17.7 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Ujërat e zeza marrin banesat në qendër të Prizrenit(Video)

ura e gurit ne prizrenNë qendër të qytetit të Prizrenit, në bodrumin e njërës nga ndërtesat që gjendet në Sheshin e Lidhjes, ka 20 ditë që kanë depërtuar ujërat e zeza, sipas banorëve të lagjes, krejt kjo ka ndodhur për shkak të ndërtimit të sheshit nga Komuna e Prizrenit.

Banorët e ndërtesës pranë sheshit ku po kryhen punimet përveçse nuk po munden t’i shfrytëzojnë hapësirat e bodrumit ankohen se po kanë vështirësi të qëndrojnë në këtë objekt nga kundërmimi i rëndë i kanalizimit.

‘’Kur kanë filluar me ndërtu rrugën, e kanë çelë kanalizimin, era po vjen, kur kemi dalë e kemi pa se bodrumi jonë është mbushë”, thotë Suzi Celina, banor i kësaj ndërtese.

Bodrumi i këtij objekti të banimit kolektiv ku jetojnë 20 familje është mbushur nga ujërat e zeza. I moshuari Shaban Krusha që gjithashtu jeton në ndërtesë thotë se uji është mbledhur në bodrum, ngase gjatë punimeve në Sheshin e Lidhjes gypat e ndërtesës janë dëmtuar dhe mbyllur.

Ai tregon se gypat e rinj të kanalizimit në shesh janë vendosur mbi ata që e lidhnin ndërtesën me rrjetin e kanalizimit.

“Krejt kanalet, krejt gypat i kanë mshelë, ata kanë pas vytë që kur i kanë qitë gypat është dashtë me hy nën këta gypa, jo mbi ta”, thotë Krusha.

Suzi Celina tregon thellësinë e ujërave të zeza në bodrumin e ndërtesës.

“Thellë është gjysmë metre, bodrumet janë të banorëve’’, thotë Celina.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha problemet me kanalizim të kësaj ndërtese i lidh me vjetërsinë e rrjetit të gypave të saj.

“ Gjuha e ekspertëve dhe teknikëve na jep raport tjetër, jo që tani është blloku, se nuk është blloku. Çdo projekt që niset, që e realizon komuna ka kujdesin e ruajtjes së interesit të publikut, të qytetarit, por kapaciteti i kanalizimit i ndërtuar para 40- 50 vjetëve, edhe rritja e banorëve për shfrytëzim të atyre ndërtesave është në shpërputhje’’, arsyetohet Berisha.

Por banorët shpjegojnë se para fillimit të punimeve nuk kanë pasur probleme me kanalizim.

‘’Këto sende na nuk i kemi pasë. Kjo gjendje është kriju qitash kur kanë fillu kta me punu”, thotë Krusha

Zëdhënësi i komunës dhe këshilltari i Ramadan Mujës porosit banorët se problemi i kanalizimit do të zgjidhet në vjeshtë, atëherë kur do të fillojë faza e punimit nëntokësor të projektit.

‘’Jemi shumë të interesuar që dikund nga vjeshta do të futemi edhe në infrastrukturën nëntokësore, ku do të inkorporohen edhe i gjithë rrjeti i këtyre kanalizimeve në kanalizimin modern të ri dhe besojmë se në vjeshtë do të zgjidhet njëherë e mirë problemi i ujërave që janë tani në këto bodrume” thotë Berisha.

Ndërtesa, bodrumi i së cilës është mbuluar nga ujërat e zeza ndodhet në qendër të Prizrenit në “Shatërvan”./Kallxo.com/

Më Shumë

Ligjëruesit amerikanë përmbyllin me sukses angazhimin në Universitetin e Prizrenit

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, zhvilloi një takim falënderues me ligjëruesit amerikan Matthew Gleason, English Language Fellow dhe...

Moti sot: Me diell dhe vranësira të shpërndara, temperaturat deri në 33 gradë Celsius

Sot mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorlogjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin...

Lajmet e Fundit