10.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Treshja Thaçi-Haliti-Syla grabitën milionat e UÇK-së

Intervistë me veprimtarin e LPK-së, Ibrahim Kelmendi

“Peshqit e mëdhenj” të pasluftës duhet të jenë marioneta të shërbimeve të huaja inteligjente

“Banda e treshes duhet të ketë grabitur rreth 70 % të ndihmave financiare, të grumbulluara për UÇK-në. Secili shtab i zonave do të duhej të dëshmonte sa ndihma ka marrë nga ato mjete. Po të guxonin dhe të bëheshin të sinqertë, do të konkretizohej akoma më shumë ky sabotim. Ta zëmë, vetë i kam pyetur Sylejman Selimin dhe Agim Çekun për kohën që ishin komandantë të Shtabit të Përgjithshëm, nëse dinë diç për qarkullim të mjeteve financiare, respektivisht nëse kanë pasur kompetencë komanduese e kontrolle mbi mjetet financiare të UÇK-së, dhe që të dy janë përgjigjur se nuk u janë dhënë as të holla xhepi sa për të blerë cigare. Shtabet e zonave i kishin në dispozicion, si ndihma, vetëm mjetet financiare që nuk i kishte grabitur banda e treshes (Xhaviti, Azemi e Hashimi), e që ishin ndoshta rreth 30 % të mjeteve të përgjithshme”, ka thënë Kelmendi

Kosova Sot”: Këto ditë u lajmërua nga Holanda se po bëhet gati të themelohet Gjykata Speciale, e cila do të ketë të akuzuar ish-drejtues të UÇK-së. Kanë qarkulluar emra, por zyrtarisht nuk dihet se kush do të akuzohet. A keni ndonjë ide se kush mund të përfundojë në këtë tribunal për krimet e supozuara të luftës?

Ibrahim Kelmendi: Jo, nuk kam, pos atyre që janë përfolur gjatë debateve, kur është votuar në Këshillin Evropian, aty ku është vendosur që të hetohet krimi i supozuar për trafikim me organe, respektivisht e ashtuquajtura “shtëpi e verdhë”. Unë qysh atëherë i kam dhënë intervistë gazetarit gjerman, Erich Ratfelder, për të dëshmuar të kundërtën e atyre akuzave, duke u thirrur në faktin se isha njëri nga administruesit e ndihmave të fondit “Vendlindja thërret” dhe po të kishim “shtëpi të verdhë” si bazë, do të isha i informuar.

“Kosova Sot”: A është e pritshme që kjo gjykatë do të arrijë t’i zbardhë edhe vrasjet politike të pasluftës, që kanë ndodhur në Kosovë, por edhe të gjykojë shumë raste të tjera kriminale të fushave të ndryshme, të cilat lidhen me “peshqit ë mëdhenj” të politikës, e të cilat nuk e pati guximin t’i trajtojë gjyqësori i Kosovës, as në kohën e UNMIK-ut dhe as EULEXi dhe vendorët pas shpalljes së pavarësisë?

Ibrahim Kelmendi: Do të dëshiroja, por jam skeptik, meqë kjo gjykatë është më shumë zhurmim sesa sinqeritet e drejtësi. Përndryshe, nuk do të angazhoheshin edhe Hashim Thaçi, Xhavit Haliti dhe të tjerë që ajo të miratohej nga Kuvendi i Kosovës. Dik Marty, Serbia, Rusia dhe miqtë e tyre e patën arritur qëllimin në Këshill të Evropës. Më shumë nuk duhet të jenë të interesuar. Pra, ata donin që të diskreditohej Aleanca, e cila kishte bombarduar Serbinë, sikur paskësh përkrah kriminelë që kanë bërë tregti edhe me organe të njerëzve. “Peshqit e mëdhenj” të pasluftës duhet të jenë marioneta të shërbimeve të huaja inteligjente dhe nuk besoj se do t’i dënojnë marionetat e tyre.

“Kosova Sot”: Por, mos të harrojmë se një herë u vu në pikëpyetje nga PDKja votimi i Speciales, vitin e kaluar, dhe u desh ndërhyrja ndërkombëtare që të miratohej gjykata. Nga ana tjetër, tash Kuvendi duhet të ratifikojë një marrëveshje me Holandën për punën e Gjykatës dhe ende nuk dihet si do të shkojnë gjërat. Si e komentoni këtë fakt?

Ibrahim Kelmendi: Mund të jetë ashtu, meqë nuk i kam mbajtur mend detajet. E di që disa parlamentarë të PDK-së ishin kundër, meqë ata po i frikoheshin. Z. Hashim Thaçi dhe z. Xhavit Haliti angazhoheshin që t’i bindnin edhe ata deputetë të rebeluar që të votonin pro miratimit. Aktualisht Gjykata është çështje e koptisur. Duhet të ketë ngelur edhe ndonjë aspekt i natyrës organizative, financiare, teknike, do të thosha. Uroj që të hetohen, akuzohen dhe gjykohen vetëm ata që kanë bërë krime, me shpresë se nga gjykata politike, e cila qe imponuar në Këshillin e Evropës, të bëhet gjykatë që do të ndajë drejtësi. Fatkeqësisht, mandatin e ka për të gjykuar vetëm krimet e mundshme të pjesëtarëve të UÇK-së, por jo krimet monstruoze të forcave fashisoide serbe ndaj popullatës shqiptare.

UÇK-në e themeloi LPK-ja

“Kosova Sot”: T’i kthehemi pak themelimit të UÇK-së nga këndvështrimi juaj. Cili ka qenë roli i LPKsë në këtë ngjarje?

Ibrahim Kelmendi: Roli i Lëvizjes (LPK) ka qenë vendimtar. E para, Lëvizja në Kuvendin e saj të katërt, të mbajtur në verë 1993 në Prishtinë (në shtëpinë e bashkëveprimtarit Fatmir Brajshori), ka marrë vendim për të themeluar forcë të armatosur ushtarake, duke e ngarkuar ekipin që duhej të zbatonte vendimin. Meqë Lëvizjen në Kosovë e goditën përndjekje e burgosje të sforcuara të policisë serbe, kompetenca statutare për të zbatuar atë vendim i kaloi Lëvizjes, dega në emigracion (ose “jashtë vendi”, siç e quanim atëherë). Në vitin 1994 Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes (në emigracion) vendosi formimin e Sektorit për rëndësi të veçantë dhe e ngarkoi me kompetencë Kryesinë ta mbikëqyrë atë sektor. Gjithashtu, Këshilli i Përgjithshëm mori vendim për të formuar fondin “Vendlindja thërret”, që të mblidhnim ndihma për të ndihmuar UÇK-në financiarisht…

Më Shumë

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionin po vazhdon deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë. Pasurinë në këtë agjenci e ka deklaruar edhe kryetari i Komunës...

Malishevë: Gruaja largohet nga shtëpia, shkak dhuna e burrit

Një grua është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj. Rasti ka ndodhur të hënën në Malishevë, rreth orës...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit