4.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Vizioni politik i Hasan Prishtinës nuk u vra asnjëherë

IbrahimGashi-rektori UPShkruan: Ibrahim Gashi

Sikurse veprimtaria e shquar politike-atdhetare e Hasan Prishtinës, që i la gjurmët e saja në historinë e shtetkrijimit shqiptar, po aq edhe vrasja e tij, përkatësisht motivet e vërteta të kësaj vrasjeje e konfirmuan përkushtimin deri në vdekje të këtij dinjitari të çështjes kombëtare për çlirimin dhe për bashkimin e kombit.

Figura e këtij eruditi politik, nga ajo që është shkruar deri më sot, nuk është ndriçuar në gjithë dimensionin e saj. Asnjëherë, madje as sot, nuk ka një perceptim gjithëshqiptar për Hasan Prishtinën si ideolog kryesor i krijimit të Shqipërisë si shtet të shqiptarëve në tërësinë e shtrirjes së tyre etnike.
Në vijim të këtij shkrimi po sjellim disa momente kyçe nga vizioni politik dhe veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës, për të kuptuar ekzistimin e një programi për zgjidhjen e çështjes kombëtare, prapa të cilit qëndronte ky erudit i politikës kombëtare.
Në kohën kur po dukej në horizont krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, kur Perandoria Osmane kishte hyrë në krizën e saj më të thellë institucionale, në prag dhe gjatë Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912, Hasan Prishtina e kishte të qartësuar projeksionin e tij të kërkesave që do t’ia parashtronte palës osmane.

Me t’u kthyer nga Stambolli ai u ndal në Shkup (prill 1912), ku vuri kontakt me konsullin britanik atje dhe në takimin e parë që pati me të deklaroi: “Na shqiptarët, për me i dhanë fund mizoris tyrke në Shqypni si dhe pengimeve që po na behen në çështje t’afabetit e kultures s’onë kombëtare, kemi zgjedhë si të vetmin mjet shpetimi me ba një levizjet’armatosun kundra sundimit tyrk”.

Pas disa ditësh, konsulli e njoftoi Hasan Prishtinën se Anglia “nuk ka interes nder çashtjet Ballkanike” dhe se “nuk është as kundra as pro një kryengritje të shqiptarëvet”.

Për të njëjtin takim flet edhe vicekonsulli britanik në Shkup, Pekami, i cili e priti Hasan Prishtinën në një vizitë në fund të prillit 1912. Sipas tij, lideri i Kryengritjes Shqiptare e kishte njoftuar atë se “Kryengritja e Përgjithshme në Shqipëri ishte e pashmangshme. Shqiptarët po kërkojnë anulimin e zgjedhjeve në gjithë Turqinë dhe në qoftë se dështojnë në këtë ata do të kërkojnë autonomi të plotë për Shqipërinë”.

“Kur i shtrova pyetjen për formën e kësaj ‘autonomie të plotë’ ai u përgjigj se aspiron krijimin e një republike shqiptare, lidhjet e së cilës do të jenë vetëm nominale më Portën”.

Në këtë pjesë të veprimtarisë së tij H. Prishtina spikat me guximin dhe me vizionin e tij për shkëputje nga çdo lidhje me Portën. Ai ishte i bindur se një kryengritje shqiptare do t’i arrinte dy efekte njëkohësisht: e para, do ta detyronte qeverinë në Stamboll që t’i përmbushte premtimet e xhonturqve për reforma dhe për liri më të madhe për shqiptarët dhe nga ana tjetër do t’i ndërgjegjësonte shtetet ballkanike që në planet e tyre të mos i anashkalonin shqiptarët. Andaj, pa u hamendur, nga maji 1912 H. Prishtina u vu në ballë të lëvizjes së armatosur shqiptare.

Në kulmin e suksesit të Kryengritjes së drejtuar nga ai, Perandoria Osmane u detyrua të hyjë në bisedime me kryengritësit. Më 1 korrik mësohet se Porta i filloi bisedimet me delegacionin shqiptar të prirë nga Hasan Prishtina. Bisedimet ishin të vështira. Hasan Prishtina arriti që nga pozicioni i fituesit të shtrojë kërkesa me frymë të qartë pavarësiste, që ishin në përputhje me lartësinë e fitoreve në fushëbetejë. Ato përmblidheshin, siç do të shprehej vetë Hasan Prishtina:

a) Të njihen zyrtarisht kufijt e Shqipnis;

b) Autoritetet civile dhe ushtarake të kenë komsin shqyptare;

c) Ushtrija shqiptare të sherbej në Shqypni e të jet komanda prej oficerve shqyptar;

ç) Veprimet zyrtare në Shqipni të behën në gjuhë shqipe.

Ibrahim Pasha këto kërkesa i gjykoi si shumë të rënda. Sipas tij, këto përbënin hapin e parë drejt shkëputjes nga Perandoria Osmane.

Epilogu i çështjes shqiptare në konstelacionin e rrethanave të viteve 1912-1913 është i njohur. Shqiptarët e realizuan vetëm një pjesë të aspiratës së tyre shtetformuese. Në rrethana shumë të pafavorshme që u krijuan për shqiptarët e mbetur jashtë shtetit autonom shqiptar, Hasan Prishtina është nga ata patriotë që nuk u demoralizuan, por arritën të ruajnë kurajën dhe të mobilizojnë gjithë energjitë kombëtare për të rinisur përpjekjet për çlirim dhe për bashkim kombëtar.

Një analizë e vëmendshme e fakteve historike që tashmë njihen flet për angazhimin e paepur atdhetar të Hasan Prishtinës. Ai mori përsipër gjithë përgjegjësitë që i caktoheshin, duke shpërfaqur gjithë lidershipin e tij për të mirën e atdheut (ministër në Qeverinë e Durrësit, themelues i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, më 1918, pjesëmarrës në Konferencën e Paqes së Parisit, kontribuues i madh i Kongresit të Durrësit, pjesëmarrës i Luftës së Vlorës, deputet i rrethit të Dibrës dhe për disa ditë (7-10 dhjetor 1921) kryeministër i Shqipërisë).

Gjatë kësaj karriere shumë aktive politike ai ishte në shërbim të unitetit të kombit dhe forcimit të shtetit shqiptar. Arriti të shmangë përkohësisht konfrontimin me fraksionin zogist, madje duke dhënë dorëheqje nga pozita më e lartë drejtuese (kryeministër) e shtetit të ri. E bëri këtë pa dyshim që të eliminojë çfarëdo ndarjeje ndërmjet shqiptarëve dhe kosovarëve. E lëshoi edhe postin e deputetit i bindur në fitoren e forcave më demokratike, të cilat i mbështeti për të mirën e shqiptarëve dhe jo nga dëshira për pushtet.

Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet qe momenti kur për herë të fundit Hasan Prishtina u përshëndet me Mëmëdheun dhe e filloi jetën në ekzil.

Siç mund të mësojmë nga shumë burime të kohës, kjo është pjesa më e vështirë dhe më dëshpëruese e jetës së patriotit Hasan Prishtina. Kosova dhe trojet e tjera etnike jashtë shtetit shqiptar po i nënshtroheshin një terrori të egër serb, përmes një politike denacionalizuese të kolonizimit dhe të shpërnguljes. Edhe zhvillimet në shtetin shqiptar nuk i përmbushnin pritjet e pjesës së okupuar të kombit. Zhgënjimi sa vinte e thellohej. Pafuqia ekonomike dhe ushtarake e Shqipërisë mbretërore po determinonte edhe pafuqinë e saj politike për të ngritur për zgjidhje çështjen e shqiptarëve nën okupim.

Edhe në rrethana të tilla të disfavorshme, Hasan Prishtina nuk po e pushonte veprimtarinë e tij atdhetare. Ai po lëvizte nga një kryeqendër e Evropës në tjetrën, duke u munduar t’i mbante të forta lidhjet midis disidencës shqiptare. Sipas pikëpamjes së tij, jo vetëm territori shqiptar i okupuar, por edhe vetë shteti shqiptar ndodhej në kërcënim permanent nga lakmia e shteteve fqinje, por edhe nga politika disfatiste dhe nënshtruese e Zogut.

Detajet e vrasjes së Hasan Prishtinës plot tetëdhjetë vjet më parë në Selanik, sado që bëhen publike përmes një shkrimi të gazetës ditore “Nova Makedonija”, megjithatë nuk hedhin dritë të mjaftueshme mbi motivet e vrasjes. Deklarata e atentatorit Ibrahim Çelo dhënë autoriteteve të hetuesisë nuk tingëllon shumë bindëse. E para, Hasan Prishtina tashmë nuk paraqiste rrezik për sigurinë fizike të mbretit Zog, ndaj edhe justifikimi se ai u vra sepse po përgatiste vrasjen e mbretit Zog tingëllon më shumë si justifikim i autorit të vrasjes për të ndikuar në zbutjen e shkallës së dënimit të tij.

E dyta, Hasan Prishtina me veprimtarinë e tij atdhetare kishte prekur shumë interesa dhe rrjedhimisht kishte krijuar shumë kundërshtarë. Kundërshtarët e tij ndodheshin përveç në Tiranë, edhe në Beograd, në Athinë, në Cetinë, mbase edhe në Romë. Edhe vendi prej nga erdhi vrasësi lënë të hapur dilemën se cila nga qendrat e përmendura mund të ketë qenë rekrutuesi i tij dhe porositësi i vrasjes.

Në fund, porosia më e rëndësishme që del nga angazhimi i paepur njerëzor i patriotit Hasan Prishtina, nga sakrifikimi i familjes dhe i pasurisë, si dhe nga vrasja e tij për të mirën e përgjithshme të vendit dhe të kombit të vet, mbetet impresionuese, inspiruese dhe e pavdekshme. Ai u vra fizikisht, por vizioni i tij politik nuk u vra asnjëherë.

(Autori është rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”)

 

Më Shumë

Mbi 50 për qind të shqiptarëve të Shqipërisë nuk e kanë vizituar asnjëherë Kosovën

Në Barometrin e Euronews Albania, ku u bënë bashkë për herë të parë në një studim të përbashkët qytetarë në Shqipëri dhe në Kosovë,...

Djali i Ancelottit nuk i fsheh ambiciet: Dua të bëhem trajner i Realit

Nga Carlo Ancelotti te Davide Ancelotti, te Reali mund të ketë një rokadë baba-bir për sa i përket stolit të ekipit të bardhë. Por...

Lajmet e Fundit