16.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Vithkuqi, vendi i 100 krojeve dhe 24 kishave

Vithkuqi-korceRreth 25 kilometra larg Korçës, ndodhet fshati turistik i Vithkuqit. I strukur mes kodrave të buta, përbri pyjeve të dendur të ahut dhe dushkut,Vithkuqi ngjall vazhdimisht kërshëri e mister për egzistencën e tij. Vizita në fshatin Vithkuq mund të konsiderohet si nga më mbresëlënëset,teksa një bukuri e virgjër të ndjek në cdo rrethinë të tij duke të ofruar një panoramë përrallore.

Përvec klimës së freskët,bukurive natyrore, një tjetër atrakison për turistët është edhe Uji i Ftohtë, i cili gjendet në të paktën 100 kroje dhe shpesh nuk nguron të ndalesh aty për të shuar etjen. Por turistët joshen edhe nga banesat karakteristike të ndërtuara prej guri, dhe të përshtatshme për t’u akomoduar. Njëra prej banesave e ndërtuar rishtazi është ajo e ciftit Duni , e vendosur diku në qendër të fshatit, të cilët çdo vit presin turistë. Mikpritja e tyre na krijon një ndjenjë ngrohtësi e ndërsa Jorgjeta, e zonja e shtëpisë rrëfen atë çka mund të shijojë një turist.

Pa dyshim që karakteristikë e kuzhinës të këtij fshati mbetet lakrori me dy petë i pjekur në sac.

Edhe Marjeta është një tjetër banore e fshatit Vithkuq, e cila tashmë e ka kuptuar perspektivën e zhvillimit të turizmit dhe me familjen e saj ka ndërtuar një shtëpi për pushuesit në fshat, por pavarësisht kësaj ajo thotë se Vithkuqi ka nevojë për promovim me qëllim krijimin e një identiteti të plotë në turizëm.

Në Vithkuq mund të zgjedhësh të ecësh në rrugicat gjarpëruese, dhe të shijosh mrekullinë e pazakontë të natyrës, bukuri këto të lidhura ngushtë me trashëgimninë kulturore dhe historike të fshatit.

Vithkuqi, dikur ka patur 24 kisha, mes të cilave edhe manastirin e famshëm të Shën Pjetrit, por sot në gjendje të mirë janë vetëm 8 të tilla, të cilat mbartin vlera të madha artistike të artit bizantin. Një ndër to është edhe Kisha e Shën Mëhillit e cila ka afreske në dy shtresa, të cilat mbajnë firmat e David Selenicasit, dhe të vëllezërve Zografi. Përbri kishës së ‘Shën Mëhillit”, mes varrezave të fshatit na bën kureshtarë një varr me një kryq të madh në të cilin shkruhej ‘Varri i Pagëzimit’. Viktor Xheko, një Vithkuqar i vjetër në zonë na rrëfen se një prift grek, është bërë shkaktari i një tragjedie në fshat pasi nuk pranoi të pagëzonte në shqip një fëmijë të sapolindur me argumentin se riti i shenjtë mund të bëhej vetëm në gjuhën greke. Sipas 75-vjecarit, fëmija vdiq lakuriq në derën e kishës nga të ftohtit, dhe më pas u shua e gjithë familja e tij nga pikëllimi.

Mandej, teksa na shoqëron në fshat, kryeplaku Petraq Shore thotë se Vithkuqi është një perlë e natyrës shqiptare, por pavarësisht kësaj një pengesë e madhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë është mungesa e dokumentave të pronësisë. Vithkuqarët, ndonëse janë autoktonë nuk mund të shesin apo të blejnë një tokë në këtë zonë, e gjithë kjo për faktin se pronat e Vithkuqit nuk egzistojnë të regjistruara në sistem.

Nga Vithkuqi, nuk mund të largohesh pa vizituar edhe lagjen e përtejme ,aty ku është xhiruar pjesa më e madhe e filmit “Beni ecën vetë’.Pavarësisht viteve, banorët e këtij fshati,pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë figurantë në film, nuk ngurojnë të tregojnë me emocion momentet e xhirimeve, që shesh kërkohen nga turistë.

Rruga në kthim është padyshim po kaq e bukur, teksa shikimi prek dhe rezervuarin e Gjançit, i cili përngjason me një liqen./News24/

Më Shumë

Lajmet e Fundit