15.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

“Vorbull ‘91”, një libër mbi fillimet e demokracisë

Vorbull91-liberJanë disa rrethana fatlume në jetë që të bëjnë të jesh në kohën e duhur e në vendin e duhur. Gazetari i Televizionit Shqiptar, Arjan Melonashi, pati fatin që jo thjesht për hir të profesionit, por edhe një vokacioni të brendshëm të ishte dëshmitar i ngjarjeve të mëdha që çuan në rrëzimin e sistemit diktatorial në Shqipëri. Kujtimet e tij dhe të bashkëshortes Greta Aliaj, vijnë përmes veprës “Vorbull ’91­ Demokraci dhe pushtet”, botim i shtëpisë botuese “Naimi”.

Politikanë (Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Sali Berisha, Neritan Ceka, Blendi Gonxhe, Edi Rama etj.), gazetarë, drejtorë të TVSH (Fatmir Kumbaro, Sefedin Çela, Hysni Lita, Skënder Buçpapaj etj.), diplomatë, parti, turma të eksituara përshkruhen me detaje mbresëlënëse midis dëshirës për demokraci dhe ca më shumë etjes për pushtet, sundim dhe kamuflim të interesave në emër të modës dhe sloganeve të reja politike… përmes kujtimeve të Melonashit, në një distancë kohore prej 24 vjetësh vjen Lëvizja Studentore e Dhjetorit të vitit 1990, shoqëruar me heqjen e monumentit të Stalinit, çka do të përkthehej si një zbutje e diktaturës, për të vijuar me grevën e minatorëve të Valiasit e më tej ajo e studentëve në ambientet e Kinoklubit të Qytetit Studenti.

Melonashi na sjell atmosferën e tensionuar të asaj kohe, erën e ndryshimit që ndihej në ajër dhe frikën nga e nesërmja, nga ajo se çfarë do të vinte më pas. Distanca kohore nga Lëvizja i jep dorë gazetarit që jo thjesht të na sjellë ngjarjet në mënyrë kronologjike, por edhe t’i analizojë ato.

Nga libri – 21 dhjetor

Në orët e vona të natës së 21 dhjetorit, një vinç hoqi pa bujë monumentin e Josiv

Visarionoviç Stalinit nga shëtitorja “Dëshmorët e Kombit”. Megjithatë, buja mbeti

jo aq në heqjen (e cila pritej), sesa në datën që u krye ky akt: ishte përvjetori i lindjes së njeriut, që tiranizoi për gati 30 vite shtetin e pamat sovjetik. Sidoqoftë, kjo lëvizje nuk tingëlloi edhe aq, përveçse në të huajt që ishin përgatitur të fotografonin ndoshta të fundmin monument të tij në mbarë Evropën: prej kohësh Shqipëria nuk figuronte si shtet socialist, komunist, shtet i doktrinës së papërlyer, fanar i mjekrave të klasikëve të kushedi tjetër se çfarë, por thjesht si një vend stalinist, pra, diçka më vete, një epitet që nuk

mundi t’i ngjitej madje as atdheut të diktatorit në kohën e Brezhnjevit, të tjetrit që pasoi më tej vetëm disa muaj (Çernienko, besoj) e Andropovit? në atë kohë pra, kur Bashkimi Sovjetik bëri dukshëm mbrapa nga çfarë kishte dashur “të ndreqte” apo më mirë të “liberalizonte” Hrushovi. Më erdhi keq për këtë lloj mosvëmendje: Populli nuk e kishte kapur këtë mesazh të rëndësishëm. Ishte një zbutje e paimagjinueshme e diktaturës. Nuk shtrohej çështja këtu nëse dikush, diku lart kishte dashur të bënte këtë lëvizje në këmbim të diçkaje të vogël, thjesht personale, si kërkesa për një “jetesë të qetë e pa trazime” për

më tej, p.sh. parë nën një dritë filozofike, ishte një tërheqje nga lufta, një pranim i pashmangshmërisë që jo vetëm kishte trokitur, por edhe hyrë në politikë. Ndoshta, edhe një ndjesë, ndjenja më e luftuar ndoshta nga regjimi… dhe tamam ai jepte shenjën e parë të pendimit. Mund edhe të ishte hipokrizi fund e krye natyrisht, por ishte një mesazh i madh, gjithsesi: kristian. Ironia qëndronte në faktin që duhej t’i zinim besë diktaturës tamam atëherë kur kurrfarë shprese nuk kishim në të, por kjo është urtësia historike. Veç sa e vështirë për ta arritur. Ndaj dhe nuk duhet të zhgënjehesha edhe kaq shumë, aq më tepër që isha i ri dhe kështu besoja se ndiheshin të gjithë.

31 dhjetor ’90 – 1 janar ‘91

Dy ditët e para të ’91, me sa duket shërbyen për të sjellë politikisht në vete njerëzit. Pas të pirave pa fund për çudinë e çudive në Shqipëri, pluralizmin politik, duket se u shtrua si tezë e famshmja pyetje e Leninit: “Ç’të bëjmë?”. Grevë!

Ishte një grevë ajo që çeli vitin politik të vendit. Fjala vinte e rëndë si një masë e madhe sfungjerore, ngopur me katran në kushedi ç’gremina e puse të thellë e të errët. Mbartte diçka nga tam­tami 40­vjeçar për “kushtet e rënda të proletariatit në vendet kapitaliste, shfrytëzimin e egër e të pamëshirshëm”, nga lëvizja çartiste shekuj më parë, faqe të romanit “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” e copëra imazhesh në tone gri, të një fushe të shkretë, mbushur me hithra e shpendra e ferra, rënduar e trishtuar anekënd nga pellgje uji të ndenjur, bataku e nafte, përzier deri në pështirosje, kolona pusesh të nxira, të shtrembëruara, të hetuara, lëkundja me një ngadalësi vdekjeje e një bilancieri të stërmadh, copëra imazhesh pra, të cilat e kishe të pamundur t’i përcaktoje në vinin në kujtesë nga leximi i historisë së partisë, aty ku flitet për grevën e naftëtarëve të Kuçovës në vitet ’30, apo ishin thjesht rikalim në mendje i filmit “Gjeneral Gramafoni”. /Zëri/

Më Shumë

Në 24-vjetorin e vrasjes, Haradinaj përkujton Ekrem Rexhën

Kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Hardinaj ka përkujtuar Ekrem Rexhën - komandant Drinin në 24 vjetorin e rënies. “Sot në...

Fetahaj pasi u shpall kampion me Suharekën: Ishte rrugëtim i vështirë – do jemi konkurrues edhe në Superligë

Klubi i FC Suharekës është shpallur kampion i Ligës së Parë, grupi A dhe edicionin e ardhshëm do të garojë në Superligën e Kosovës...

Lajmet e Fundit