24.8 C
Prizren
E enjte, 18 Gusht, 2022

“Viti i mbarë” i Ballës, ribotohet i plotësuar me Olldashin

SokolBalla-viti i mbarePas bumit të shitjeve të librit “Viti i mbarë” të gazetarit Sokol Balla në Panairin e Librit, por edhe gjatë ditëve në vijim, kopjet e fundit janë rezervuar për një event që do të zhvillohet më 30 nëntor në Stamboll me studentët shqiptarë atje. Autori Sokol Balla flet në një intervistë për “Top Channel” për ribotimin.

Pse është shitur kaq shpejt libri?

Besoj se ka të bëjë me natyrën e librit. Librat politikë janë një rrugëtim i gazetarëve politikë në Perëndim, te ne janë një përvojë më e rrallë. “Viti i mbarë” është një libër periodik politik, i cili fokusohet në një periudhë të caktuar dhe sjell jo thjesht dëshmitë publike të protagonistëve të politikës, por edhe ato informacionet e tjera, që ne si gazetarë, ndoshta për shkak të natyrës së punës, nuk mundemi t’i japim, por që në këtë libër jepen detaje, gjëra të pazakonta, gjëra të padëgjuara, të palexuara më parë lidhur me momentet kyçe që sollën atë që sollën më 23 qershor 2013.

“Viti i mbarë” në dhjetor do të publikohet në një botim të dytë në vend dhe në të gjitha trevat shqipfolëse. Përfundimi i kopjeve nuk është i vetmi motiv i ribotimit të librit.

Libri juaj përshkruan ndodhi të qershorit të 2012-s deri në tetor të 2013-s. Por ngjarjet duket se nuk kanë mbaruar ende…

Kjo është edhe një nga arsyet pse unë, duke përfituar nga momenti që kopjet e librit janë tashmë 20-30 të fundit, do të paraqes një libër të dytë që do të revizionohet nga përmbajtja e tij. Kapitulli më i rëndësishëm që do t’i shtohet librit është kapitulli i “Javës kimike”, që përfshin ngjarjet e vrullshme nga e enjtja në të premten e shkuar, pasi duhet thënë që në “Top Story” pati dy zhvillime të rëndësishme, të cilat më pas ndikuan në jetën politike të vendit. Kryetari i Kuvendit, zoti Ilir Meta, i cili ishte i pari që shprehu skepticizëm për vendimmarrjen e mundshme të qeverisë shqiptare dhe i kërkoi asaj të reflektojë, jo thjesht duke pasqyruar mundësitë reale që ne kishim për ta bërë një gjë të tillë, por edhe reagimin popullor. Gjithashtu në libër do të hiqet intervista që me gjasë ishte e fundit, por nuk doli e fundit e zotit Arvizu dhe do të shtohet intervista e tij në “Top Story”, intervistë bombë, jokimike, por që padyshim pështjelloi skenën politike shqiptare dhe vazhdon ta pështjellojë edhe sot e kësaj dite. Pra “Java kimike” është kapitulli që do t’i shtohet, ku nuk do të jenë thjesht dy intervistat që janë të rëndësishme, por do të jepen informacione të panjohura më parë mbi prapaskenat e bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane dhe shumë gjëra të tjera që i ftoj lexuesit t’i marrin te botimi i dytë i “Vitit të mbarë”.

Por, Sokol Balla në revizionimin e botimit të dytë ka edhe një motiv personal.

Në këtë javë, shumë veta dhe ndër ta edhe unë, kemi humbur një mik, një shok, një koleg, një personazh të njohur të politikës shqiptare, Sokol Olldashin. Dhe unë botimin e dytë të librit tim do t’ia dedikoj mikut tim, Koli. Por jo vetëm kaq, por unë, për fat të keq, kam realizuar me Sokol Olldashin intervistën e tij të fundit të gjatë që ai ka dhënë në “Top Story”, 4 ditë para zgjedhjeve të brendshme në parti, një intervistë e fortë, ku Olldashi la të kuptohej vizioni si i shikonte ai gjërat dhe reflektimin e Partisë Demokratike drejt ringritjes. Me sa jam informuar, Sokoli do të jepte një intervistë këtë të hënë, një intervistë publike në një televizion ku ai do të fliste hapur për atë se si e shikonte Partinë Demokratike pas zgjedhjes së kryetarit të ri. Sokoli nuk mundi ta jepte këtë intervistë, e para sepse iu desh ta shtynte, për shkak të ngjarjeve të javës kimike, dhe e dyta, Zoti ia ndërpreu jetën në mes, para kohe. Kështu që si një detyrim personal ndaj Sokolit, por edhe opinionit publik, unë do të fus në këtë libër, intervistën e tij të fundit dhënë në “Top Story”, ku ai foli qartë dhe la të kuptohej ato gjëra që pas pak ditësh do t’i thoshte hapur, por nuk i tha dot.

A vazhdon të jetë një vit i mbarë për Sokol Ballën dhe rishikimi i përmbajtjes do të ndikojë edhe në titull?

Këtë pyetje ma kanë shtruar shumë shikues, lexues dhe ndjekës të mi në rrjetet sociale, sidomos pas ngjarjeve të javës kimike, duke përjashtuar tragjedinë personale, familjare dhe shoqërore të Kol Olldashit. Mendoj se ajo që ndodhi në javën kimike solli dy gjëra pozitive: e para në atë protestë të pastër, të sinqertë të njerëzve, të shoqërisë shqiptare, një minipranverë të vogël shqiptare, ne përjetuam rilindjen, por rilindjen e demokracisë në vend. Mendoj se pati edhe një ogur tjetër pozitiv në raportet politiko-shoqërore në vend; për herë të parë një qeveri, pavarësisht se ajo ishte e bindur për të kundërtën, por për këtë duhet të shikojë me më shumë përgjegjësi te vetja e saj, reagoi duke iu bindur zërit të popullit, shqetësimeve të opinionit publik, reflektoi. Kjo është hera e parë që një qeveri, jo thjesht demokratike e 23 viteve të fundit, por edhe e gjithë periudhave të tjera në 101 vjet shtet, që një Kryeministër i thotë popullit të tij ‘po’, reflekton. Unë mendoj se ky është një ogur i mbarë.

Më Shumë

Papa Françesku: Lufta e Ukrainës largon vëmendjen nga uria

Papa Françesku ka thënë se lufta në Ukrainë tërhoqi vëmendjen nga problemi i urisë në botë dhe bëri thirrje për ndihmë urgjente ushqimore për...

Shtylla e ndriçimit publik rrezikon qytetarët afër Stacionit të Policisë në Prizren

Një shtyllë elektrike e dëmtuar e vendosur në skaj të rrugës në Prizren afër Shadërvanit, po rrezikon qytetarët që jetojnë aty si dhe kalimtarët...

Lajmet e Fundit