10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shqiptarët janë popull i fortë

Adem Demaci

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se ky 28 nëntor shqiptarët i ka gjetur më mirë se ndonjëherë. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Demaçi ka thënë se pas zgjedhjeve të fundit në Shqipëri është çelur një dritë e madhe, një shpresë e madhe, se tashmë Shqipëria do të drejtohet si duhet.
Ai ka thënë se këtë 28 nëntor e ka pritur me një optimizëm më të madh sesa e ka pasur para 5-6 muajve. Demaçi ka thënë se, pavarësisht se shqiptarët kanë humbur shumë luftëra dhe janë shuar shumë kryengritje, ata prapë janë ngritur. “Kemi humbur shumë luftëra, shumë punë, janë shuar shumë kryengritje, por përsëri janë ngritur shqiptarët, përsëri kanë luftuar për liri, përsëri nuk e kanë harruar vetveten, e ky është një shembull unik në botë që një popull kaq i vogël të bëjë kryengritje kaq të shumta me pushtues shumëfish më të fortë, më të organizuar dhe me më përkrahje sesa ne”, ka thënë Demaçi.
Në këtë intervistë Demaçi ka folur edhe për qeverisjen në Kosovë dhe atë në Shqipëri. Ai ka deklaruar se qeverisja në Shqipëri ka marrë një rrugë të mbarë. Ekonomia në Shqipëri, sipas tij, është dy hapa para nesh. Kurse, thotë se Kosova në këtë drejtim është më keq për shkak të përzierjeve ndërkombëtare nga jashtë. “Ne këtu jemi keq për shkak se ka përzierje nga jashtë. Kjo përzierje nga jashtë bëhet t’ia bëjë qejfin Serbisë sepse qarqet evropiane në rend të parë dhe Amerika u ndihmon atyre. Qëllimi është ta tërheqin Serbinë nga ai kompozicioni sllav e rus dhe ta marrin me vete në Bashkimin Evropian, me shpresë se do ta marrin edhe në paktin e NATO-s. Me fjalë të tjera, faturat i paguajmë ne. Neve në fakt na shpërndanë ushtrinë tonë që doli pas kryengritjes. Në vend se të formohej menjëherë ushtria jonë, të armatosej ashtu siç duhej, në mënyrë që Serbia t’i humbte edhe shpresat e fundit që do të mund të rikthejë diçka nga ato ambiciet e veta pushtuese dhe çetnike. Përkundrazi. këta neve na mbajtën pa ushtri, me një polici më shumë të komanduar nga të huajt sesa nga ne, me prokurori e gjyqe të huaja vazhdimisht, me përzierje të ndryshme vazhdimisht, me këto privatizimet me të cilat nuk fitoi asgjë ekonomia shqiptare e Kosovës”, ka thënë Demaçi.
Duke folur për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm, Demaçi është shprehur se në këtë projekt shqiptarët janë vonuar. “Tash bashkim klasik nuk do të ketë, sepse ne jemi popull i vonuar siç ka thënë akademiku ynë i njohur, Rexhep Qosja. Ne nuk e kemi përjetuar as skllavopronarin atëherë kur e kanë përjetuar popujt e tjerë, nuk e kemi përjetuar as feudalizmin kur e kanë përjetuar popujt e tjerë dhe gjithmonë kemi ecur me vonesë”, ka thënë Demaçi, duke shtuar se atmosfera e re e krijuar brenda Evropës dhe qëllimet e saj që të bashkohen popujt e Evropës për të ecur më shpejt përpara e bëjnë të mundur që të bëhet bashkimi i shqiptarëve pa prekur kufijtë, të cilët i frikësojnë ata të cilët janë rrotull nesh.

“Epoka e re”: Z. Demaçi, si e vlerësoni këtë 28 nëntor? Sa po i gjen shqiptarët e bashkuar në aspektin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve?
Demaçi: Ky 28 nëntor, ky 101-vjetor i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, po na gjen objektivisht më mirë se kurrë ndonjëherë. I kemi edhe ato copa që na i kanë marrë dhe na i kanë robëruar, po na i mbajnë të vuajtur edhe atje. Them se pak më lirisht po marrim frymë. Është shënuar njëfarë përparimi, sidomos në Shqipëri, pas këtyre zgjedhjeve të fundit. Është çelur një dritë e madhe, është çelur një shpresë e madhe, se Shqipëria do të drejtohet si duhet. Po qe se drejtohet Shqipëria si duhet do të drejtohemi edhe ne këtu në Kosovë si duhet. Kështu që, këtë 28 nëntor po e pres me një optimizëm pak më të madh sesa që kam pasur para 5-6 muajve për këtë gjendjen tonë. Ne jemi këtu në Kosovë dhe i kemi problemet tona. Serbia po përpiqet të mos na lë të rehatohemi dhe të stabilizohemi. Po përpiqet të na çnuk një copë, pastaj të na marrë krejt, por projektet e saj siç kanë dështuar, do të do të dështojnë prapë, por do të kemi punë me të dhe do të humbim kohë me të.

“Epoka e re”: A mund të krenohemi si popull me të arriturat e deritanishme?
Demaçi: Ne mund të krenohemi sepse duhet të dihet një gjë. Populli shqiptar që nga fillimi i luftërave pushtuese kundër nesh, qe dy mijë vjet para Epokës së Re, pra që nga ajo kohë ne gjithmonë kemi pasur luftëra të pabarabarta dhe asnjëherë nuk jemi ndalur. Kemi humbur shumë luftëra, shumë punë, janë shuar shumë kryengritje, por përsëri janë ngritur shqiptarët, përsëri kanë luftuar për liri, përsëri nuk e kanë harruar vetveten, e këta janë shembull unikë në botë që një popull kaq i vogël të bëjë kryengritje kaq të shumta me pushtues shumëfish më të fortë, më të organizuar dhe me më përkrahje sesa ne.
Ne gjatë historisë kaluam si një udhëtar i vetmuar nëpër furtuna të mëdha dhe ja ku jemi sot. Prapë po them jemi më shumë se kurrë ndonjëherë. Jemi më mirë se kurrë ndonjëherë. Por, objektivisht, krahasuar me të tjerët, jemi bira e fundit e kavallit këtu në Evropë. Ka nëpër Afrikë e nëpër ato vende të tjera që ndoshta i kanë punët më keq se ne, por sa për Evropë këtu ne ende kemi mbetur mbrapa, jo për fajin tonë, por gjithmonë duke pësuar nga intervenimet e huaja, nga kushtëzimet e huaja të cilat edhe sot e kësaj dite nuk po pushojnë për hapësirën shqiptare dhe për kombin.

“Epoka e re”: Pse ende shqiptarët nuk kanë unifikim dhe koordinim të hapave?
Demaçi: Mua më duket se Shqipëria si trungu ynë, siç i kemi thënë ne nëna jonë, ka qenë e parapërcaktuar për të luajtur një rol pak më të mirë. Mirëpo edhe Shqipërinë forcat e huaja e kapën. E kapën Serbia me Zogun, Serbia me Enverin, Rusia me Enverin, kështu që asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të drejtohet në këmbë të veta dhe të jetojë vetë dhe të mos bëhet vasal i dikujt e të mos i mbështetet dikujt. Këtu ishte shkaku kryesor. Kurse ne si copë që na ndanë nga trungu ynë, na palavitën, pra Serbia me të gjitha ato projektet e veta shkatërrimtare dhe zhdukëse. Madje në kohën e Millosheviqit dolën hapur për ta serbizuar Kosovën dhe për t’i zhdukur shqiptarët. S’kishte tjetër rrugë. Kështu që, pa fajin e vet, shqiptarët, si një hapësirë shumë e përshtatshme dhe si një popull ende i papjekur dhe i paorganizuar si duhet, ishte një kafshatë shumë e këndshme dhe shumë e përshtatshme për të na çnuk dhe në forma të ndryshme për të na mbajtur në robëri të gjata.
Krejt këto kanë ndodhur pa fajin tonë, sepse kemi qenë të vetmuar sikurse e kemi gjuhën të vetmuar. Unike është gjuha shqipe midis gjuhëve evropiane edhe të pa krahë. Nuk kemi qenë, do të thotë as sllavë e as gjermanë. Nuk kemi pasur përkrahje, por të gjithë janë munduar të na pushtojnë, të na copëtojnë dhe nuk jemi rastësisht të ndarë sot në gjashtë copë, pikërisht sepse ishim të butë dhe të këndshëm. Prandaj me ne kanë bërë tregti që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit kur dështoi, që nga ajo kohë kanë filluar neve të na gdhendin copat, të na heqin copat, t’ua japin herë sllavëve, serbëve, malazezëve dhe grekëve. Me fjalë të tjera, kemi qenë njëfarë cope që i janë ndarë kafshatat tjetërkujt dhe i kanë paguar hesapet, marrëveshjet e veta Fuqitë e Mëdha, kryesisht anglo-francezët, pastaj edhe të tjerët.

“Epoka e re”: Z. Demaçi, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen në Kosovë dhe atë në Shqipëri?
Demaçi: Qeverisja në Shqipëri, nga informatat që kam deri tash, ka marrë një rrugë të mbarë. sepse ato që na kanë munguar për 20 vjet, pa ndonjëfarë demokratizimi të duhur dhe si duhet, por hyni mafia, hynë kriminelët, hynë hajnat, u bë ajo kryengritja tragjike e ’97-s, ku sikur u zhduk Shqipëria dhe tash duket se Shqipëria e ka marrë veten. Ta merr mendja se Shqipëria i ka problemet e veta dhe tash është në fillim të rregullimit dhe korrigjimit të të gjitha atyre gabimeve që janë bërë deri më tash. Megjithatë, edhe përveç këtyre gabimeve dhe telasheve nëpër të cilat kaloi Shqipëria, prapë ka atje përparim më të madh. Ekonomia ka përparuar pak më shumë, është një hap apo dy para nesh. Ne këtu jemi keq për shkak se ka përzierje nga jashtë. Kjo përzierje nga jashtë bëhet t’ia bëjë qejfin Serbisë sepse qarqet evropiane, në rend të parë dhe Amerika u ndihmon atyre. Qëllimi është ta tërheqin Serbinë nga ai kompozicioni sllav e rus dhe ta marrin me vete në Bashkimin Evropian, me shpresë se do ta marrin edhe në paktin e NATO-s. Me fjalë të tjera, faturat i paguajmë ne. Neve në fakt na shpërndanë ushtrinë tonë që doli pas kryengritjes. Në vend se të formohej menjëherë ushtria jonë, të armatosej ashtu siç duhej, në mënyrë që Serbia t’i humbte edhe shpresat e fundit që do të mund të rikthejë diçka nga ato ambiciet e veta pushtuese e çetnike. Këta, përkundrazi, neve na mbajtën pa ushtri, me një polici më shumë të komanduar nga të huajt sesa nga ne, me prokurori e gjyqe të huaja vazhdimisht, me përzierje të ndryshme vazhdimisht, me këto privatizimet me të cilat nuk fitoi asgjë ekonomia shqiptare e Kosovës. Këto privatizime u bënë shkel e shko dhe iu bë qejfi grupeve të ndryshme. U shit Feronikeli për 28 milionë euro, e tash vetëm 40 për qind të aksioneve të tyre i shesin për 167 milionë euro dhe nuk e dimë se kujt ia kemi shitur dhe as si ia kemi shitur. Janë bërë punë edhe këtu, por ka përzierje të mëdha të interesave, të grupeve të ndryshme, të milionerëve dhe miliarderëve të cilët përzihen nga jashtë dhe janë lidhur me këta të brendshmit, të cilët u duhen për t’i realizuar më shpejt dhe më lehtë ato projektet e tyre të zhvatjes së këtyre pasurive tona.
Shembull kemi gati një miliard euro para tonat që sillen nëpër bankat e miqve tanë evropianë, me pretekstin se ne nuk kemi bankë të hairit e cila mund t’i përpunojë dhe t’i mbajë e mos t’i humbë. E këtu prapë fajin e kanë këta miqtë tanë sepse kanë pasur mundësi të bëhet një bankë e fuqishme shqiptare që t’i përdorte ato të holla për zhvillimin e Kosovës e jo të silleshin nëpër bankat e Evropës. Madje ne nuk e dimë kush i ka dorëzuar dhe si. Të gjitha këto mbahen fshehtë dhe prapa shpinës së këtij populli të shkretë dhe të gjorë. Me neve manipulohet edhe politikisht, edhe ekonomikisht, edhe ushtarakisht, në çdo pikëpamje. Unë nuk i fajësoj këta tanët që nuk mund të qëndrojnë sepse nuk kanë fuqi të qëndrojnë pasi gabimet janë bërë më herët duke vlerësuar situatën gabimisht. Nuk ua mori mendja të vazhdojë kryengritja derisa të mund të liroheshim ne me forcat tona ose të gjendeshin zgjidhje të tjera, e jo të fillojë nga një Rezolutë 1244, e cila na sakatosi krejt, derisa erdhi projekti i Ahtisarit, që masakroi hapësirën shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, duke u dhënë të drejta të atilla.
Unë jam për të drejtat e të gjithëve, jam për të drejtat e pakicës, por t’i japësh pakicës një të drejtë që të mund t’i stopojë edhe ligjet më humane që mund të dëshirojë t’i nxjerrë shembull shumica shqiptare, nëse serbëve nuk u pëlqen, ata thonë jo dhe ligji nuk shkon. Këso të drejtash t’u jepen atyre dhe neve të na shkruhet Kushtetuta, e cila na thotë jeni të lirë, por s’guxoni të bashkoheni me askënd. Do të thotë, je i lirë, por s’je i lirë! Pra, do të bësh ashtu siç të them unë me fjalë të tjera. Kështu që, ka një zhgënjim të madh me shpresat tona të shumta e të mëdha që i kishim në miqtë tanë evropianë, se do të na demokratizojnë me të vërtetë dhe se do të na ndihmojnë, por doli puna pak më ndryshe. Këto janë problemet tona. Nëse Shqipëria do të arrijë të mëkëmbet si duhet dhe të forcohet si duhet, që unë kam shpresë se do të bëhet, dhe nëse Gjermania do të angazhohet që Kosovën ta shpëtojë nga kjo palavitje që po kalon Kosova jonë, atëherë kemi shpresa se e ardhmja jonë e afërt të ndryshojë për të mirë dhe shqiptarët kudo që janë mund të ecin përpara dhe ta zënë Evropën dhe të bashkohen me të tjerët.

“Epoka e re”: Z. Demaçi, besoni se një ditë mund të ndodhë bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë në një shtet të vetëm, apo populli shqiptar duhet të heqë dorë nga kjo përpjekje dhe dëshirë?
Demaçi: Tash bashkim klasik nuk do të ketë, sepse ne jemi popull i vonuar siç ka thënë akademiku ynë i njohur, Rexhep Qosja. Ne nuk e kemi përjetuar as skllavopronarin atëherë kur e kanë përjetuar popujt e tjerë, nuk e kemi përjetuar as feudalizmin kur e kanë përjetuar popujt e tjerë dhe gjithmonë kemi ecur me vonesë. Kështu që, krejt këto janë pa fajin tonë dhe kemi mbetur mbrapa dhe të vonuar në të gjitha proceset. Edhe tash jemi të vonuar për atë bashkimin klasik siç kërkojnë shqiptarët. Por, atmosfera e re e krijuar brenda Evropës dhe qëllimet e saj, që të bashkohen popujt e Evropës për të ecur më shpejt përpara, e bëjnë të mundur të bëhet bashkimi i shqiptarëve pa prekur kufijtë të cilët i frikësojnë ata të cilët janë rrotull nesh.
Frikësohen gjoja nga faktorizimi i shqiptarëve. Këtu është puna që këta miqtë tanë u bënë lëshime shumë të mëdha këtyre dhe na futën në Kushtetutë që shqiptarët janë të lirë, por nuk guxojnë të bashkohen me askënd. Ky ishte kulmi i një demokracie nga shtetet që lavdërohen dhe krenohen për demokraci. Do të thotë, ne do ta bëjmë bashkimin, por do ta bëjmë bashkimin ashtu siç e duan koha dhe hapësira në të cilën jetojmë. Të drejtat tona nuk mund të bëhen, pavarësisht nga rrethanat në të cilat jetojmë, por varësisht nga rrethanat, e rrethanat janë këto.
Evropa përpiqet t’i fusë nën bashkimin e vet edhe shtetet e Ballkanit. Shikoni se si Maqedonisë i nxjerr probleme Greqia për një emër, për një kurrgjë hiç. Qëllimi i Greqisë është sikur qëllimi i Serbisë, t’i pengojë shqiptarët të ecin në rrugën e vet dhe të na vonojë. Por, do të bëhet kjo, por jo më në atë mënyrën sikurse ishte koha në Lidhjen e Prizrenit. Prandaj, do të bashkohemi në kohën dhe hapësirën e sotshme jo ashtu siç kemi menduar dhe siç kemi luftuar dhe jemi përpjekur të gjithë, duke menduar se Evropa do ta kuptojë dhe do ta shpërblejë popullin shqiptar.

Më Shumë

Zbulohet emri i vajzës së Luizit dhe Kiarës, ja detaji që nuk u shpëtoi fansave

Luizi dhe Kiara do të bëhen prindër për herë të parë. Moderatorja është në ditët e fundit të shtatzanisë, ndërsa ditën e djeshme çifti...

Beteja për titull zhvillohet në Suharekë

Ndeshje vendimtare për titullin e kampionit mund të jetë derbi që zhvillohet sot (e shtunë) në Suharekë mes liderit aktual në elitë, Ballkanit dhe...

Lajmet e Fundit