3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Tërnava: Institucionet ta luftojnë ekstremizmin

NaimTernava-BIKKomuniteti Islamik i Kosovës po punon të përhapë mesazhin se islami nuk ka asgjë të përbashkët me ekstremizmin dhe terrorizmin.

Në një intervistë ekskluzive me SETimes, myftiu Naim Tërnava, kryetari i Komunitetit Islamik të Kosovës tha se imamët predikojnë se Islami është paqësor dhe nuk ka të bëjë fare me fundamentalizmin. Ai tha se nuk është vetëm komuniteti islamik që duhet të luftojë ekstremizmin, por edhe institucionet dhe individët.

“Nuk ka ekstremizëm në Kosovë…ka një grup të vogël të të rinjve që kanë një kuptim pak më ndryshe të kuptimit të islamit”, tha Tërnava, duke shtuar se Komuniteti Islamik i Kosovës ka organizuar jetën e tij fetare për rreth 600 vjet në bazë të kushteve të islamit që janë Kurani dhe Hadithet.

“Ne Kosovën tonë, shpirti i ruajtjes së asaj fryme tradicionale, të kultivuar me shekuj në popullin tonë në edukimin e besimtarëve, ka funksionuar në të kaluarën dhe funksionon [tani]. Kjo frymë do të vazhdojë edhe më tej”, tha ai.

Bekim Sakiqi, një shitës 37 vjeçar vendas, i beson komunitetit islamik.

“Bashkësia islame po bën një punë të mirë. Ka njerëz që e marrin gabim, por kjo është diçka tjetër. Ka disa njerëz që e keqpërdorin atë. Feja si e tillë punon drejt dhe mirë”, i tha Sakiqi SETimes.

Tërnava tha se si në islam dhe në fetë e tjera, ka individë që “i interpretojnë gjërat paksa ndryshe”.

“Dhe ky interpretim pak më ndryshe i islamit mund të shkaktojë konfuzion në masën e gjerë të njerëzve. Nga ana tjetër, ka kaluar koha e islamit formal, siç ishte gjatë kohës komunisto-ateiste, kur besimtarët myslimanë identifikoheshin vetëm me emër dhe një pjese e madhe e tyre nuk ishin praktikues te Islamit”.

Tërnava shtoi se besimtarët myslimanë integruan praktikën e islamit në jetët e tyre të përditshme, duke përfshirë faljet në xhami, agjërimin dhe shmangien e dukurive negative në shoqëri, të tilla si droga, gënjeshtrat, vrasjet, alkooli dhe prostitucioni.

Abit Hoxha, studiues për Qendrën e Studimeve të Sigurisë në Prishtinë, tha se një mungesë tolerance në diskursin publik tregon se ekstremizmi ekziston.

“Kosova ka kultivuar tradicionalisht një kulturë dhe traditë që është tolerante dhe jo ekstreme, por me ndryshimet politike, edhe fraksione të ndryshme kanë dalë në sipërfaqe dhe mund të jenë ekstremiste në fjalorin e tyre” tha Hoxha për SETimes.

Përveç diskutimit të çështjes në xhamitë, Komuniteti Islamik i Kosovës nuk ka programe apo nisma në veprim për të shkurajuar ekstremizmin. Tërnava tha se qasja e komunitetit islamik ka funksionuar mirë për pjesën më të madhe, por ai pranoi se ka pika të dobëta.

Një imam i Kosovës në qytetin perëndimor të Prizrenit kohët e fundit bëri komente lidhur me imoralitetin dhe prostitucionin që ofendoi shumë shtetas të Kosovës, veçanërisht nga gjuha që imami përdori. Ai tha se gratë që kishin pasur marrëdhënie përpara martesës qenë “kurva” dhe ai u kërkoi të rinjve t’i braktisnin ato.

“Bashkësia islame e ka thënë fjalën e vet dhe askush nuk e mbështet gjuhën e përdorur në këtë rast nga imami. Imami ka përmendur një grup grash, vajzash që mund të jenë jo të moralshme, problem këtu është se ai ka përdorur një gjuhë shumë të vrazhdë ne këtë rast, por Zoti thotë se mëkati duhet të luftohet”, tha Tërnava.

“Ne e kemi për detyrë ta luftojmë të keqen, pavarësisht i vjen mirë dikujt apo nuk i vjen. Për ne nuk është demokraci të bësh prostitucion, laviritet. Ne e kemi parim në islam që të mundohemi që motrat tona, gratë tona t’i largojmë nga marrëdhëniet intime jashtë kurorës”.

Tërnava shtoi se që nga konflikti i armatosur dhe pavarësia e Kosovës, ka pasur më shumë mundësi për individët dhe shoqatat të kuturisin jashtë shtetit, “ku ata mund të marrin dhe të frymëzohen nga disa ide që nuk përkojnë në total me traditën tonë fetare” dhe besimet tradicionale shqiptare islamike.

“Bashkësia Islame…ka dhënë kontributin e vet në demaskimin e çdo gjëje të huaj në luftën e vazhdueshme që veçanërisht të rinjtë të mos indoktrinohen me mësime dhe rryma të huaja që dëmtojnë ardhmërinë e vendit tonë dhe të besimtarëve tanë”, tha Tërnava.

Më Shumë

Besëlidhja fiton ndaj Bashkimit

Besëlidhja ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 81:77 (19:20, 29:15, 19:19, 14:23), në javën e parë të Ligës Unike. Më të mirët te vendasit...

Parashqevi Simakut i plotësohet dëshira, bie në kontakt me djalin

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku ka bërë të ditur mbi një zhvillim të fundit, ku thotë se ka komunikuar me djalin e saj. Ajo...

Lajmet e Fundit