25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Të formohet një Këshill Mbarëkombëtar

Shkruan:Prend NDOJA, SHBA

Në kujtesën tonë kombëtare akoma rëndojnë të freskëta skenat e tmerrshme, kur përmes tytave dhe artilerisë serbe, vdekja përbinte jetë të pafajshme njerëzish. Ishte ajo kohë kur pushtuesi kreu masakrat më çnjerëzore, për ta zhdukur një popull të tërë. Trevat tona pjellore, me një natyrë të mrekullueshme, u shndërruan në pellgje mjerimi. Qetësia dhe paqja dridheshin nën hijen e okupatorëve serbo-rusë, ndërsa nën qiellin e Kosovës rrezet e dritës nuk mund të depërtonin përtej tymit të artilerisë dhe makinerisë vrastare të këtyre forcave. Një armatë e pajisur mirë i kishte shpallur luftë një populli të pafajshëm e të paarmatosur, që asnjëherë gjatë historisë nuk u sul të pushtonte atë që s’ishte e tij, por, si gjithmonë në vetëmbrojte të familjes e pragut të shtëpisë.
Në trungun më të vjetër të Europës – me fajin dhe pa fajin tonë, në oborrin e saj, ndërgjegjja paqësore dhe mirësia shpeshherë keqtrajtoheshin. Në vatrën tonë, shpeshherë liria përmbysej dhe jeta cenohej gjer në palcë.

 

Sytë e vendeve europiane e vënin një perde, veshët i bënin të shurdhër, që mos ta prishnin qetësinë e tyre, ndërkaq disa vende, madje bënin plane dhe tregti me pushtuesin, në dëm të tokave tona. Tubimet dhe fjalimet vazhdonin më një ritëm të ngadaltë, si mos të ishte gjendje e jashtëzakonshme. Ndikimi rus i mbante nën kontroll lëvizjet europiane, që askush mos ta pengojë gjenocidin që po e shkaktonte Serbia në Kosovë. Në një aspekt, nga Rusia dhe disa vende aleate të saj, Serbia e kishte dritën e gjelbër që të bënte spastrimin etnik në Kosovë. Që të hapeshin sytë e botës së përparuar, që bota ta ndihmonte popullin tonë, zëshëm kërkoheshin flijime. Për t´i vënë themelet e lirisë dhe për t´i treguar armikut se, më parë e pranojmë vdekjen, sesa robërinë, më tërë familjen e Tij, heroikisht u flijua Komandanti legjendar, Adem Jashari. Në atë betejë frynte stuhia zjarr.

Nga aty historia kombëtare ndryshoi rrënjësisht. Popullit iu rikthye shpresa dhe në fund të tunelit u pa një fije drite. Nga një det vuajtjesh dhe nga ofshamat e para të atdheut lindi një forcë, që në shpirt dhe në zemër e ndjente dhembjen. Ajo forcë, e dalë nga gjiri i popullit, u bë gur i pathyeshëm për armikun. Ata ishin më të zgjedhurit, ata vendosën ta flijonin jetën e tyre për lirinë e Atdheut; ashtu të ngjeshur me tokën Amë, në Mëmë-e-Dhe, i treguan armikut që kjo Tokë ka Zot, ka bijtë dhe bijat e saj që i thonë armikut Ndal!

Për t´u përballur me forcat e armikut, duhej mobilizim e diplomaci e spikatur, por ishte e domosdoshme për ta shpalosur edhe gjoksin nëpër vijat e frontit, dhëmb për dhëmb me okupatorin, duke e vënë atdheun mbi të gjitha. Atë obligim, të trasuar nga brezat e mëparshëm e morën bijtë dhe bijat mbarëshqiptare, më burrërisht se ndonjëherë më parë. Por lirisht mund të themi se atë peshë të rëndë të përballjes me një okupator që posedonte një armatë ndër më të fortat e Europës, e mori i tërë populli i Kosovës. Nën rrjetën e hekurt të ushtrisë jugosllave, bijtë dhe bijat tona lëviznin dhe qëndronin me aq besë dhe përpikëri, saqë populli brenda kornizës së besës e ndiente mëvetësinë dhe aromën e lirisë. Pushtuesit çdo ditë ngapak i ndalej fryma, kur nuk gjente formë që t´i përçante shqiptarët, të depërtonte në mesin e tyre. Uniteti, mirëkuptimi, besa e solidariteti i popullit tonë ishte një shembull i veçantë dhe shkas i hapave të sigurtë drejt lirisë.

Te forcat tona, të shndërruara në UÇK, vdekja e kishte humbur peshën e saj mortore; njerëzit shndërroheshin në yje që shndrisin mbi atdheun. Koha tregoi qartë se, jo vetëm ushtarët në vija të frontit, por tërë shqiptaria ishte në luftë. Jeta rinore e kishte humbur buzëqeshjen e saj, atë ia kishin falë atdheut. Sot në ditarin e rreshkur të vuajtjeve, në rrudhat e ballit të tyre qëndron një histori e lavdishme. Aty mund t´i shfletosh rrjedhat kronologjike si një valë lumi, ku, në të shumtën e rasteve, ngjyra shndërrohet në të kuqe.

Në paqe kuvendohet shumë për luftën. Shpeshherë, disa, “burrërisht” notojnë mbi gjakun dhe mundin e atyre që vërtet i falën çdo gjë lirisë. Në paqe shpesh ëndjet shkelin mbi mendjen dhe harrojnë gjakun e derdhur për liri. Nga skenat e dueleve të luftës, në liri lindin “artistë” skenash që luajnë role heronjsh. Lindin edhe ata që prekin hojet e ëndjeve të tyre, duke e politizuar kohën dhe veprat më të lavdishme të ushtrisë sonë. Ata lehtë flasin për luftën, ashtu si me ndjesinë e një filmi.

Është lehtë të flasin nga një tavolinë plot, për ata që ushqeheshin nëpër male një herë në 24 orë. Është lehtë të flasin nga dhoma e nxehtë, për jetën e atyre që nëpër llogore me javë dhe muaj të tërë i rrihte shiu, era dhe bora. Ata, edhe nëse shpëtuan gjallë, shëndeti i tyre i vuan gjithmonë pasojat. Është lehtë të flasin nga banjat me ujë të ngrohtë, për ata që mjaftonte një herë në muaj të pastroheshin te ndonjë burim uji, apo në ndonjë pellg ku shkrihej bora. Është lehtë të flasin, kur në tavolinë kanë verë dhe pije te llojllojshme për ata që e shkrinin borën për t´i lagur buzët. Është lehtë të flasin duke u rrezitur në plazhe për ata që prisnin me ditë dhe javë për pak rreze për t´i tharë rrobat e tyre në ndojnë lëndinë atdheu. Më në fund, është lehtë të flasin, kur çdo lëvizje fizike e kane të mundshme, për ata që sot u mungojnë gjymtyrët, u mungon shëndeti. Është lehtë, sot, të kritikojmë, apo të tregoimë ligje dhe të drejta njerëzore për ata që përpara, e kishin natë e ditë djallin, që në çdo moment ua sillte vdekjen që t´i kafshonte.

 

Mbi të gjitha, vështirësia më e madhe ishte kur shpirti thyhej në gjysmë, pikëllimi e arrinte pikën kulmore kur ata e humbnin shokun- njeriun më të afërt të jetës, kur e grabiste vdekja para syve të tyre. Ishte e rëndë për ata që me të plagosur në krahë të udhëtonin me ditë e net të tëra për ta kaluar kufirin, që t´ua shpëtojnë jetën të tjerëve. Apo bartja e armatimit, në rrugën ku më parë kishin rënë shumë dëshmorë dhe prapë vazhdonin në të njëjtën udhë- në udhën e vdekjes. Koha nuk priste ndryshimin e motit, për ta sjellë armatimin përmes kufirit shqiptaro-shqiptar, por në kohë acari, bore e shiu ata ishin me ditë të tëra maleve duke udhëtuar. Nuk ishte e lehtë për një ushtri të pabarabartë me numër, me teknologji e armatim, me një përvojë të shkurtë, krahasuar me armikun. Ashtu e thyen kufirin e hekurt të vendosur nga shteti jugosllav dhe hynë në Koshare. Duke e mposhtur një ushtri me përvojë qindravjeçare u zhvillua një betejë që nuk mbahet në mend që nga koha e Gjergj Kastriotit. Aty i hyri tmerri armikut, aty e panë që Adem Jashari ishte gjallë. Nga tmerri që panë, pas çdo lisi u shfaqej nganjë Adem. Këta ishin, pra, luftëtarët e lirisë. Andaj në portën e mendjes duhet ta vëmë një filter pastrues që të dalë vetëm e vërteta nga mendja dhe goja e jonë për ushtrinë tonë çlirimtare. Ata që sot e meritojnë çdo lavdatë, çdo emër i tyre duhet që përjetësisht të ruhet në altarin e kombit, ashtu siç bëjnë popujt e përparuar të botës. Nëse vendit i kanoset ndonjë rrezik, ata prapë janë të parët. Ata shndërrohen në të djeshmit. Por, ne, si i trajtojmë këta sot? Nga brendia, çdonjëri i do dhe i respekton luftëtarët e vërtetë dhe përulet para veprës së tyre. Por nga shumë njerëz, respekti është thyer në gjysmë, ka mbetur në udhëkryq, ngaqë disa persona, për përfitime personale, në emër të UÇK-së, në të kaluarën dhe sot kanë bërë veprime të papranueshme, që nuk përkojnë me karakterin e UÇK-së.

Andaj, mendoj se është nevojë kombëtare që mos t´u qëndrojmë besnik keqbërësve që e kanë përbaltur emrin e ushtrisë sonë. Është nevojë kombëtare që tërë populli ta kuptojë se ushtria e jonë jemi ne, janë vëllezërit dhe motrat tona, që çdonjëri duhet të bashkohemi rreth tyre, duhet ta kuptojmë, më në fund, se të gjithë, në rast nevoje, duhet të bëhemi si ata për interesa të përbashkëta. Armiku, në radhë të parë, ata i mban në shënjestër, me dënime, maltretime, me çdo armë që e ka në dispozicion. Sulmi ndaj tyre nuk është një rrjedhë normale e procedurave juridike, siç mendojnë disa nga “modestia”e tyre. Por, kjo është përtej normales dhe shumë qëllimkeqe dhe kundër boshtit kurrizor të kombit tonë. Është një përgatitje për të cilën armiqtë tanë investojnë shumë, vetëm e vetëm për realizimin e qëllimeve të tyre. Kjo është arma e fundit në duart e tyre, pas humbjes së betejës në luftë. Në rrethana të tilla, pajtimi dhe afërsia në mes njëri- tjetrit është e domosdoshme, por askuj nuk i takon vendi që nuk e meriton. Pa dyshim, të gjithë e duam vendin, të gjithë e duam lirinë e plotë, por nganjëherë me ide dhe mendime ndryshe. Duhet të ulen të gjithë së bashku, pozitë e opozitë, t´i shprehin brengat si vëllai më vëllanë, sepse një hall të njëjtë e kanë të gjithë. Vetëm një parti e kemi dhe duhet t´i kontribuojmë të gjithë-ajo është partia e kombit, është kombi ynë, për sot dhe për nesër.

Meqë si komb jemi të ndarë në disa shtete të Ballkanit, është më se e nevojshme organizimi mbarëkombëtar nga njerëzit e dijes, i atyre që e kuptojnë testamentin mijëravjeçar të kombit dhe vlerën e tij. Ta formojnë një Këshill mbarëkombtëar, që të bëhet mburojë apo ombrellë e të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Të bëhet si një urë lidhëse e unitetit kombëtar dhe problemet madhore të kombit mos të shtjellohen “skutave” e ndarazi, por të kenë një seli parlamentare që i mbron interesat mbarëkombëtare, të kërkohen të drejtat e popullit tonë në Ballkan, ato të drejta që bota më ligjet e saj ua garanton, ashtu siç ua garanton popullit hebre kudo që gjenden nëpër botë bashkëkombësve të vet. Ky Këshill mbarëkombëtar duhet të mbyllë ndasitë brenda etnisë sonë dhe nga aty të dalë mendimi ynë i kristaltë dhe imazhi ynë mbarëkombëtar.

 

Më Shumë

1828 gjoba dhe 15 ndalime në trafikun rrugor të rajonit të Prizrenit

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, së bashku me stacionet policore në zonën e përgjegjësisë, kanë zbatuar me...

Dita Ndërkombëtare e Muzeve: QRTK në Prizren dhe OJQ Educo lidhin memorandum bashkëpunimi

Me rastin e shënimit të 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe OJQ Educo kanë nënshkruar një...

Lajmet e Fundit