Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka kohë që është bërë “kurban” i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht i kryeministrit Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorëve e bashkëpartiakëve të tij.
Janë dhjetëra raste kur njeriu që në opinion njihet si “krahu i djathtë” i Thaçit është deklaruar për çështje të ndryshme, ndërkaq pak më vonë ai është denoncuar nga qeveria së cilës i shërben. Ky “fat” atë e ka ndjekur sikurse në qeverinë paraprake, ku ishte zëvendëskryeministër, edhe në këtë aktuale, ku përveç zëvendëskryeministër është edhe ministër i Drejtësisë, njofton Zëri.
Deklaratat “bombë”
Në nëntor të vitit 2009 Kuçi e pati lëshuar lajmin, të cilin me shpejtësi e pati transmetuar televizioni publik, që bënte të ditur se Partia Demokratike e Kosovës e ka prishur koalicionin qeverisës me partnerin e atëhershëm, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ndërkaq, vetëm pak kohë më vonë ky lajm ishte “përgënjeshtruar” nga bashkëpunëtorët e tij qeveritarë, ndërsa koalicioni qeverisës pati vazhduar deri në momentin kur vetë LDK-ja e kishte braktisur atë.
Rreth dy vjet më vonë, ai qe deklaruar edhe për një çështje të ndjeshme. Pas zhurmës që patën bërë gazetarët kosovarë për nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, ai pati thënë se nëse ato miratohen në Kuvend, atëherë do të japë dorëheqje, gjë të cilën e pati bërë ngase partia e tij e pati “prerë në besë”. Ndërkaq, disa javë më vonë ai ishte rikthyer në “vendin e punës”.
Deklarimet e tij që vijnë në kundërshtim me qëndrimet e qeverisë, dhe që nuk mbështeten as nga qeveria dhe as nga partia e tij, PDK-ja, nuk përfundojnë me kaq.
Pa i llogaritur rastet “e vogla” kur ai kishte deklaruar diçka tjetër, dhe ministra e zyrtarë të caktuar qeveritarë diçka tjetër, “kryevepra” është deklarimi i tij i fundit se do t’u ndalohet hyrja zyrtarëve shtetërorë të Serbisë në Kosovë përgjatë periudhës sa në Kosovë do të zhvillohet fushata parazgjedhore.
Ai ka deklaruar se është vendim i Qeverisë së Kosovës që asnjë zyrtari të Qeverisë së Serbisë mos t’i lejohet hyrja në Kosovë, por pak a shumë siç pritej, deklarata e tij është hedhur poshtë, dhe atë nga njëri prej këshilltarëve të kryeministrit, Bekim Çollaku.
Gjatë një prononcimi për mediet e vendit, Çollaku ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim për ndalesën e vizitave të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në Kosovë gjatë kohës së fushatës parazgjedhore.
“Si duket është krijuar ndonjë keqkuptim i panevojshëm. Nuk ka ndonjë vendim të tillë në fuqi. Qeveria e Kosovës ka në fuqi procedurat për vizitat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë në Kosovë të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në të ardhmen”, deklaroi ai dy ditë më parë.
Kuçi: S’po më djegin!
Sidoqoftë, vetë zëvendëskryeministri i Kosovës, Kuçi, nuk beson se ai është duke u “djegur” brenda Qeverisë së Kosovës, dhe gjithashtu mohon se ndonjëherë është sfiduar nga ndonjë zyrtar qeveritar.