Kurti ka thënë se “Agjendën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe punësimit do ta pasurojmë me ndryshimin e Ligjit të Punës dhe Punësimit përmes së cilave do të sigurojmë më shumë të drejta e më shumë mundësi për punësim dinjitoz”.
“Sot është dita kur duhet të tregojmë aktualisht por edhe të përkujtojmë punëtorët historikisht. Në antikitet dhe mesjetë nganjëherë caktoheshin ditët e lira për punëtorët dhe zejtarët. Gjatë Revolucionit Francez një ditë pune e muajit shtator u caktua si ditë feste. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shumë gjenerata 4 Korriku u festua edhe si Dita e Punës. Kjo praktikë filloi në vitin 1790 kur disa sindikata u bashkuan zyrtarisht me Shoqëritë Jeffersoniane Republikane-Demokratike që luftonin tendencat aristokrate të kohës. Të punësuarit besonin që vetëm duke u bashkuar përmes solidaritetit ashtu siç kishin bërë 13 kolonitë ata do të fitonin fuqinë kolektive për t’i tejkaluar sfidat drejt një të ardhme më të mirë. Në vitet 1820-1830, festimi i 4 Korrikut si ditë e punëtorëve u bë traditë – përmes saj synohej kompletimi i ngjarjes së Ditës së Pavarësisë më 1776, bashkim pra edhe në vendin e punës, dhe kundër tendencave të vjetra të punëdhënësve që trajtonin punëtorin si shpenzim që duhet kontrolluar. Festimi i 4 Korrikut si ditë e punëtorëve në këtë dritë zgjati deri më 1880 kur doli ngjarja e 1 Majit dhe Dita e Punëtorit”, ka shkruar kryeministri.
Ai ka thënë se është me rëndësi të kujtohet që punëtorët asokohe nuk gëzonin trajtimin njerëzor që e kanë sot.
“Punohej nga 10 deri në 16 orë në ditë, për shtatë ditë gjatë javës. Vendi i punës ishte i rrezikshëm e nuk ofrohej kurrfarë mbrojtje. Pagesa për punën e bërë ishte shumë e ulët. Ndryshimet që erdhën më vonë nuk erdhën si pasojë e gjenerozitetit të punëdhënësve ndaj punëtorëve. Ndryshimet erdhën përmes organizimit të punëtorëve të cilët punuan shumë dhe kaluan përplot sfida për t’u bashkuar e për të fituar aleatë në betejën e tyre për më shumë të drejta. Në këtë sekuencë kujtojmë rezistencën e punëtorëve në Çikago të cilët me 1 Maj 1886 hynë në grevë të përgjithshme me kërkesën për orarin 8 orësh të punës, kërkesë kjo që shihej si diçka absurde asokohe por që tashmë ishte bërë pjesë e një lëvizje botërore të punëtorëve. Greva kulmoi me ngjarjen në sheshin “Haymarket” në Çikago ku u vranë punëtorë e policë dhe u plagosën mbi 200 persona. Nga kjo ngjarje 1 Maji festohet botërisht si dita e punëtorëve”.
“1 Maji na mëson se vetëm të bashkuar në shoqëri dhe në vendin e punës mund t’i sigurojmë të drejtat tona e të punojmë për një të ardhme prosperuese për të gjithë. Ky mësim është i vlefshëm sidomos sot marrë parasysh makro agresionin në botë me pandemi, luftë, autoritarizma në ngritje dhe kriza ekonomike. Megjithëkëto, mikro agresioni i çështjeve të tjera që në përditshmëri prekin jetën dhe punën e punëtorit ka tendencë të shtyhet e të lihet anash dhe kjo nuk bënë të ndodhë. E shohim edhe në vendin tonë, nga njëra anë i jepet hapësirë dhe provohet të projektohet një interesim për çështje që lidhen me gjeopolitikë dhe fqiun autokratik, kurse në anën tjetër lufta e punëtorëve në sektorin privat kundër punëdhënësve oligark nuk paraqitet, shtypet e ndrydhet dhe mbahet qëllimisht e heshtur. Punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre. Ne duhet të jemi aleatët e tyre të besueshëm e të gatshëm. Vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi!”, ka shkruar Kurti.
Marketing