Tabloja Sinoptike” se ’’Mehmet Shehu është takuar me Titon, me Randolf Çurçillin dhe me Harri Fullcin gjatë udhëtimit me vaporin anglez, “Kuin Elizabet”… e të tjera.

***

I gjendur mes vargmalit të shkresave në Arkivin e Shtetit, të Ministrisë së Brendshme dhe në Bibliotekën Kombëtare e kam pyetur veten: – Çfarë ndodhi? Përgjigja është se Enver Hoxha u vetizolua. Lexuesi nuk e di që krimet më të mëdha të asaj periudhe i kanë bërë hetuesit. Ata ishin përbindëshat. Hetuesit i dërgonin Enver Hoxhës ato të dhëna që i donte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror për fjalime. Ato që ka thënë Fiqrete Shehu në hetuesi nuk janë të vërteta. Skenari u përgatit në hetuesi. Fiqrete Shehu firmosi ato që i kishte shkruar grupi i hetuesve. Ato i lexoi dhe u regjistruan në magneton, të cilat i dëgjoi vet Enver Hoxha. Fiqrete Shehu u habit kur i thanë se ajo e kishte pseudonimin “Fisari”. Torturat e hetuesve janë të paimagjinueshme. Të gjitha faktet shtrembëroheshin. Ashtu fije – fije i shkonin Enver Hoxhës. Është e vërtetë ajo që Kadri Hazbiu i tha Fiqrete Shehut gjatë ballafaqimit në hetuesi se:  “Ti i zbathe brekët”. Kjo e thënë metaforike e Kadri Hazbiut i shkoi Enver Hoxhës me shumë “mballoma”. Udhëheqësit iu tha se Kadri Hazbiu e qortoi Fiqrete Shehun se ajo tregoi “komplotin”. Kadri Hazbiu me shprehjen “i zbathe brekët” i tha Fiqirete Shehut se ajo u tremb dhe filloi të shpifte.

***

Veprimtaria e Kadri Hazbiut sipas dosjeve në arkiv, por dhe nga dëshmitë e atyre që e kanë njohur dhe janë gjallë nuk e nxjerrin atë “engjëll”. Ishte e pamundur në kushtet e diktaturës që Kadri Hazbiu t’i shpëtonte kafshimit të gjarprit. Ai e ka takuar në burg Petro Markon. Shkrimtari i është ankuar se po e akuzojnë si agjent të amerikanëve. Pasi e ka dëgjuar Kadri Hazbiu ka ndërhyrë që Petro Marko të delte në gjyq dhe të mos e kalbin në qeli pa e marrë në pyetje. Gjatë hetimit që i është bërë Kadri Hazbiut atij hetuesit i kanë kërkuar nëse ai ishte takuar pas burgut me Petro Markon. Kadri Hazbiu, i cili habitet që e paskan ndjekur, e pranon se pasi ka dalë nga burgu e ka takuar shkrimtarin Petro Marko. Ai i ka kërkuar që ta ndihmonte me materiale për Halim Xhelon. Përpara hetuesve Kadri Hazbiu në vitin 1982 thotë: – “Konkuluzionet që ka arritur udhëheqësi i partisë mbi mua janë të gabuara”. Për një informacion të pasaktë të ish-punonjësit të Ministrisë së Brendshme L. P., Kadri Hazbiu, thotë: “Gomarit edhe shalë po t’i vënë, prapë gomar mbetet”.

***

Enver Hoxha shpesh nuk ua vërshëllente atyre informacioneve që Ministria e Brendshme ja çonte në tavolinë. Vlerësonte ato të dhëna që i merrte drejtpërdrejt nga njerëzit e tij besnik e të afërt. Ramiz Alia kishte shkuar për vizitë në rrethin e Kukësit. Qe nisur dhe në Shishtavec për të pirë një kafe. Në anë të rrugës në fshatin Topojan kishte parë disa malësorë me kosa në duar. I kishte pyetur malësorët dhe ata i kishin thënë midis të tjerave se vlera e ditës së punës ishte ku thërret qameti. Mezi i mbanin familjet me bukë. Në takim Ramiz Alia i kishte befasuar malësorët me një pyetje: “Përse ka kooperativë këtu në Topojan”? Kur Ramiz Alia u kthye në Tiranë i raportoi Enver Hoxhës për vizitën në Kukës. Enver Hoxha pasi e kishte dëgjuar i kishte thënë: “Pse nuk e dije ti Ramiz se Topojani mes maleve është kooperativë bujqësore?”. Dhe menjëherë pas takimit Ramiz Alia kishte përfunduar në kardiologjinë e Klinikës Qeveritare.

***

Kot po vuaj nëpër arkiva e duke marrë intervista. Askush nuk mund t’i qaset figurës misterioze të Enver Hoxhës.

…Në vitin 1978 u ndodha me shërbim në Gjirokastër kur në qytetin e tij të lindjes Enver Hoxha bëri vizitën e tij të rrallë. Siç thanë Enver Hoxha donte ta shikonte qytetin e fëmijërisë pa u bezdisur nga njerëzit. U nis që nga vila në lagjen “11 janari” drejt Qafës së Pazarit afër mesnatës. Po kur mbërriti aty gjirokastritët e rrethuan. Gjëmonte kënga dhe vallja. Që nga lagja “11 janari” i vunë flakën sazezhinjtë. Më tregun se lëviznin gurët e sokakëve. Nëpër dritare mbanin vesh të moshuarit. Policia e sidomos shoqëruesit e Drejtorisë së Dytë u alarmuan. Enver Hoxha po lëvizte pa lajmëruar njeri. Pas tij ishte vetëm Sulo Gradeci dhe Nexhmije Hoxha. Nisën të zbresin lazaratasit dhe mashkulloritët me kuaj. Po kështu lunxhiotët dhe libohovitët. Enver Hoxha lëvizte pa masa operacionale. Pa mbërritur në Grapsh të Dropullit Divizioni i Janinës u ngrit në gatishmëri. Posta kufitare greke në Kakavijë u mbush me flamuj si në festë. Shumë vite më vonë kur kam parë filmin “Parruallat me gur”, me skenar të Ylljet Aliçkës dhe regji të Gjergji Xhuvanit, kam thënë se kjo është një përrallë e keqe. Nuk ka ndodhur kështu. Sa mjegull ka rreth kësaj figure. Gjatë vizitës në Gjirokastër Enver Hoxha me dëshirën e tij vajti në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Ishte mbledhja e radhës. Diskutohej për ruajtjen e vlerave të qytetit muze. Problem ishin ndërtimet e reja. Pati diskutime të shumta. Enver Hoxha dëgjonte. Më në fund e mori vet fjalën. Mirë, mirë, tha Enver Hoxha. Por kur të ndërtoni pyesni dhe Përroin e Çullos. Ky përrua është i egër. Vjen nga shpati i Malit të Gjerë. Është në krahun e djathtë të lagjes Palorto, ku kishte kaluar fëmijërinë Enver Hoxha. Kur kishte rrebeshe e stuhi Përroi i Çullos bënte hatanë. Shkëmbinjtë e malit të Gjerë i vinte përpara dhe i shpinte tek Ura e Lumit. Në të dy krahët e tij nuk mund të ndërtoje pa studime të sakta. Këtë e dinte mirë Enver Hoxha. Prandaj në mbledhje tha: “Kur të ndërtoni  mos harroni që të pyesni dhe Përroin e Çullos”.

Gjithsesi vizita e Enver Hoxhës në Gjirokastër më ka vënë në mendime. Kur Enver Hoxha mbaroi vizitën në Ksamil u kthye nga bregu i detit. Pa hyrë në Himarë ai mbolli një ulli të vogël. Në vitet e para të demokracisë vendasit e shkulën ullirin dhe e mbollën në një kodër të lartë, që të mos e dëmtonin vandalët. Kur shërbeja në Gardë një gazetare greke që e kishte emrin Marta më kërkoi ta çonim atje ku Enver Hoxha kishte mbjellë ullirin. Vendasit na thanë se ullirin e Enver Hoxhës e kanë shkulur dhe e kishin mbjellë në mënyrë sekrete lart në qafë. Në pyllin me ullinj të mos merrej vesh se cili qe ulliri që e mbolli me dorën e tij Enver Hoxha. E kërkuam me gazetaren, por nuk e gjetëm. Martës i mbeti merak që nuk e fotografoi ullirin e mbjellë nga dora e Enver Hoxhës.

***

Enver Hoxha ishte dhe një psikolog i mirë. E vunë në dijeni Besnik Bekteshin se e priste Enver Hoxha në zyrë. Dhe Besnik Bekteshi për një muaj nuk vuri gjumë në sy. Studioi aq shumë sa u thinj. Më në fund e priti Enver Hoxha. Qysh sa i dha dorën Enver Hoxha i tha Besnikut se ishte i brengosur. Qe i pakënaqur me ekipin e futbollit të ekipit të “Vllaznisë”. I foli për Ragamin dhe Sabah Bizin. Por dhe për futbollistët e tjerë. I njihte një për një. Kush qe i martuar dhe kush jo. Ua përmendi dhe biografitë. Besnik Bekteshi që nuk e priste mbeti pa mend. Nuk foli fare. Pas dy ditësh e bënë Anëtar të Byrosë Politike.

Paçka se Enver Hoxhës i merrnin shumë kohë luftërat e brendshme dhe ato të politikës së jashtme, gjë që ndikoi dhe në shëndetin e tij, për çështje të mprehta ai shndërrohej në “luan”. E ka treguar vetë Nexhmije Hoxha. Enver Hoxha u njoh me suksesin e madh të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve në Dizhon të Francës, por dhe me provokacionin e rëndë të qarqeve shoviniste në Francë. Kur Enver Hoxha e mori vesh filloi të fliste me vete në studion e tij, e ka vazhduar tregimin Nexhmije Hoxha. I dha ministrit të jashtëm disa porosi. Pas shumë ndërhyrjesh u lidh me ministrin e brendshëm të Francës. Dhe u qetësua pas bisedës në telefon me këngëtaren Vaçe Zela. Fjalët kurajoze të Vaçe Zelës e sollën në vete. Pastaj u ul në tavolinë dhe nisi të shkruajë me shkrim dore në ditarin e tij, që e qëndiste për ditë…

***

Në jetën e Enver Hoxhës nuk kishte kohë boshe. Për çdo orë kishte një program. Vinte kasetofonin dhe dëgjonte këngë labe. Këndonte dhe vetëm. Ndonjëherë i thoshte Nexhmijes që ajo t’i bënte iso. Në Gjirokastër këndojë me Xhevat Avdallin. Gjirokastritëve u tha se i vinte keq që djemtë e tij nuk kishin mësuar të këndonin labçe. Herë pas here recitonte vargje nga ato të këngëve labe. Kur ishte në vështirësi sillte në mendje ato vargje që i jepnin forcë. Vargjet: “Kam përpara një kala/ Do më hajë a do ta ha!” kanë qenë të preferuara prej tij. Kur do të shkonte për vizitë në Mashkullorë u përgatit deri në orën tre të natës. Shkruante dhe këndonte këngën e Çerçiz Topullit. Këtë ia tha dhe popullit të Mashkullorës kur tek rrapi u ul me ta këmbëkryq.

Për jetën e Enver Hoxhës qarkullojnë shumë gojëdhëna. Në socializëm u shkruan libra, filma, drama, opera e u kënduan qindra këngë. Edhe në vitet e demokracisë nga një kënd tjetër gjithashtu po shkruhen libra e filma pa fund. Edhe në të ardhmen do vazhdoj kjo odise. E tillë ishte jeta e Enver Hoxhës. Në rrugën “Mihal Grameno” ka banuar valltari i papërsëritshëm Besim Zekthi. Prej shumë vitesh e pinim kafen së bashku. Dhe më të rrallë dhe ndonjë gotë verë. Besim Zekthi u nda nga kjo jetë pa u “vjelë” mirë, jo si valltar se vepra e tij është dokumentuar dhe filmuar, por ai qe një thesar me kujtime. Në mendje më ka mbetur shprehja e tij: “Turp t’u vijë atyre që nderet e Enver Hoxhës i bëjnë hasha!”. Dhe i ilustronte me disa figura të artit, të cilët Enver Hoxha i mbajti në pëllëmbë të dorës. U dha detyra të rëndësishme, apartamente banimi, leje krijuese, i specializoi jashtë shtetit, u dha studio për të krijuar e të tjera e të tjera. Dhe pikërisht këta “veqilë” me të ardhur pluralizmi i përmbysën të gjitha të mirat. Vjellin vrer. Besim Zekthi më ka folur për kujtimet që ka nga takimet me Enver Hoxhën. Në një rast Enver Hoxha kishte marrë pjesë në një koncert që kishte dhënë Ansambli i Këngëve dhe i Valleve. Besim Zekthi kishte interpretuar rolin kryesor tek “Vallja e Shqipeve”. Pas shfaqjes Enver Hoxha e kishte falënderuar Besim Zekthin. I kishte bërë vetëm një vërejtje të “vogël”:

– Mirë Besim! Por mua mu duk sikur je i shkëputur nga masat. Ti Besim fluturoje si shqiponjë, por shqiponjat nuk fluturojnë vetëm. Bukuria e tyre në qiellin e kaltër qëndron se ato atje lart vallëzojnë në grup. Unë i kam parë në kreshtat e Malit të Gjerë që kur isha fëmijë…

***

Për figurën e Enver Hoxhës nuk gjen ndonjë gjë të madhe nëpër arkiva. Vet Enver Hoxha ka shkruar e botuar ato që ai i quante diamante për brezat. Po ato “vogëlimat” ku janë? Një kalë me dokumente janë ish oficerët e Gardës. Ata e bënin “pronë” të tyren gjithçka që i ndodhte Enver Hoxhës.

Qëmtimet nëpër jetën e Enver Hoxhës të befasojnë. Një kolegu im Maksi Milori shërbente me mua në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit 326. Në socializëm Maksi kishte qenë pranë Enver Hoxhës. Në një protestë të viteve nëntëdhjetë vandalët na vunë përpara tek Xhamija e Hetem Beut. E dogjën dhe klubin e Ministrisë së Brendshme. Aty ku është Bashkia e Tiranës sot vandalët e rrezikuan Maksi Milorin. Me skafandër në dorë i erdha në ndihmë. Pasi u qetësua situata i thashë Maksit në kafene se ai nuk luftoi shumë. Ti ke qenë a derëbardhë i thashë tek Enver Hoxha. Maksi m’u përgjigj. Unë kam qenë tek Komandanti i Përgjithshëm. Por më së shumti piqja mishra në hell. Jam progonatas dhe isha mjeshtër i pjekjes së mishrave në hell. Më mbante sehir Enver Hoxha. Unë kaq desha. E pyeta: “O Maksi! A hante mish të pjekur Enver Hoxha sa të velej si ne lebërit?” Ç’thua o derëzi ma ktheu Maksi! Enver Hoxha mbante dietë. E shumta do hante një brinjë keci. Jetonte me një regjim që të linte pa mend. Kishte të tjerë që e kollofisnin një qengj sikur të ishte ujk.

Për ta qepur me pe këtë ese shkrova dhe fshiva fakte, detaje dhe thërrmija metaforike të panumërta. Ato më së shumti ishin furka për kronika autobiografike. Disa ishin të njohura e të tjerat hamendje të pabesueshme. Më kanë munduar pyetje sfilitëse. Shkruaj dhe gris. Disa kapituj e paragrafe u vura kryq. Jo e jo e jo! Kjo e thënë e Enver Hoxhës nuk e ka pikën e parë të burimit. Është e thënë gojore. Këtë mendim e mbronte dhe miku im Moikom Zeqo. Ai ma ka thënë disa herë se shprehjen: “Shqipëri të kam dhjerë/ S’të asnjëherë” eseisti i madh Faik Konica nuk e ka shkruar. Dëgjuesi i parë e vlerësoi këtë që tha Konica dhe e përcolli tek të tjerët. Dhe mendimi i madh metaforik i Konicës, i thënë krejt rastësisht, sot përdoret nëpër tavolina dhe takime akademike.

Gjithsesi për shkrimin që  kam në duar jam trembur se mos them ndonjë gjë të pakryer nga Enver Hoxha. Kështu prisha e ndreqa një vandak me blloqe shënimesh. Kurrë nuk i numërova faqet, që i bëra çika – çika. Dhe nga ankthi i papërcaktueshmërisë  e katandisa “kokoshin një thelë”. Pyet e pyet: A i ka ndodhur kjo ngjarje Enver Hoxhës me të vërtetë? Mos është e stisur? A e meriton Enver Hoxha këtë lëvdatë? Ku u shqua më shumë në artin gojor, a në atë të shkruar? Mos e kthyen në mit kot së koti? Vetëm ai është deri në asht pasqyra e rendit dramatik të socializmit? Ishte simbol i njeriut, apo i hijenës?. Çelë e mshel copa e grima marramënthi dikund e askund.  Dhe vija në rresht pasazhe dhe raste episodike.

***

Tek i lexon materialet në Arkivin e Shtetit në ngarkim të Kadri Hazbiut dhe të “grupit kundërrevolucionar” të vjen ndërmend një thënie e lebërve: “I pari të prasmit, i fundit vetes”. Në këtë vështrim Kadri Hazbiu nuk është pa gjynahe. Fiqiretja e akuzon se ka qenë në dhomën e Mehmet Shehut para se ai të vriste veten. Përgjigja është: “Fiqrete Shehu shpif”. Por në këtë pikë Kadri Hazbiu mashtron. Ai ka qenë si derri në shtëpinë e Mehmet Shehut. “Arkiv” janë oficerët dhe ushtarët e Gardës. Nuk na morën në pyetje, më ka thënë miku im Sulo Derraj, që ruante me kompaninë vilën 30, ku banonte Mehmet Shehu. Si ushtarak i Gardës kam biseduar shumë herë me komandantin e kompanisë Sulo Derraj, që siguronte vilën 30, ku banonte Mehmet Shehu. E kam prekur me Sulo Derrajn çdo milimetër të vendit ku ndodhi tragjedia. Komandanti i kompanisë më tregonte hyrjen nga mbas vilës ku u fut Kadri Hazbiu. Ushtari i Gardës që ishte roja i hyrjes nga mbas vilës ka treguar se ai ishte mbështetur pas një qiparisi të vogël. Frynte erë e ftohtë dhe ai e kishte mbuluar kokën me kapuçin e pelerinës. Qiparisi nga era që frynte përkulej sa majtas – djathtas. Isha si nëpër gjumë e ka vazhduar rrëfimin gardisti. Krejt rastësisht pashë një njeri me kapele mbi sy që me hap të shpejtë po drejtohej për tek dera e pasme e vilës. E mblodha veten dhe kur po bëhesha gati t’i thoja “ndal!” sytë më kapën fytyrën e Kadri Hazbiut. Ngriva. Si mund të ndaloja Kadri Hazbiun? Ai kurrë nuk qe afruar tek vendroja 10, që nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Ishte pas vilës dhe për shkak të pemëve ndriçimi i llambave të neonit pengohej. Qe një gjysmë errësirë. Të gjitha këto gardisti ia tregoj komandantit Sulo Derraj. Këto që i tha gardisti Sulo Derraj nuk i shkroi në librin tepër sekret të shërbimit të jashtëm të vilës. Komandantit iu duk e pabesueshme. Edhe ushtarët e Gardës ndonjëherë i zinte gjumi. Për habi Sulo Derrajn nuk e thirri as Komanda e Gardës. Por gardisti roje nuk heshti. Ai foli me komandantin e togës dhe me shokët më të ngushtë. Kadri Hazbiu ishte futur në “vrimën e zezë” në orët e vona. Por nuk ia varën teneqenë. Ke qenë në gjumë i thanë. Të kanë bërë sytë. Sulo Derraj u trazua. Pas vrasjes së Mehmet Shehut shoqëruesit filluan të flasin. Ata që ishin si skalion i parë i koordinonin veprimet me rrethimin e dytë, që ishte shërbimi me forca i Gardës së Republikës. Shoqëruesit tregonin se Fiqrete Shehu u kishte thënë se tek dhoma e Mehmet Shehut kishte qenë Kadri Hazbiu. Ky detaj përputhej me atë që kishte deponuar gardisti i vendrojes 10. Tjerrja e gjalmit të çon në variantin më të besueshëm. Fiqrete Shehu duhet të ketë qenë në dhomën e Mehmet Shehut para se ai të vriste veten. Natyrisht që Mehmet Shehu i ka treguar se në takim me të kishte qenë Kadri Hazbiu. Shoqëruesi i Fiqrete Shehut duhet besuar. Ai ishte njeri i afërt i Drejtoreshës së Shkollës së Partisë. Po nga doli Kadri Hazbiu? Askush nuk di gjë. Kjo mbeti mister.

Jashtë arkivit jeta e ministrit të brendshëm është edhe me më shumë gërvëlima e pikëpyetje. Kur Kadri Hazbiu u transferua në Ministrinë e Mbrojtjes ai bëri një gjest që edhe sot tregohet. Kasafortën e zyrës së tij në Ministrinë e Brendshme e nxori me vinç nga dritarja. Kasaforta qe e madhe dhe dritarja e zyrës u hap me ustallarë. Atë ditë që kasaforta u zbrit me vinç nga zyra për në makinën e posaçme, e cila e priste në bulevard, doli e gjithë ministria si në ndonjë shfaqje. Përse duhej bërë ky veprim? Çfarë dreqi fshihej në atë kasafortë? Ku përfunduan dokumentet pas pushkatimit të ministrit? Mihallaq Ziçishti i dogji dokumentet, që e komprometonin në oxhakun e vilës së tij në Durrës. Tymi i zi bëri rrethrrotullimin mbi qytetin e Durrësit dhe u fsheh pas vilës së Zogut në Currila. Kuadrot kryesore të Ministrisë po i zinte zullumi. Feçorr Shehu që zëvendësoi Kadri Hazbiun gati një muaj u mor me patinimin e zyrës. Të gjitha muret e zyrës janë “salduar” me nikotinë thoshte Feçorr Shehu. Nuk del era e tymit të cigareve të dredhura prej Kadri Hazbiut. Thoshte dhe ca gjëra të tjera të rënda. Këto i dëgjonin punonjësit. I kam dëgjuar dhe unë. Po si guxonte Feçorr Sheu? Apo ai e kishte në “tavë” Kadri Hazbiun?

Kanë kaluar mbi dyzetë vjet që kur ish kryeministri Mehmet Shehu vrau veten. Janë shkruar qindra faqe. Çfarë nuk lexon nëpër arkiva? Një gjë mbeti enigmë si një kaproll i plagosur që vrapon nëpër mjegull. Nata e vetëvrasjes është e mbushur me mister. Nuk kam lënë vrimë pa u futur e s’ kam lënë thërrmijë pa analizuar në lëmin e përgjakur të vilës 30, ku u vetëvra Mehmet Shehu. Enigma më e madhe është vetë Fiqrete Shehu. Nëpër dosjet e arkivit thuhet se Vladimir Shehu ka hyrë i pari në dhomën e përgjakur të atit të vdekur. Ka qenë mëngjes [nuk fiksohet ora]. Ai ka marrë në telefon Ali Çenon dhe i ka thënë të ngjitet në dhomën e Mehmet Shehut. Bardha e shoqja e Vladimirit ia bënte: “O bo! O bo! O babi!”. Këtë përshkrim e bën shoqëruesi. Ai i  ka bërë disa pyetje dhe Fiqrete Shehu nuk përgjigjej. Lindin shumë pikëpyetje. Thonë se Vladimir Shehu nuk hynte kurrë në dhomën e të atit. Pse atë ditë u fut qysh në mëngjes? Po kufomën e Mehmet Shehut kush e mbuloi aq “bukur” sikur ai flinte me pistoletën e mallkuar mbi çarçaf si të qe lodër. Ka shumë mundësi që Fiqrete Shehu të jetë vënë vet në qendër të tragjedisë. Bashkë me të shoqin e kanë kopsitur vetëvrasjen. Sigurisht që Mehmet Shehu i ka thënë të shoqes se në dhomën e tij kishte qenë Kadri Hazbiu. Dhe “Jagoja” ia ka prerë të gjitha shtigjet e shpresës. Edhe krevatin ku dergjej Mehmet Shehu, Fiqretja e ka rregulluar me duart e saj. Kë nuk kam pyetur? Askush nuk është futur në dhomën e krimit përveç Fiqrete Shehut. Natyrisht që edhe letrën ajo e ka lexuar. Si nuk u bë merak gruaja e Mehmet Shehut që letrën e të shoqit e mbante i biri të mbyllur në zarf? Si nuk u bë kureshtare që ta lexonte se çfarë kishte shkruar burri i saj? Përgjigja e thjeshtë është se ajo dinte gjithçka. Qe aktore e mirë dhe e luajti rolin më së miri. Edhe kur erdhi Kadri Hazbiu në orën tetë të mëngjesit Fiqrete Shehu nuk ka folur. Qante, por nuk lëshonte asnjë pikë lot. Dhe filli i gjalmit ngatërrohet më shumë në lëmsh. Lind dhe një pyetje që të befason. Si shpjegohet që në vilën e Mehmet Shehut erdhi i pari Kadri Hazbiu? Ai nuk ishte Ministër i Brendshëm. Siç del, Kadri Hazbiu i mbante veshët pipëz. Nuk ka fjetur gjumë. Ishte në pritje të gjëmës që e kishte gatuar vetë.

(Vijon) /Gazeta Dita/

Më Shumë

Rexhaj: Jam i sigurt që opozita nuk i jep nënshkrimet për të shkuar në zgjedhje

Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kjo opozitë nuk i jep nënshkrimet për të shkuar në zgjedhje. “Jam shumë i sigurt që kjo...

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Lajmet e Fundit