Kosova po pret verdiktin e popullit për zgjedhjet parlamentare të parakoshme, të cilat në thelb, do të ndryshojnë vetëm emrin e kryeministrit dhe asgjë më shumë. Hashim Thaçi në këtë fushatë as më pak dhe as më shumë, po përdor të njëjtën gjuhë siç ka bërë dhe fituar deri më sot, madje në ndryshim nga zgjedhjet e shkuara Thaçi po sillet sikur të ishte në opozitë me premtimet që duhet t’i kishte bërë në mandatin e tij qeverisës, ndërkohë që LDK, nuk ka sjellë asgjë të re përveç faktit se koha e gjatë në opozitë ia kanë mbushur mendjen Isa Mustafës se këto zgjedhje i ka të fituara. Por, në letër të gjithë janë me Thaçin ndërsa në gjirin e qytetarëve cdo parti kërkon të marrë sa më shumë numra për në Parlamentin e ri. PDK e Thaçit nuk do ta ketë të lehtë pasi një pjesë e mirë e votave të saj do t’i shkojnë partisë së Fatmir Limaj, ”Nisma për Kosovën”, vota të cilat do t’i marr nga partia e Thaçit, ndërsa pjesa tjetër e votave do të ndahen mes partisë së Haradinaj dhe partisë së Albin Kurtit. Në fund të këtyre zgjedhjeve fatin e qeverisë së re do ta vendosin kualicionet, por Thaçi këtu e di fare mirë se përveç Isa Mustafës me të tjerët nuk do të mund të bëjë dot kualicion dhe në këtë mënyrë e vetmja shpresë për të qenë sërish në pushtet është LDK.
Mustafa ka vetëm një ëndërr të bëhet kryeministër, dhe me të janë gati të bëjnë koalicion lëvizja Vetvendosja, por edhe Fatmir Limaj, ndërsa i vemti që në rast se do të arrijë një numër të artë mandatesh është Haradinaj i cili mund të vendos fatet e qeverisë së re dhe të ulet sërish në poltronin e kryeministrit.
Për Thaçin është vetëm një rrugë apo ndoshta një “marrëveshje” e fshehtë me LDK, që mund ta mbajë atë sërish në pushtet, një marrëveshje mes dy partive të mëdha, por që kostot do i mbajë LDK, dhe Thaçi do të triumfojë sërish, ndërsa skena politike në Kosovë ,mund të ndryshojë rrënjësisht me formimin e një fronti të ri opozitat mes Vetvendosjes, AAK, dhe Nisma për Kosovën, një opizitë e cila për një kohë të shkurtër mund të dobësojnë aq shumë LDK, sa vetë Mustafa do e kuptojë se mbajtja mbi supe e Thaçit, do shpëtojë PDK, por jo atë dhe partinë e tij. Gjithsesi, këtë herë Thaci duket i vetëm, (me përjashtim LDK),e nëse llogaritë i dalin, atëherë ai do të dominojë shumë gjatë në skenën më të lartë të politikës në Kosovë, ku ëndrra presidenciale kalon pikërisht nga LDK.